Arabi Saudite, për herë të parë një grua në krye të një gazete

Për herë të parë në një redaksi gazete në Arabinë Saudite vendoset një kryeredaktore femër. Emërimi i Somayya Jabarti në drejtimin e së përditshmes kombëtare “Saudi Gazette” mund të vlerësohet si nisja e një epoke të re.

“Duke qenë femra e parë saudite që marr këtë pozicion, është një përgjegjësi e dyfishtë. Çdo veprim i imi do të ketë impakt në karrierën e grave të tjera arabe”, ka komentuar Jabarti për rrjetin televiziv “Al Arabiya”.

Më pas drejtuesja e sapo zgjedhur e “Saudi Gazette” ka shtuar se “suksesi i saj nuk do të jetë plotësisht i kompletuar derisa gazetare të tjera do të arrijnë të marrin poste menaxheriale”.

Përpara saj, në krye të gazetës ishte Khaled Al Maina, një nga gazetarët më të njohur dhe poliedrik të rajonit.

“Me krenari po i lë komandën një kolegeje femër”, ka shkruar Al Maina në letrën e hapur drejtuar lexuesve të tij, duke nënvizuar se nuk ishte një “çështje gjinore” që e çoi në emërimin “historik”, por “meritat” e saj.

Drejtuesja e re, e ka nisur karrierën e saj gazetareske në vitin 2003 dhe ka punuar për nëntë vjet në redaksinë e “Arab News”, ku ka mbajtur pozicione të ndryshme përfshi atë të zëvendës-drejtorit.

Lajme të ngjashme

Back to top button