Filloi ndërtimi i sekcionit të tretë të largpërçuesit Vërtok-Tetovë

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i kompanisë MEPSO Sinisha Spasov sot qëndroi për vizitë pune në rajonin e Pollogut, ku shënoi fillimin e ndërtimit të sekcionit të tretë të largpërçuesit me transmetim të dyfishtë 110 kV,  HEC Vërtok-TS Tetovë, në afërsi të fshatit Bërvenicë. 

Bëhet fjalë për një nga projektet infrastrukturore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i financuar nga një kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, e që përbëhet nga tre sekcione të pavarura me një gjatësi të përgjithshme prej 33 km. Kostoja totale e investimit në këtë projekt është rreth 3 milion euro, ndërsa realizues i punimeve është kompania EMO-Ohër. Deri tani është bërë furnizimi dhe instalimi i pajisjeve në vlerën e 82.5 për qind nga vlera totale e investimit. 

“Do të doja të theksoj se është realizuar edhe blerja e pajisjeve të reja primare dhe sekondare në vlerë prej 1.270.000 euro për stacionet e transmisionit 110 kilovoltëshe: Jugohrom, Tetova 1, Tetova 2, Gostivar dhe Vërtok. Janë zëvendësuar me pajisje të reja të tensionit të lartë stacionet ekzistuese, investim ky që ndjeshëm rrit sigurinë e centraleve që janë pjesë e rrjetit të transmisionit. Sipas planit të realizimit parashihet që linja e transmetimit plotësisht të ndërtohet dhe vehet në veprim në shtator të këtij viti”, tha Ministri Saraçini, duke shtuar se përfundimi i suksesshëm dhe ndërtimi i shpejtë i gjithë linjës do të kontribuojë në përmirësimin e tensionit në rajonin e Pollogut në përgjithësi, si dhe në sigurimin e shpërndarjes cilësore dhe në kohë të energjisë elektrike për konsumatorët në këtë rajon. 

“Përveç për qytetarët, ky projekt është po aq i rëndësishëm edhe për komunitetin e biznesit në Pollog, sepse ofrimi i energjisë elektrike cilësore është i domosdoshëm edhe për të gjithë investitorët aktual dhe ata potencial në të ardhmen në komunat e Tetovës dhe Gostivarit si dhe në rrethinat e tyre” tha Ministri Saraçini gjatë vizitës. 

Në këtë fazë të tretë finale, do të ndërtohen 38 shtylla, ndërsa pritet që ndërtimi të përfundojë deri në vjeshtë të këtij viti, kur nën tension do të vëhet i tërë largpërçuesi me 133 shtylla grilë çeliku. Nga MEPSO informuan se instalimi i dy sistemeve për transmetimin e energjisë elektrike, mundëson kapacitet dy herë më të madh, dhe kështu zgjidhet furnizimi me energji elektrike në Pollog për dhjetë vitet e ardhshme. 

“Me qëllim që të përmirësohet tensioni në rajonin e Tetovë ne formuam një unazë, kështu që përveç largpërçuesve Vërtok-Tetovë, në periudhën nga fundi i prillit dhe fillimi i majit do të fillojë ndërtimi i largpërçuesit 110 kilovoltësh në linjën aktuale Shkup-Jugohrom-Tetovë me gjatësi prej 48.6 km, dhe me një investim prej 3.900.000 euro”, tha drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Sinisha Spasov.

Lajme të ngjashme

Back to top button