Në politikë ende “kolliten” burrat, duhet të thyhen stereotipet (VIDEO)

Analiza për përfshirjen e grave në politik dhe kujdesin e programeve politike për t’i avancuar gratë, me theks të veçantë në fushatën parazgjedhore- që po vijon, ka ngjallur debat në opinion, shkruan Portalb.mk.

Pollozhani: Partitë politike, deri më tani nuk kanë kontribuar aspak për pozitën e gruas në shoqëri

Lura Pollozhani, asistente universitare në Qendrën për Studime të Europës Juglindore pranë Universitetit të Graz-it në Austri, vlerëson se çështja me përfaqësimin gjinor dhe me politikat gjinore është më e thellë nga ajo që duket.

“Një aspekt është aspekti numerik, gjegjësisht, sa femra ka në politike, sa ka në ekzekutiv, sa femra në politikën lokale, dhe kështu me radhë. Tjetri aspekt, më i rëndësishmi, është sa kanë punuar partitë politike në ballafaqimin e stereotipeve gjinore dhe në krijimin e vërtetë të mundësive të femrave në qasje në politikë, në jetë publike dhe në jetën profesionale. Përderisa disa parti kanë krijuar politika në programet e tyre për të avancuar pozitën e femrave në politike, ku BDI dhe LSDM kanë programe më të qarta sipas organizatës Reactor, parashtrohet pyetja se çfarë ndodh jashtë programit. Shumica e mitingjeve politike janë të mbushura me burra dhe jo me gra, në takime nëpër shtabe politike që postohen në Facebook nga politikanë të ndryshëm dominon gjinia mashkullore. Kur i shohim liderët e partive politike, shumicën e rasteve janë të rrethuar me shumë burra tjerë, i vetmi përjashtim që më vjen mua në mendje do të ishte Shekerinska, por edhe ajo shpesh duket e vetmuar”, tha për Portalb Pollozhani.

Sipas saj, kjo do të thotë që partitë politike deri më tani nuk kanë kontribuar pothuajse aspak në zgjidhjen e problemit të participimit të grave. Pollozhani porositë që ky ndryshim duhet të fillojë që nga shkollat fillore, që nga edukimi dhe arsimimi i vajzave.

“Një hap për partitë politike do të ishte që kjo temë të diskutohet haptazi dhe jo vetëm të vihet në programe, por te dëgjojmë si liderët politikë flasin për gratë dhe si ata do t’i përfshinin më shumë. Programet politike në Maqedoni nuk janë të famshme për faktin që implementohen, nëse duhet t’i besojmë partive që janë serioze për barazinë gjinore, atëherë duhet të shohim më shumë vepra”, përfundoi Pollozhani.

Rashidi: Femrat duhet të jenë më të “ashpra” në kërkesat e tyre

Gazetari dhe njohësi i rrethanave politike në vend, Nazim Rashidi, konsideron se vota e femrës sa vjen e bëhet më determinuese por nga ana tjetër disa herë vulgariteti i fushatave, bën që të ketë një zmbrapsje. Por, potencon ai, më shumë se sa një ankesë nga ana te tyre mendoj se vetë femrat duhet të jenë më agresive.

“Kur e them këtë nuk është se duhet të hiqet përgjegjësia e meshkujve, por ajo që nuk shoh është reagime të ashpra nga femra, shoqata grave, kur ndodhin diskriminime gjinore. Heshtja e tyre në disa raste duket se ata pranojnë “nënshtrimin” gjinor si një fakt. Nga ana tjetër, me ndryshimin e brezave dhe rritjen e numrit të femrave të edukuara, adresimi ndaj nevojave të tyre do të dalë më shumë në sipërfaqe. Në këto zgjedhje kjo mbase nuk duket aq qartë, sepse të tjera tema dominojnë fushatën që kanë të bëjnë me krizën, por shumë shpejt do shohim çështje dhe politika që do ti drejtohen kësaj pjese të popullsisë. Kjo edhe për një arsyeje, sepse në disa analiza në zgjedhjet e kaluara është vlerësuar se vota e femrës ka përcaktuar fituesit, sidomos në zgjedhje lokale”, deklaroi për Portalb Rashidi.

Ozimec: Ende meshkujt e kanë fjalën kryesore në politikë

Kristina Ozimec, gazetare, bazuar në analizën e Reactor, thotë se femrat përsëri marrin rol dytësor në politikë dhe përfshirje, veçanërisht në vendet më të larta në parti dhe shtet.

“Zgjedhjet para nesh po e dëshmojnë këtë- vetëm 4 femra do të jenë bartëse të listave për deputet. Ky është tregues se në Maqedoni edhe më tutje, me përjashtime, ende meshkujt e kanë fjalën kryesore në politikë. Femrat janë të interesuara për ndikim të barabartë dhe pjesëmarrje në politikë, por në vet partitë po mbizotëron një ambient tjetër, në disa raste shoviniste, ku femrat më vështirë vinë në pozita të larta ose funksione kyçe dhe kanë më shumë pengesa se sa meshkujt”, deklaroi për Portalb Ozimec.

Nga 58 lista të kandidatëve vetëm në katër lista femrat janë bartëse (LSDM, Partia Liberale, E majta dhe Lidhja Demokratike). Nga 9 programet e kësaj analize, vetëm dy programe politike përfshijnë fjalor senzitiv gjinor (E Majta dhe Partia Liberale), ndërsa programet tjera nuk përdorin fjalor senzitiv gjinor.

“Nga analiza e programeve, LSDM dhe BDI në raport me programet tjera më së shumti e kanë përfshirë aspektin gjinor në agjendat e tyre. Agjendat e këtyre dy partive propozojnë masa për përforcimin e gruas në ekonomi, ballafaqimin me dhunën ndaj grave dhe përfshirje më të madhe në vendimmarrje, por kanë edhe aspekte tjera të përfshira në të njëjtat. BDI, për shembull, propozojnë masa me të cilat femrave u garantohet qasje e barabartë në trashëgimi, si dhe sjellje të studimeve gjinore në universitetet private dhe shtetërore. LSDM në programin e saj politik parasheh gradimin e mekanizmave institucional për barazi gjinore nëpërmes formimit të Sekretariatit për barazi gjinore në Qeverinë e Maqedonisë që do të kujdeset për perspektivën gjinore në krijimin e politikave dhe buxhetit në nivel nacional dhe lokal”, thuhet në analizë e Reactor.

Në programet politike nuk ekzistojnë masa konkrete për arritjen e këtyre qëllimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button