Çair, rrjeti atmosferik i cili duhet të bëhej në shtator, e pret 2017-ën

Banorët e komunës së Çairit ankohen se punimet për kanalizimin atmosferik po ecin me ngadalësi, dhe përveç vonesës së zgjidhjes së grumbullimit të ujit i cili në disa raste edhe hyn në shtëpitë e banorëve kur bie shi, ata tani ankohen edhe për ngushtimin e rrugës e cila ngadalëson shumë komunikacionin.

“Ngadalë po punohet, sa më shpejtë duhet të përfundojnë punimet pasi që një shi kur po bie pak me rrëmbim, neve po na hyn uji nëpër shtëpi”, tha Hasan T., banor.

“Shpresojmë që sa më shpejtë të kryhen punimet dhe të zgjidhjet njëherë e përgjithmonë çështja e vërshimeve gjatë shiut”, tha Mirsad F. banor.

Rrjeti atmosferik Çair
Rrjeti atmosferik Çair

Gjithashtu banorët brengosen edhe për rrugët pas përfundimit të punimeve, a do të rregullohen dhe si do të rregullohen.

“Rruga është dëmtuar mjaft shkaku i punimeve dhe shpresojmë që kur të përfundojnë të njëjtat do ta rregullojnë rrugën, pasi që veturat na dëmtohen kur rruga nuk është e asfaltuar”, tha Arian R. banor.

“Shpresojmë që mos e bëjnë shkel e shko, si shumicën e rrugëve që I kanë bërë në këtë komunë, sa për sy e faqe. Na ngelet të presim e të shohim çka do bëhet”, tha Fitim O. banor.

Punimet për ndërtimin e të rrjetit atmosferik filluan në muajin qershor të këtij viti dhe ishte parashikuar që më se voni të përfundojë për tre muaj që do të thonë në shtator, kurse tani po afrohet viti i ri dhe punimet janë ende të papërfunduara.

Rrjeti atmosferik Çair
Rrjeti atmosferik Çair

Nga Qyteti i Shkupit, i cili është edhe realizues i këtij projekti kohë më parë thanë për Portalb, se po punohet mirëpo shkaku i kushteve atmosferike, punimet nuk kanë arritur të përfundojnë ashtu siç është parashikuar.

“Me këtë projekt i cili është në fazën përfundimtare, do të ndërtohet kanalizimi atmosferik me gjatësi prej 800 metrave në rrugët ‘Xhon Kenedi’ dhe ‘Kemal Ataturk’, me qëllim që të përmirësohet gjendja e ujërave atmosferik në Komunën e Çairit dhe kështu të zgjidhet problemi i kamotshëm i kësaj komune. Kompania që po merret me punimet premtoi që nëse kushtet atmosferike janë të mira, ky projekt do të ndërtohet në afatin e paraparë, mirëpo kjo gjë u prolongua shkaku i kohës me shi”, thonë për Portalb, nga Qyteti i Shkupit.

Ndërkaq për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, Qyteti i Shkupit ndaj 23 milion denarë, dhe premtoi që pas përfundimit të projektit, i njëjti institucion do të merr përsipër edhe rregullimin e asfaltit të dëmtuar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button