fbpx

Partitë “nuk i duan” gratë në politikë

Deklarata për ratifikimin e Konventës së Stambollit të përgatitur nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe Dhunës familjare, me të cilën partitë obligohen që kur të vinë në Qeveri duhet ta ratifikojnë, nuk është nënshkruar nga VMRO-DPMNE dhe BDI, raporton Portalb.mk.

Ky informacion është raportuar sot nga OJQ Reactor, pas publikimit të analizës së Reactor-it për aspektin gjinor në programet politike të partive politike.

Analiza gjinore e programeve të partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit është bërë me qëllim që të vlerësohet perspektiva gjinore gjatë përpilimit të programeve politike të partive politike.

VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Partia Liberale, Lidhja Demokratike, “E majta”, Lëvizja Besa dhe Uniteti janë partitë që janë përshirë në analizë. Programet e VMRO-DPMNE-së, PDSH-së dhe PPD-së nuk kanë qenë pjesë e analizës për faktin se programet e tyre nuk kanë qenë të publikuara.

“Nga analiza e programeve, LSDM dhe BDI në raport me programet tjera më së shumti e kanë përfshirë aspektin gjinor në agjendat e tyre. Agjendat e këtyre dy partive propozojnë masa për përforcimin e gruas në ekonomi, ballafaqimin me dhunën ndaj grave dhe përfshirje më të madhe në vendimmarrje, por kanë edhe aspekte tjera të përfshira në të njëjtat. BDI, për shembull, propozojnë masa me të cilat femrave u garantohet qasje e barabartë në trashëgimi, si dhe sjellje të studimeve gjinore në universitetet private dhe shtetërore. LSDM në programin e saj politik parasheh gradimin e mekanizmave institucional për barazi gjinore nëpërmes formimit të Sekretariatit për barazi gjinore në Qeverinë e Maqedonisë që do të kujdeset për perspektivën gjinore në krijimin e politikave dhe buxhetit në nivel nacional dhe lokal”, tha Damjan Zdravev nga Reactor.

“Te partitë më të vogla, “E Majta” më së shumti u ka kushtuar të drejtave të grave punëtore, derisa Partia Liberale i identifikon femrat si protagonistë të barabartë në shoqëri. Në programin e Lëvizjes Besa aspekti gjinor nuk është i përfshirë, kurse në pjesën e programit të Unitetit për barazi gjinore kërkohet përkrahje e përgjithshme e konceptit të barazisë gjinore që do të realizohet nëpërmes: kyçje së grave në të gjitha sferat e shoqërisë nëpërmes arsimit, në politikë dhe struktura vendimmarrëse, përkrahjen e femrës në ekonomi. Në programet politike nuk ekzistojnë masa konkrete për arritjen e këtyre qëllimeve”, deklaroi Sneshka Iliq, aktiviste.

Nga 58 lista të kandidatëve vetëm në katër lista femrat janë bartëse (LSDM, Partia Liberale, E majta dhe Lidhja Demokratike). Nga 9 programet e kësaj analize, vetëm dy programe politike përfshijnë fjalor senzitiv gjinor (E Majta dhe Partia Liberale), ndërsa programet tjera nuk përdorin fjalor senzitiv gjinor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button