LIRA E POEZISË SHQIPE

Linditë Ahmeti është poeteshë me indivi­dualitet të formuar poetik. Vargu i saj është origjinal dhe i veçantë në të gjitha aspektet: për nga frymëzimi i sinqertë lirik, për nga motivet dhe format, për nga figurat letrare, për thellësinë dhe dimensionet e shumta, për sensin me të cilin i shpreh ndjenjat, për gërshetimin atipik të mitikes me realen, për mundësitë shprehëse të gjuhës së zjartë, për mënyrat e reja të thënies së gjërave, për kontekstet origjinale në të cilat e vë fjalën, për forcën dhe hapsirat e reja që pushton fjala poetike në ato kontekste  dhe për gjetjet e anëve hyjnore të fjalës.

Lindita është krijuese e lindur që shkruan me jetën e saj, ndaj dhe vargjet i ka të shqetësuara dhe me temperaturë të pazakonshme, me një thellësi dhe gjerësi oqeanike, përmasash dhe horizontesh të arritshme vetëm nga mjeshtërit e mëdhenj.

Ajo është krijuese e poezisë së re, të mbështetur në perlat e traditës sonë më të mirë. Vargu i saj është risimtar dhe ndryshe prej atij të shkruarit nga brezat pararendës. Si i tillë, ai kërkon lexues aktiv dhe të përgatitur, bashkautorë që luan lirshëm lojën e asociacioneve që lind poezia.

Përpos dhuntisë të cilën Krijuesi ia fali me bollëk, Linda ka investuar shumë edhe në kulturën letrare, në dijen dhe shijen e hollë estetike. Vargjet e saj janë aq filigranike, sa nuk mund t’u shtosh a t’u hjekish asnjë fjalë, asnjë shkronjë, asnjë presje të vetme. Në këtë aspekt ajo është e krahasueshme vetëm me poetët titanë, si: Ndre Mjeda apo Azem Shkreli.

Përmbledhja “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim” është përplot lirika të dhembjes, mallëngjimit, pritjes dhe shpresës së pasosur. Jo rastësisht ajo e sugjeron këtë që me titullin e veprës, që me vjershën prolog, e cila mund ta përfaqësojë denjësisht poezinë e sotme shqipe, në cilëndo antologji botërore.

Poezia e Lindës është përvojë e re e bukurisë në veprim, që nga momenti i metamorfozimit në letër të vibrimeve shpirtërore. Është poezi shumështresore, sugjestive dhe e pakrahasueshme me krijimet e cilitdo poet tjetër.

Kushdo që ka lexuar poezitë e Linditës është bindur se ajo është në luftë të përhershme me demonët që shprishin ëndrrat njerëzore, është bindur se vargjet e saj subtile janë më të fortë se forcat e errësirës…, sado që beteja është më e pabarabartë se kacafytja biblike mes Davidit e Goliatit.

Filozofi dhe esteti i mirënjohur Ferid Muhiq, poezitë e Lindës i quajti poezi të dhembjes. Për të, sa më e madhe është dhembja, aq më e bukur del poezia. Ai e sqaron këtë me një mbret kohërash të vjetra, që të dënuarit me vdekje  i fuste në barkun e një demi prej bronxi, të pajisur me tuba me forma borishë të madhësive të ndryshme, përfundi të cilit ndizej një zjarr i madh. Mbreti satrap, tok me obortarët, ulej në shkallët e amfiteatrit ku kryhej ekzekutimi i të dënuarit dhe kënaqej me klithmat e tij, të cilat, përmes tubash prodhonin tinguj shumë të bukur, që e hidhnin në ekstazë mbretin, veçmas britma e fundit e fatkeqit që ishte e pakrahasueshme me tinguj të tjerë.

Se arti lind nga dhembja e mësojmë edhe nga gjeniu Kadare, i cili thotë se lidhjet e artit me dhimbjen, frikën dhe pritjen janë shumë të natyrshme. Sipas tij veprat më të mëdha letrare trajtojnë pikërisht fenomenet që shkaktojnë dhimbje, si: vdekjet, misteret, mjegullat, maskat, hijet, demonët, kafkat, fantazmat, masakrat, ferri, varrezat, përbindëshat, labirintet, sakrificat, luftërat, kampet, murimet, krimet, burgjet, tiranët, despotët, dyshimet, stuhitë, apokalipsat, mallkimet…

Këtij rregulli, natyrisht, nuk mund t’i shmanget dhe Lindita, që gjithashtu është në betejë të përhershme me demonët e gjithllojshëm. Ajo është luftëtare e pakompromis, sepse ashtu deshi Krijuesi, i cili me peshat më të rënda i ngarkon lufëtarët e tij më të zgjedhur.

Në librin që përurojmë sonte dhembjet e poeteshës janë njëkohësisht dhembje shqiptare dhe të mbarë njerëzimit, që bashkëjetojnë me dhembjet e lashtësisë mitike. Kësaj here babai është në qendër si hero baladash e luftëtar betejash kreshnike, si burim prej të cilit merr forcë poetesha, si varkë shpëtimtare e shpirtit univers të Lindës…

Linda bën pjesë ndër ata pak krijues të mirëfilltë, që përherë përbëjnë pakicën. Ajo krijon llojin e poezisë për të cilën P. Valeri thoshte se të shkaktojnë më shumë vrushkuj ethesh në palcën kurrizore. Ajo është poeteshë e rrallë dhe kjo nuk është keq për një letërsi, sepse, siç thoshte Azem Shkreli: Asnjë kulturë, në asnjë kohë dhe në asnjë histori nuk ka patur fatin që shumicën ta bëjnë më të mirët krijues e veprimtarë, më të mirat vlera. Janë mediokrit ata që pushtojnë forumet, institucionet, mjetet e informimit publik, redaksitë, botimet, duke krijuar gjithandej dhe me shpejtësi të madhe mekanizma mbrojtës e rrefuzues ndaj shfaqjes, afrimit dhe depërtimit të kujtdo që mund t’ua kërcënojë shansën e madhe…

Shkrimin po e mbyll me impresionin e parë dërguar Lindës, pas leximit të dorëshkrimit të veprës “Nga mështeknaja e babait…”:

E dashur Linda! Lexova dhe rilexova perlat tua të papërsëritshme. Kënaqa shpirtin dhe u binda, kush e di për të satën herë, se je LIRA më e veçantë e poezisë shqipe, jo vetëm aktualisht. Se si ia del të shkruash me bojërat e shpirtit bilur nuk e kam të qartë. Me gjasë është në pyetje sekreti që nuk e di as Ti vetë, është rezatimi i dorës së Zotit mbështetur koxha gjatë në supet Tua, është hyjnorja e shpërfaqur me penelata vargjesh shumëformëshe, që vijnë të drithërojnë me vrushkuj ethesh palcën shpirtërore të fatlumëve që kanë privilegjin të lexojnë e të shijojnë të parit atë që mund ta shkruajë vetëm dora Jote. Të lumtë Linda! Shëndët e suksese të reja në kohërat që vijnë! Ti je mjeshtrja që duhet ta përcjellë tutje imazhin e të qenmit tonë të stisur në vargje jetëgjata sa ndriçimi diellor. Sa i lumtur jam që kam një Mike si Ti!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button