Për Bujar Osmanin, Ali Ahmetin dhe të tjerët që nuk e dinë ç’është shtetformësia

Në terminologjinë juridike fjalët kanë kuptim të përcaktuar saktë. Aty nuk lejohen manipulime apo përkufizime individuale si t’ja marrë mendja secilit, siç bëjnë zakonisht shqiptarët. Kush ka studiuar drejtësinë ka vënë re se në jo pak raste në terminologjinë ligjore fjalë të caktuara kanë kuptim të ndryshëm nga kuptimi i tyre në jetën e përditshme. Kështu p.sh. në kuptimin juridik fjala ‘shoqëri’ nënkupton një ndërmarrje apo firmë që ka për qëllim fitimin, ndryshe nga fjala ‘shoqatë’ që nënkupton OJQ-të jofitimprurëse. Po ashtu, ‘e drejta për të disponuar me një send’ është e drejta për ta përcaktuar fatin e atij sendi – për ta djegur, shitur, hedhur, mbajtur etj., sendin në fjalë, ndryshe nga përditshmëria që me disponim të një sendi nënkupton pasjen e sendit në fjalë (gjë që në terminologjinë juridike njihet si e drejta e posedimit).  Në mënyrë analoge, shtetformësia (pra e drejta për të formuar shtet) nuk nënkupton pjesëmarrjen e një bashkësie etnike apo populli në institucionet e një vendi apo në vendimmarrje, që siç duket se i referohen gabimisht jo në pak raste, jo pak persona publik. 

Shtetformësia ka të bëjë me parimin e TË DREJTËS SË POPUJVE PËR VETVENDOSJE, të shprehur në shumë dokumente ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe ‘Kartën e Atlantikut’ dhe ‘Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara’ (paragrafi 2 i nenit 1). Ky parim ka qenë bazë e mbështetjes së popujve të kolonizuar për tu çliruar dhe për të formuar shtetet e tyre. Shumë popuj tjerë që nuk u është njohur e drejta e vetvendosjes, dhe si rrjedhojë e shtetformësisë, e kanë fituar atë pas përpjekjeve të gjata me mjete politike apo edhe me luftë, sepse krijimi i shteteve të reja është çështje faktike dhe jo vetëm çështje juridike. Meqë çështja e të qenit apo jo shtetformues e shqiptarëve në Maqedoni është riaktualizuar nga disa deklarata individuale joserioze – me prirje më shumë demagjogjike dhe manipulative, se sa me ndonjë bazë juridike – e shoh me vend të rishtroj disa nga tezat e paraqitura në një shkrim rreth dy vite më parë lidhur me këtë çështje.

Në vitet 80-90, një plejadë juristësh në Kosovë – mes të cilëve edhe tashmë të ndjerët, akademiku Gazmend Zajmi, rektori i UP-së Prof. Ejup Statovci, avokati Bajram Kelmendi (i vrarë nga forcat serbe në vitin 1999) dhe Dekani i Fakultetit Juridik Prof. Bardhyl Çaushi (i zhdukur nga forcat serbe në 1999) – potenconin se thelbi i pabarazisë së shqiptarëve në ish-federatën jugosllave qëndronte në pabarazinë e statusit juridike të tyre në kushtetutën e vendit. Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë në bazë të Kushtetutës së vitit 1974 përcaktohej si vendi i ”popujve” (narodi) dhe ”kombësive” (narodnosti). Që këtu ndarja në dy grupe bëhej e qartë. ”Popull” ishin serbët, kroatët, sllovenët, muslimanët boshnjakë, maqedonasit dhe malazezët, ndërsa ”kombësi” ishin shqiptarët, hungarezët etj. Ajo që potenconin juristët e Kosovës asokohe ishte se e drejta ndërkombëtare nuk e njeh termin ”kombësi”, si term për përcaktimin e statusit juridik të një popullate! Sipas tyre, ky ishte vetëm një term për ta kamufluar statusin e pakicës kombëtare për shqiptarët. Shtetet krijohen nga popujt, prandaj elementë shtetformues janë vetëm popujt! Të tjerët që nuk janë popull, kanë statusin e pakicës kombëtare, cilido që të jetë emërtimi i tyre i zbukuruar në kushtetutë. Popujt kanë të drejtë për vetëvendosje deri në shkëputje, ndërsa të tjerët (pakicat kombëtare, cilido qoftë emërtimi i tyre) nuk e kanë këtë të drejtë. Ata që ishin popuj në ish-Jugosllavi kishin republikat e tyre … të tjerët (pra edhe shqiptarët) jo.

