Çfarë i frikësoi maqedonasit që e votuan Gruevskin?

Ashtu sikur vota shqiptare, vota maqedonase në Maqedoni nuk gëzoi reflektim. VMRO-DPMNE për dallim nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 kur kishte 481.615, në zgjedhjet e vitit 2016 humbi afër 30 mijë votave dhe rezultoi me 454.253. Përkundër aferave që dolën nga materialet e përgjuara dhe hapja e procedurave nga Prokuroria Speciale Publike për funksionarë të VMRO-DPMNE, kjo e fundit arriti ta mbajë elektoratin e saj, shkruan Portalb.mk

Ku qëndron “suksesi” i Nikolla Gruevskit dhe pse votuesit maqedonas nuk e dënuan Gruevskin? Profesori universitar Mersel Bilalli tregon disa nga arsyet se si Gruevski arriti ta mbajë elektoratin e tij relativisht konstant.

“E para, si ka krijuar një masë militantësh të pashkolluar dhe pa dhëmbë, të cilët i ushqen me sanduiç dhe patriotizëm të rrejshëm. Ata sillen si rrugaç dhe kërcënohen duke krijuar frikë te njerëzit. E dyta, kërcënimet me vendet e punës, premtimet për punë dhe korrupsioni është pjesë natyrale i një banditizmi politik të tillë. E treta, frikësimi i masës përmes mediumeve se Maqedonia rrezikohet nga shqiptarët, ku për fat të keq u shfrytëzuan disa gafe të Zaevit. Të gjitha këto bënë këtë rezultat. Por, edhe në kampusin maqedonas ka prerje dhe një pjesë e mirë e tyre janë të gatshëm të konfrontohen me të gjitha mjetet me Gruevskin. Por, me rëndësi se çka duhet ne të bëjmë, ndoshta nuk duhet të presim që të vdes Gruevski dhe ne të demokratizohemi dhe zhvillohemi. Duhet hequr frikën nga ai. Se di si ua futi lepurin në bark liderëve tanë?! Atij pastër duhet thënë se nuk je ardhmëria e jonë”, sqaroi për Portalb Bilalli.

Politikologu Argjend Çilafi vlerëson se Maqedonia prej pavarësimit të saj politikën e qeverisjes e themelon mbi baza të nacionalizmit të skajshëm.

“Edhe pas 25 viteve pavarësi Gruevski theksin e vendosi në tema nacionaliste duke frikësuar maqedonasit me gjasën e humbjes së identitetit dhe se shqiptarët do ndajnë Maqedoninë. Këto zgjedhje u panë si referendum për maqedonasit për shpëtim të karakterit unitar të shtetit, për ruajtjen e gjuhës… etj. Një fushatë që e bombardoi elektoratin dhe e vendosi në një huti totale. Dhe u “imponua” të zgjedhin VMRO-në si e keqe e domosdoshme”, deklaroi për Portalb Çilafi.

Garancë për të ‘siguruar paqe’ në vend, sipas Nikolla Gruevskit- ish kryeministër dhe lideri i VMRO-DPMNE-së ishte sigurimi i 63 vendeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Frikën se humbja e Gruevskit mund të pësojë me luftë e zmadhojnë para qytetarëve të Maqedonisë edhe megafonët medial të VMRO-DPMNE-së. Këta të fundit u munduan gjatë fushatës parazgjedhore ta bindin opinionin se pse është patriotike kërkesa e Gruevskit. Kanë shkuar deri në atë pikë që thonin se nëse ka dygjuhësi shqiptarët do të shpërngulen dhe do ti përzënë maqedonasit që jetojnë në lindje të vendit./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button