Propagandë parashikuese

[Recension:Zhurnal eksluzivisht mëson: BDI merr ministrinë e financave në Qeverinë e ardhëshme]

Ky tekst është i atij lloji, që të bën të kruash kokën dhe të habitesh se si mund të arrijë propaganda dhe gënjeshtra aq larg. Një portal ku shpeshherë botohen tekste në interes të partisë shqiptare në pushtet del dhe siguron lexuesit për ekskluzivitetin se Bashkimi Demokratik për Integrim do të marrë Ministrinë e Financave. Ku është garanca për këtë lajm? Në faktet dhe burimet sigurisht se jo.

zhurnal-eksluzivisht-meson-bdi-merr-ministrine-e-financave-ne-qeverine-e-ardheshmeLinku deri te artikulli origjinal: Zhurnal eksluzivisht mëson: BDI merr ministrinë e financave në Qeverinë e ardhëshme

Data dhe koha e publikimit: 30.11.2016

Data e recensionit: 03.12.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi Arifi

Si mund të japim konstatime aq të lehta për raste të tilla siç është përbërja e qeverisë së re në kontekstin e ndërlikuar politik në Maqedoni, edhe atë akoma pa përfunduar zgjedhjet?  Në tekst thuhet se financat do të udhëhiqen nga një ministër shqiptar, edhe atë duke e ditur dobësinë e shqiptarëve për ndarjen e buxhetit dhe ankesat për diskriminim të vazhdueshëm. E  gjithë kjo shkruhet vetëm duke u bazuar në burime anonime.

“Ndonëse kohë më parë Zhurnal raportoi se nga ndarja e tre posteve kryesore të drejtimit të vendit partisë shqiptare në pushtet do i takojë kreu i Parlamentit, ekskluzivisht Agjencia e lajmeve Zhurnal mëson se edhe thesari i vendit e më saktësisht ministria e financave pritet që të drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim”

Ja, të themi që pas 12 viteve në pushtet të kësaj partie, paska ardhur koha që të marrë Ministrinë e Financave? Duke e ditur historikun e qeverive dhe koalicioneve qeverisëse në Maqedoni, vështirë është të bindësh dikë se kjo ministri, aq e rëndësishme për shtetin por edhe pushtetin, do mund t’i lihej në dorë një partie shqiptare. Por që të mos jem shumë subjektive, do të analizojmë më shumë tekstin e shkruar nga Zhurnal. Ky portal nuk ka lëshuar mundësinë për të lavdëruar partinë shqiptare në pushtet  se deri më tani ka marrë shumë ministri të rëndësishme, por se tani do ti marrë edhe financat.

Sipas burimeve të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal, zgjedhjet e 11 dhjetorit duket se do sjellin shumë ndryshime në kampin politik në vend ndërkohë që shqiptarët pritet të jenë ndër më fituesit sa i përket ndarjes së pushtetit edhe pse deri më tani kanë qëndruar mirë me drejtimin e resoreve të ndryshme qeveritare, njofton Zhurnal

Gazetari na hoqi një barrë prej zemre. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit “kur do të fitojë BDI-ja”, siç pretendon autori, problemi i shqiptarëve me ndarjen diskriminuese të buxhetit po marrka fund.

“Ndryshe, gjatë gjithë kohës partitë shqiptare në pushtet janë kritikuar në atë se ndarja e buxhetit nga kjo ministri nuk është bërë në favor të shqiptarëve, duket se edhe problematika e këtij dikasteri pas 11 dhjetorit do të merr fund”

Sa shumë gjëra të thëna, por askund vlerë, gazetari e mirëfilltë. Ky tekst mund të dukej shumë ndryshe, ose të mos shkruhej fare, pasi nuk ka asnjë element besueshmërie që të tërheqë lexues me to, e jo vetëm me joshje të rrejshme. Nuk është çështja vetëm të mblidhen klikime dhe simpatizues për partinë, interesin e të cilës mund të mbrojë një medium, por duhet të respektohen edhe disa parime, pa të cilat “nuk bën hiç” të shkruhen tekste.

Kodeksi i Gazetarëve të Maqedonisë u thotë gazetarëve që të botojnë vetëm informata të konfirmuara dhe të besueshme.

  •  Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale ose të falsifikojë dokumente.
  • Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar.
  • Saktësia e informatës duhet vërtetuar aq sa është e mundur.
  • Gazetari do të cekë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon që të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë atë- 

Kjo nuk duhet të merret ashtu siç është thënë tekstualisht. Burimi ruhet kur raportohet për shembull për krim ose korrupsion, ku kriminelët e zbuluar mund ta dëmtojnë burimin. Por, çfarë rreziku ka gazetari ta tregojë burimin për një lajm lavdërues?

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button