Që prej asaj kohe buronte edhe kërkesa e vazhdueshme e shqiptarëve në ish-Jugosllavi për të qenë element shtetformues – popull i barabartë (me gjuhë dhe të drejtat tjera) me popujt tjerë në ish-Jugosllavi. 
Republika e Maqedonisë është shtet i dalë nga ish-federata jugosllave dhe terminologjinë e përdorur në kushtetutat e ndryshme të Republikës së Maqedonisë vazhdon të ndjekë terminologjinë juridike të shkollës ish-jugosllave. Në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Maqedonisë, të 25 shkurtit të vitit 1974, maqedonasit përcaktohen si “popull” (narod), ndërsa shqiptarët si “kombësi” (narodnost)! Kështu, kjo Kushtetutë, në ”Pjesa e parë” (Rregullimi shoqëror), ”Kreu I” (Parimet e përgjithshme), Neni 1, shprehet se (citoj): ”Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i kombësive shqiptare dhe turke në të, bazuar në sovranitetin e popullit … ”. Kushtetuta në fjalë është e mbushur me përmendje të shpeshta në nene të shumta të formulimit ”… makedonskiot narod i narodnostite …” duke bërë të qartë se bëhej fjalë për popullin maqedonas dhe kombësitë (shqiptarët e turqit), duke përdorur termin ’kombësi’ si sinonim i pakicës kombëtare.

Paragrafi i tretë i Preambulës së kësaj Kushtetute (citoj) “ … populli maqedonas, bazuar në të drejtën për vetëvendosje, duke përfshirë edhe të drejtën për shkëputje … ” dhe ”Principet themelore I”, të ”Pjesës hyrëse” të Kushtetutës (citoj) ” … duke u nisur nga e drejta e çdo populli për vetëvendosje, duke përfshirë edhe të drejtën për shkëputje …” potencojnë se e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje ju njihet vetëm popujve dhe jo të tjerëve, d.m.th. jo kombësive (pakicave kombëtare)! Kushtetuta e pavarësimit të Maqedonisë, e vitit 1991, sërish i përcakton maqedonasit si “popull” (narod), ndërsa shqiptarët tani nuk i quan ‘kombësi’ (narodnost), por ka zgjedhur një term pak më modern dhe i quan ‘nacionalitet’ (nacionalnost). Pra, është një lojë fjalësh, por që në thelb është e njëjta gjë … pakicë kombëtare. Në preambulën e kësaj Kushtetute thuhet se (citoj) “ … Maqedonia është e konstituuar si shtet kombëtar i popullit maqedonas, në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e vazhdueshme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe nacionalitetet tjera, të cilat jetojnë në Republikën e Maqedonisë … ”. Pra, në Kushtetutën e vitit 1991, preambula e saj që në start përcakton se kush është “popull” dhe kush “nacionalitet”, duke lejuar më pas një shkrim me elegancë të Kushtetutës, duke shmangur potencimin e tepërt të kësaj çështje dhe duke përdorur shprehjen “makedonskiot narod” vetëm në nenet 36, 49 dhe 56, ndërsa termin “nacionalnostite” (me të cilin nënkuptohen edhe shqiptarët) vetëm në nenin 7, 48, 56 dhe 78. 

Pas luftës së drejtë të shqiptarëve në vitin 2001, Marrëveshja e Ohrit përcaktoi edhe ndryshimet kushtetuese që u bënë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Megjithëse kjo Marrëveshje solli një SHTIM TË KUFIZUAR TË VËLLIMIT TË TË DREJTAVE të shqiptarëve (futja e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat; përmirësimi – sado që në mënyrë krejtësisht të pjesshme – i rregullimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe; futja e Parimit të Badinterit për miratimin e një pjesë të kufizuar të ligjeve, etj.,) sërish as Marrëveshja e Ohrit NUK E NDRYSHOI STATUSIN JURIDIK të shqiptarëve në Maqedoni, që në thelb mbetet statusi i pakicës kombëtare! Duke vazhduar sërish me lojën e fjalëve për të emërtuar shqiptarët, kësaj radhe shqiptarët nuk emërtohen as “narodnost” (kombësi) e as “nacionalnost” (nacionalitet), por “zaednica” (bashkësi), ndërkohë që maqedonasit sërish emërtohen qartë “popull”.

Me ndryshimet e vitit 2001 u ndryshua edhe formulimi i preambulës së kushtetutës, e cila tani shprehet se (citoj) “Banorët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si edhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerët …”. Nëse dikush nuk beson se formulimi “pjesë e popullit” sërish i referohet pakicave kombëtare, atëherë duhet të vërejë se sërish në nenet 36, 49 dhe 56 të kushtetutës përdoret shprehja “makedonskiot narod” ndërsa në nenin 7, 48, 56 dhe 78, emërtimi “nacionalnost” për shqiptarët e të tjerët, është zëvendësuar jo me termin “popull” (narod), por me ‘bashkësi’ (zaednica)! Nëse ndokush ende nuk e ka të qartë statusin e shqiptarëve në Kushtetutën aktuale atëherë çdo gjë do t’i sqarohet sapo të vërejë se emërtimi për ta edhe në preambulë (‘pjesë e popullit’) e edhe në brendësi të kushtetutës (‘bashkësi’) është krejtësisht i njëjtë me atë të romëve, boshnjakëve, vllahëve, serbëve dhe turqve! Çka janë vllahët dhe romët, ashtu janë edhe shqiptarët. 

