Intelektualët e militantët e qytetit

Qyteti shpesh duket si një gërmadhë. Mund të kuvendosh vetëm me objekte e përmendore dhe të këndosh apo vajtosh me tingujt e lumit që rrjedh aty. Ky nuk është qytet. Qyteti merr kuptimin e tij, vetëm atëherë kur zhvillohen aktivitete qytetare, si lojëra, shfaqje, seminare, koncerte, protesta e manifestime të ndryshme. Tifozit të qytetit i duket i vdekur qyteti, nëse nuk ka në fundjavë ndeshje, si lexuesit që i duket i vdekur qyteti që nuk promovon libra të rinjë, ashtu si shikuesit të teatrit e kinemasë që i duket qyteti i vdekur nëse nuk ka premiera. Kështu qyteti pa aktivitete nuk ka kuptim, ngjashëm edhe jeta në të. Qytetet e tilla, të shndërruar në gërmadha, nuk i ngjajnë as muzeut, i cili së paku ka vizitorë e punëtorë.

Qyteti pa qytetarë është i vdekur. Këtij i japin kuptim qytetarët, të cilët atë e llogarisin si hapësirë ku duhet të zhvillohen aktivitete në çdo moment e vend brenda e jashtë institucioneve, brenda e jashtë orarit të punës. Qytetarët e tillë janë definicion për intelektualin, antipodi i të cilit është militanti.
Intelektuali beson se të menduarit dhe të vepruarit nuk kanë kufij, ndërsa militanti është i kufizuar në të menduar e në të vepruar. Shpeshherë militanti as nuk mendon e as nuk vepron, derisa intelektuali i bën të dyjat. Intelektuali ka intelekt e guxim njëkohësisht, ndërsa militanti vetëm njërën, edhe atë përkohësisht. Militanti kur mendon, nuk ka guxim të shprehet; kur shprehet, nuk mendon, por citon partinë. Derisa militanti ka guxim, por nuk ka intelekt, derisa qytetari ka intelekt, por nuk ka guxim; te intelektuali do të gjejmë edhe guximin edhe intelektin. Në momentin kur militantit të guximshëm do t’i rritet intelekti e qytetarit me intelekt do t’i rritet guximi, do të kemi drejtësi në këtë vend. Thjesht, do të kemi më shumë intelektualë.

Intelektuali është qytetari më aktiv në qytet (polis), derisa militanti bën aktivitete parciale (partikualarizëm, parti) në rrafshin kohor, hapësinor dhe ideologjik në qytet. Thjeshtë, intelektuali është për një qytet (polis) politik, ndërsa militanti për një partizim të tij. Prandaj militanti vepron vetëm në shtabe partiake e në fushata parazgjedhore, derisa intelektuali vepron para e pas fushatave, jashtë shtabeve. Intelektuali nuk e ndryshon flamurin partiak çdo vjet, por lufton ta ngre të përhershmin çdoherë.
Partitë kanë frikë nga intelektualët, militantët kanë frikë nga partitë. Intelektuali është mbi partinë, militanti nën partinë; intelektuali e ndryshon partinë, partia e ndryshon militantin; intelektuali është në shërbim të shoqërisë, ndërsa militanti në shërbim të partisë. Intelektuali kritikën e llogaritë si këshillë, ndërsa militanti si ofendim, prandaj intelektuali vazhdimisht këshillon e nuk ofendon, ndërsa militanti ofendon e nuk këshillon. Intelektuali këshillon sepse është optimist për ndryshim, ndërsa militanti ofendon sepse është pesimit për ndryshim.

Shoqëria e humb ekuilibin, kur intelektualët ‘flasin me dorza’, e militantët ‘punojnë me dorza’. Kështu, partia e ka mësuar militantin se pa vjedhë nuk bëhesh i pasur; pa dhënë ryshfet, nuk bëhesh biznesmen; pa dallavere, nuk bëhesh i suksesshëm; pa ble nota, nuk diplomon; pa gënjyer, nuk je gazetar; pa tradhtu, nuk je në pushtet; dhe me drejtësi, do të fitosh shumë armiq. Kështu humb drejtësia e zhvillimi në shoqëri, sepse jemi ngopë me militant, derisa kemi nevojë si asnjëherë më parë për intelektualë. Militanti gjithmonë e do partinë, ndërsa intelektuali drejtësinë.

