Venezuela mbylli kufijtë me Kolumbinë

Venezuela mbylli kufijtë me Kolumbinë fqinje për 3 ditë, në përpjekjen për të luftuar bandat e trafikimit që akuzohen nga presidenti Nicolas Maduro për shkaktimin e krizës ekonomike në vend.

Shumë produkte të subvencionuara nga qeveria socialiste e Venezuelës, përfshirë naftën dhe benzinën, shiten me çmime tepër të larta përtej kufirit në Kolumbi, njofton Top Channel.

Qeveria e Venezuelës lajmëroi më herët se do të tërheqë nga qarkullimi kartëmonedhën me vlerën më të madhe në vend brenda 72 orësh për të luftuar kontrabandën dhe mafien.

Bëhet fjalë për kartëmonedhën 100 bolivar, e cila për shkak të inflacionit të lartë vlen vetëm 2 cent të dollarit amerikan dhe që sipas bankës qendrore përbën thuajse gjysmën e kartëmonedhave në qarkullim.

“Le ta shkatërrojmë mafien përpara se ajo të shkatërrojë vendin dhe ekonominë tonë. Kjo masë ishte e pashmangshme, ishte shumë e nevojshme”.

Edhe në gusht të 2015-s, Venezuela mbylli pjesën më të madhe të kalimeve kufitare, duke i rihapur pjesërisht një vit më vonë. Në atë rast qeveria kolumbiane u ankua se nuk ishte konsultuar apo informuar për një hap të tillë që i shkaktoi probleme të mëdha njerëzve që jetojnë apo punojnë në qytetet kufitare.

Të dyja palët arritën një marrëveshje për të bashkëpunuar në luftimin e krimit dhe kontrabandës përgjatë kufirit prej 2200 km. Këtë herë, Maduro premton t’i rihapë kufijtë pas 72 orësh, pasi kartëmonedha 100 bolivar të mos jetë më e vlefshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button