Si konkluzion, edhe Kushtetuta e vitit 1974, edhe ajo e vitit 1991 edhe ndryshimet e bëra në vitin 2001, përcaktojnë se:

1. Në Republikën e Maqedonisë, maqedonasit në të gjitha kushtetutat emërtohen ’popull’, ndërsa të tjerët pa përjashtim (duke përfshirë edhe shqiptarët) në vitin 1974 emërtohen ’kombësi’, në vitin 1991 ’nacionalitet’ dhe në vitin 2001 ’bashkësi’!

2. Edhe në vitin 1974, edhe në vitin 1991 edhe në vitin 2001, emërtimi i shqiptarëve është i ndryshëm nga ai i maqedonasve, por i njëjtë me atë të turqve, romëve, boshnjakëve e vllahëve! Se çka janë turqit, romët, boshnjakët dhe vllahët (me të cilët shqiptarët ndajnë në mënyrë analoge të njëjtin status juridik) në Maqedoni është fare e thjeshtë … ato janë pakica kombëtare (etnike)!
3. Shqiptarët në kushtetutat e Maqedonisë kurrë nuk janë emërtuar ’popull’, prandaj ata kurrë nuk kanë qenë e as nuk janë element shtetformues! Shtetet i formojnë popujt, prandaj shtetformues janë vetëm popujt, të cilëve ju takon e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje. Vetëm përmendja në një kushtetutë nuk të bën element shtetformues, ashtu si nuk i bën as vllahët apo romët që përmenden njëlloj aty.

Kombet e Bashkuara nuk kanë asnjë konventë, asnjë komision dhe asnjë të dërguar për të drejtat e ‘kombësive’, ‘nacionaliteteve’, ‘pjesëve të popujve’ ose ‘bashkësive’, sepse të gjitha këto janë emërtime për pakicat kombëtare! Ka vetëm konventa, komisione dhe të dërguar të OKB-së dhe OSBE-së për pakicat kombëtare (etnike) … të cilët interesohen edhe për shqiptarët në Maqedoni!
Vende të ndryshme dallojnë nga terminologjia juridike e përdorur. Shtetet që janë kryesisht njëetnike ose që nuk kanë probleme etnike kanë tendencë të mos e përmendin çështjen e përcaktimit të statusit të popujve dhe thirren në qytetarët, pa përmendur përkatësinë e tyre etnike. Në vendet e ish-Jugosllavisë kjo çështje ka qenë shumë e theksuar prandaj edhe ajo ka patur rregullim të veçantë, duke krijuar edhe një terminologji të posaçme. Sa për krahasim: Neni 1 i Kushtetutës së Serbisë shprehet se “Republika e Serbisë është shtet i popullit serb …”. Preambula përmend serbët si “popull” dhe ‘bashkësitë etnike’, të cilat në brendi të kushtetutës quhen ‘pakica kombëtare’!

Kushtetuta e Kroacisë njeh ‘popullin’ kroat dhe ‘pakica kombëtare’. Në Slloveni Kushtetuta e përkufizon atë si shtet i popullit slloven dhe në nenin pesë njeh pakicën hungareze dhe atë italiane, të cilat i emërton si “bashkësi kombëtare autoktone”. Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës njeh tre popuj konstitutiv: boshnjakët, kroatët dhe serbët.
Nisur nga shumë argumente të pakundërshtueshme (si: autoktonia, kompaktësia, përqindja në vend, pesha në përcaktimin e fateve të vendit, etj.), shqiptarët në Maqedoni duhet të ishin element shtetformues (pra ‘pronarë’ të barabartë me maqedonasit dhe jo ‘qiraxhinj’), por e vërteta e hidhur është se ata, sipas të gjitha kushtetutave të Republikës së Maqedonisë, nuk kanë qenë asnjëherë dhe nuk janë as edhe sot shtetformues.

Shqiptarët në Maqedoni e kanë zakon t’i miratojnë ligjet pa i analizuar, ose për më keq shpesh edhe pa i lexuar fare, dhe pastaj të mburren kafeneve duke shitur mend se si i kanë rënë tavolinës me grusht apo çfarë i kanë thënë ‘x’ personi të palës tjetër! Disa gjëra janë të përcaktuara e zezë mbi të bardhë, në kushtetutën dhe ligjet e një vendi. Ato e përcaktojnë fatin e popujve dhe njerëzve. Kuptimi i përmbajtjes së tyre nuk ndikohet nga interpretimet që bëhen për propagandë politike. Rregullat e ”lojës” i përcakton Kushtetuta. Të tjerat janë vetëm fjalë boshe, të njerëzve që e dinë ose nuk e dinë kuptimin e fjalëve që i përdorin!

Lajme të ngjashme

Back to top button