KSHZ: Do të rivotohet në vendvotimin 2011 në Tearcë

 Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendim që të përsëritet votimi në vendvotimin 2011 në komunën e Tearcës, pasi sektori TI  i Komisionit ka bërë simulim se kjo mund të ndikojë në rezultatin, respektivisht numri i mandateve të fituara të partive në Njësinë Zgjedhore 6 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor, njofton MIA.

Vendimi i KSHZ-së është marrë në bazë të nenit 151, paragrafi 3 nga Kodi zgjedhor që votimi të përsëritet nëse kjo mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar, por edhe në bazë të vendimit të Gjykatës administrative që ta pranojë ankesën e Koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja dhe të marrë vendim për anulimin e votimit në këtë vendvotim.

Rivotimi do të përsëritet 14 ditë pas ditës së zgjedhjeve, respektivisht më 25 dhjetor.

Në vendvotimin 2011 në Tearce në Listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 714 votues. Më 11 dhjetor në votim kanë dalë 404 votues, prej tëc ilëve 91 kanë votuar për VMRO-DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Lëvizjen për BESË, 64 për PDSH-në, 3 për BDI-në, 25 për Aleancën për shqiptarët dhe nga një për VMRO për Maqedoninë dhe Koalcionin për ndryshime dhe drejtësi – Blloku i tretë.

në Njësinë zgjedhore 6 sipas rezultateve të para të KSHZ-së, më së shumti vota 40.599 ka fituar BDI-ja, pastaj vijon VMRO-DPMNE me 26.135, LSDM me 25.828, BESA me 25.054, Aleanca për Shqiptarët 17.970, PDSH-ja 16.225, VMRO për Maqedoninë 919 dhe Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi – Blloku i Tretë 239.

Sipas votave të fituara, më së shumti deputetë, respektivisht gjashtë ka fituar BDI-ja, VMRO-DPMNE-ja 4, BESA 3, LSDM-ja 3, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja nga 2.

Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë dje i pranoi ankesat e LSDM-së për anulimin e votimit në vendvotimin 2011 në Tearcë dhe ankesën e VMRO-DPMNE-së kundër vendimit të KSHZ-së që të anulohet votimi në vendvotimin 0396/1 në Gostivar.

Si të pabaza, Gjykata administrative refuzoi tre ankesa të LSDM-së kundër vendimeve të KSHZ-së, e të cilat kanë të bëjnë me vendvotimin 2010 dhe 2025 në komunën e Tearcës, dhe për vendvotimin 1978 në komunën e Tetovës, të gjitha në Njësinë e Gjashtë Zgjedhore. Me këto vendime të Gjykatës Administrative u konfirmuan vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button