Partitë kanë nevojë për militantë. Fatkeqësisht, në politikë bëhen militantë të rinjë, në vend se ata të sjellin politika të reja. Kështu, të rinjtë akoma pa u pjekur, po digjen duke u bërë militantë të partisë. Partia i do të rinjtë për militantë, sepse ata kanë ‘këmbë, e nuk kanë kokë’, për dallim prej të moshuarve që kanë ‘kokë, por nuk kanë këmbë’. Militanti nuk ka nevojë të mendon, sepse partia mendon, por duhet të veprojë, sepse partia nuk vepron. Kësisoj, partitë me organizatat e studentëve dhe nxënësve, tentojnë të rekrutojnë të rinjë nën ombrellën e partisë. Partitë besojnë se militantin mund ta formojnë para se te formojë personalitet, para se të di çka është e mira dhe çka është e keqja, pra se të bëhet intelektual.

Militanti nuk brengoset pse i ndalin fjalën, por pse i ndalin pagën; intelektuali nuk brengoset pse i ndalin pagën, por pse i ndalin fjalën. Intelektuali jep gjithçka për liri e drejtësi, prandaj jo rastësisht heronjtë janë intelektualë, e jo militantë. Intelektuali reagon kur rrezikohet populli, ndërsa militanti kur rrezikohet partia. Militantët janë për ‘shprehjen e fjalës së lirë, kurse intelektualët për ‘lirinë e shpreshjes së fjalës’. Kështu, militantët vazhdimisht janë të prirë për të krijuar diktatorë, ndërsa intelektualët për të vrarë ato.
Militanti është komod me çdo pushtet, si laviret pa dallim gjinie që i nënshtrohen çdo pushteti. Paraja, si formë e pushtetit, ka arritur që shumë qytetarë t’i bëjë militantë. Kështu, kemi parë shumë figura publike të shndërruara në militantë duke mbrojtur çdo ide e subjekt, pa marrë parasysh interesin e shoqërisë. Ai mbron çdo ide të politikave ndërkombëtare, sulmon politikat kombëtare; mbron idetë e ndryshme (a)fetare, bëhet ambientalist, feminist, mbron idetë për degjenerim të shoqërisë, dhe çdo projekt të ngjashëm, vetëm se projektet e tilla financohen, pavarësisht a janë në dobi të shoqërisë. Kështu, jo gjithë apartiakët janë intelektualë, sikurse gjithë intelektualët nuk janë apartiakë.
Intelektualit i vjen turp të tregojë se ka diplomuar pas lufte, ndërsa militanti krenohet se e ka diplomuar partia.

Militantit nuk i pëlqen të jetë i informuar, ndërsa intelektuali vazhdimisht është duke lexuar, sepse nuk dëshiron të jetë i manipuluar. Militantët vlerësojnë në bazë të partisë, intelektualët në bazë të parimit. Kështu, gazetari e shkrimtari i mirë për militantin është çdonjëri që shkruan mirë për partinë, ndërsa i keq ai që kritikon partinë e tij. Intelektuali mendon se ‘është mirë kur është mirë Shqipëria’, ndërsa militanti mendon se ‘Shqipëria është mirë, kur militanti të jetë mirë’.
Militanti çdo ditë e vret dëshmorin duke i shkelur idealin, ndërsa intelektuali çdo ditë e kujton amanetin e dëshmorit. Militanti nënçmon gjakun e dëshmorit, intelektuali mbron emblemën e dëshmorit. Intelektuali vazhdon rrugëtimin e dëshmorit, derisa militanti nuk viziton as varrin e dëshmorit.
Intelektualët, sikur dëshmorët, gjithmonë do të mbesin heronjë. Heroizëm është të bësh diçka më shumë se sa ajo që e ke për obligim të bësh. Heroi prish komoditetin individual që e ka, për të krijuar atë kombëtar. Atëherë komoditeti nuk është privilegj vetëm për pushtetarët, por një e drejtë e çdo qytetari. Kështu, intelektualët shndërrohen në heronjë duke dhënë gjithçka për Shqipërinë, ndërsa militantët shndërrohen në servilë duke dhënë gjithçka për partinë. (FUND)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button