Helmimi institucional

Grupe nxënësish, kryesisht vajza, kanë simptome të pengesës në frymëmarrje, plogështi, dhembje në bark dhe frikë. Transportohen menjëherë në kryeqytet, ku vizitohen edhe nga ministri i shëndetësisë dhe të tjerë. Me traumat e helmimit të nëntëdhjetave, dyshimi rritet natyrshëm. Nxënësit e prekur i takojnë vetëm një ndërrese – joshqiptarët e turnit tjetër janë shëndosh e mirë. 

Nuk është Shkolla ekonomike në Gostivar, por shkolla “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë. Është tetori i vitit 2009. Në mungesë të teknologjisë në vend, analiza toksikologjike e 40 mostrave kryhet në Institutin e Forcave të Armatosura Gjermane në Berlin. Nëse i besohet gjermanëve, në mostra nuk janë gjetur gjurmë substancash toksike. Ata rekomandojnë të konsiderohet mundësia e panikut grupor. Në ndërkohë, policia ndalon dy shtetas të Maqedonisë dhe një shtetas serb lidhur me rastin. 

Një psikiatër, Ferid Agani, tani Ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, atëbotë nuk e ka përjashtuar mundësinë e panikut, duke u bazuar pikërisht në rastet e të kaluarës.    

Në shkurt 2014, një javë pas helmimit të raportuar, rasti i Gostivarit jepet si lajm i tretë ose katërt. Pas shpalljes së rezultateve mjekoligjore, krejt i mbetet familjeve. Sipas traditës, për rastin u bënë copë edhe partitë politike shqiptare, duke shprehur epërsi ndaj njëra tjetrës në shpinë të fëmijëve. 

Me gjasë, vështirë do të zbulohet se çka saktë ka ndodhur. Në opinion hedhen dy ekstreme – helmimi të ketë ndodhur vërtetë ose që krejt është pasojë e psikologjisë kolektive. Secili e beson të veten, që kryesisht varet nga përkatësia etnike. Problemi më i madh është se në një shtet, dyshimet kritike si këto zgjidhen nga institucionet, që këtu nuk gëzojnë shumë besueshmëri. Për rikujtim, jemi para periudhës zgjedhjeve dhe pas nesh kemi qindra incidente ndër-etnike, shumica pa epilog. 

Me dosjen e të nëntëdhjetave, është e kuptueshme që secili lajm ku përfshihen nxënësit dhe helmimi shkakton panik. Sot, nxënësit dhe prindërit gostivaras duhet t’i besojnë Ministrisë së Brendshme, e cila tentoi ta fshehë vrasjen brutale të Martin Neshkovskit. Me besueshmëri nuk mund të krenohet as Instituti mjekoligjor, që në shkurt 2008 e konfirmoi se në trupin e të paraburgosurit Vllado Tanevski, të gjetur të vetë-mbytur në një govatë me ujë, nuk ka pasur shenja dhune. Rasti i personit të mbytur vetë bëri bujë aq të madhe, sa që në vend arritën gazetarë të huaj për ta hulumtuar rastin e paparë. 

Si është e mundur që për një rast kaq të ndjeshëm, meqë përfshihen fëmijë, t’i besohet institucioneve të cilat edhe pa dimensionin etnik, e kanë humbur besimin të paktën një herë në katër vitet e kaluara? 

Ngjyra etnike në rastet si këto është dëshmi e mosbesimit, urrejtjes dhe racizmit të ngulitur në shoqërinë ku jetojmë. Fëmijët e helmuar ishin lajmi i ditës vetëm ditën e parë, kur menjëherë u vizituan nga Kryeministri në spital. Drejtuesit e dy partive më të mëdha shqiptare as që u prononcuan; me siguri kanë pasur çështje më madhore, duke ia lënë imtësitë si kjo zëdhënësve ose zëvendësve. 

Çmenduria kolektive, pjesë e së cilës jemi nuk është hiq më e vogël se ankthi i fëmijëve dhe familjeve të prekura në Gostivar. Duke e konsideruar të kaluarën, ka pak gjasa që drejtësia të bëjë drejtësi dhe të ndëshkohen ekzekutuesit dhe porositësit. Kjo nuk i shërben askujt, përveç atyre që manipulojnë. 

Nuk bëhet fjalë për rastin e harruar të pesë pakistanezëve, të cilët në mars 2002 u vranë tinëz prej policisë afër Shkupit si militantë islamikë, ndërsa dy vite më vonë u pranua zyrtarisht inskenimi me motive politike, pa asnjë dënim. Jo, tash flitet për fëmijët tanë, për vrasjen e Muhamedali Jasharit në oborr të shkollës, likuidimin brutal në Smilkovc, sulmet e pafund rrugëve dhe autobusëve…  

Kur një herë tolerohet vrasja pa ndëshkim, kufiri kalohet përgjithmonë, helmimet dhe dajaku bëhen lajme të zakonshme. Përtej mosbesimit ndaj institucioneve të kontaminuara, medieve histerike dhe politikanëve fodull, ajo që brengos më së shumti është rehatia me të cilën pranohet gjithçka edhe kur preken fëmijët. Përvoja e të kaluarës, fatkeqësisht nuk jep shpresë për zbardhjen e këtij rasti. Andaj, herën tjetër kur të flitet për bijtë e bijat e kombit, ardhmërisë së vendit, vlen të paktën të kujtohet se realiteti i tyre uzurpohet nga ata që përfitojnë edhe nga helmimi, në çfarëdo qoftë mënyre dhe gjuhe. Qëllimi nuk ndryshon kurrë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button