Haradinaj: Shqiptarët që sulmojnë Gjermaninë, të pafe dhe bukëpërmbysët

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë mosmirënjohës ata shqiptarë, që tentojnë t’i bëjnë keq shtetit gjerman. Në profilin e tij në Facebook, pas arrestimit të dy vëllezërve që tentuan të kryejnë sulm terrorist në një qendër tregtare në Gjermani, Haradinaj shkruan se ky vend u ka dalë gjithmonë krah shqiptarëve, shkruan Zeri.

“Gjermania ka qenë pjesë e Perandorisë që mbrojti shqiptarët nga shpërbërja që në fillim të shekullit të kaluar, Gjermania është kthyer në shtëpi të dytë të shqiptarëve edhe gjatë regjimit komunist në ish Jugosllavi, Gjermania u kthye në strehë të shqiptarëve edhe në kohën e Millosheviqit, Gjermania, për herë të parë që pas luftës së dytë, ndërhyri ushtarakisht në një shtet tjetër, dhe atë në luftën e Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Ai po ashtu thekson se Gjermania ishte njëri nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e shtetit kosovar.
“Gjermania ndër të parat, njohu shtetin e Kosovës dhe u bë përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së saj. Prandaj janë bukëpërmbysët dhe të pa identitet e të pa fe, kushdo shqiptar që në çfarëdo mënyre, guxojnë ta sulmojnë Gjermaninë apo cilin do vend tjetër. Ata që sulmojnë këta popuj e këto vlera nuk mund të jenë shqiptarë”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Dy vëllezër kosovarë janë arrestuar në orët e para së të premtes në qytetin gjerman të Duisburg pasi dyshohen se po planifikonin sulme terroriste.

Vëllezërit të moshës 31 dhe 28 vjeç të lindur në Kosovë dyshohet se kishin në cak një qendër tregtare në Oberhausen, në afërsi të kufirit gjerman, njofton policia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button