TË HARRUARIT PARALAJMËRUAN NDRYSHIMIN

Në vitet ’90 ishte herezi që një shqiptar t’I jepte votën një partie maqedonase. Mbaj mend shumë njerëz të cilët u shkatërruan moralisht shkaku se vota e tyre promaqedonase u bë publike në një kohë të shkuar, u hëngrën nga turpi dhe u syrgjynosën nga shoqëria. Ishin kohë të tjera! Sot një gjë e tillë nuk më duket aq e habitshme, nuk më duket fare tradhti, nuk më duket aq e dënueshme. Pse?

E para sepse ata njerëz të cilët votuan për SDSM-në nuk gjetën një alternativë më të mirë në partitë shqiptare, ndërsa e kishin vendosur të votonin për ndryshim, kishin vendosur të votonin kundër establishmentit 15 vjecar të BDI-së. Kishin vendosur të dilnin dhe t’I bërtisnin: Boll më! një partie e cila u ngrit në rangun e Partisë komuniste të një kohe të kaluar, ku komitetet vendore dhe qendrore vendosnin për jetën e njerëzve të rëndomtë. Këta shqiptarë, përkundër bindjes që mundohen të krijojnë analistët dhe opinionistët, nuk votuan KUNDËR; përkundrazi votuan PRO. Deri dje isha shumë I revoltuar nga kjo votë, nuk arrija dot ta kuptoj, por duke menduar në kokë të ftohtë erdha në përfundimin që këta njerëz nuk gjetën hallet e tyre në programet elektorale të partive shqiptare. Ishte kjo dicka për të cilën në shkrimin tim të mëparshëm paralajmërova, duke theksuar mungesën jo vetëm të kandidatëve adekuatë por edhe të programeve qenësore që duhej për herë të parë, vendosshmërisht të merreshin me problemet reale të qytetarëve, dhe jo me “cështje madhore patriotike” të cilat nuk gjejnë zgjidhje pikërisht shkaku I inferioritetit intelektual dhe politik të këtyre njerëzve që sot dhe dje udhëhiqnin partitë politike shqiptare në këtë vend.

E dyta, sepse këta njerëz u lodhën nga pseudopatriotizmi në ofertën politike; u lodhën duke pritur zgjidhjen e cështjes së gjuhës, flamurit, emrit të shkollave dhe problemeve të tjera të ngjashme të patangueshme me realitetin social dhe ekonomik që po dërrmon këtë popullatë. Një popullatë shqiptare që dita ditës po largohet nga vendi, e lodhur nga skamja ekonomike, nga mosqasja në institucione, nga sistemi I dobët dhe I korruptuar shëndetësor dhe arsimor, nga mospasja e shpresës për një të nesërme më të mirë.

Këta qytetarë të Dibrës, të sfilitur moralisht, të harruar nga politikanë të cilëve jo vetëm ju kanë dhënë votën por ju kanë dhënë dhe edukim politik me mencurinë dhe diturinë e tyre, të dërrmuar ekonomikisht dhe të pashpresë. Këta qytetarë të Haracinës që kanë 8 vite që presin një kanalizim, kanë 15 vite që presin të reinkuadrohen në shoqëri si anëtarë të barabartë. Këta banorë të Tanushës dhe të Brezës që jetojnë në skamje, të harruar dhe të syrgjynosur, të trajtuar sikur nuk ekzistojnë. Këta qytetarë të Tetovës, që po mbyten dita ditës nga deponitë në mes të qytetit dhe nga gazrat kancerogjenë të një fabrike që I takon një shekulli dhe një epoke të shkuar. Këta qytetarë të rrethit të Pollogur të cilët gjithnjë e më shumë harrohen kur vjen puna për subvencionime bujqësore dhe ku rinia po ik dita ditës nga vendi I tyre në kërkim të një shprese. Këta qytetarë të Cairit dhe Sarajit të Shkupit, që jetojnë në varfëri, të ngulfatur nga struktura kriminimale kuazi politike që nuk ju ofrojnë atyre një shpresë për një jetë më të mirë.

Sot e kuptoj që nuk duhesha revoltuar me këta votues. Përkundrazi, kuptova që ajo që më hidhëron në këtë rast është mungesa e një alternative të vërtetë tek shqiptarët, një alternativë e cila do të rregullojë sistemin shtetëror në mënyrë që problemet intangjible si gjuha dhe flamuri të mos shndërrohen në problem, por në mundësi; një alternativë e cila do të ketë program të qartë për këta njerëz, t’I quaj me një emër të përbashkët TË HARRUARIT, një program për rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të tyre, duke I mbajtur në vendlindje, duke ju krijuar shpresë, duke ju krijuar vende pune dhe ardhmëri për familjet e tyre me një sistem të shëndoshë arsimor dhe shëndetësor; një alternativë e cila do tju krijonte atyre siguri në rrethinën e tyre, e të mos frikësoheshin nga bashibozukët e rradhës të kësaj apo asaj partie.

Kuptova që intelektualët e vërtetë të këtij populli, janë ckyqur nga politika sepse është e lodhshme në një hapësirë dhe në një rrethinë si kjo që është krijuar 20 vitet e fundit në këtë vend. Por guximi aty ku mungon, duhet të krijohet. Këta intelektualë të mirëfilltë duhet të dalin në pah dhe të krijojnë këtë alternativë të vërtetë të re politike për të gjithë shqiptarët e këtij vendi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button