Armiku i poshtërsive njerëzore

Konsiderohet mendja më e ndritur e shekullit të shtatëmbëdhjetë. Emrin e vërtetë e kishte François-Marie Arouet (1694-1778), por u bë i njohur me pseudonimin Volter.

Qe i hajthëm për nga shëndeti, i dobët fizikisht, por me inteligjencë gjeniu. Si tre vjeçar dinte shumë fabula të Lafontenit, ndërsa si dhjetëvjeçar ra në sy me mendimet e mprehta dhe atipike për moshën.

Nisi të shkruajë herët vargje. Këtë e vërejti një zonjë e pasur e kohës, e cila i la trashëgim një sasi të konsiderueshme parashë për t’i blerë libra. Vargjet ishin më therra të mprehta – satira të fuqishme, dushe të akullta për ekselencat e pushtetit dhe të fesë, në duart e të cilëve dergjej fati i gjithë të tjerëve…

Është i njohur udhëtimi i tij për në Holandë, bashkë me një ambasador – ish mësuesin e tij jezuit, prej nga e përzunë për shkak të skandalit me një femër. Me një rast, u zu rëndë edhe me babain e tij, aq sa ai kërkoi arrestimin e të birit.

Në vitin 1714, kur vdiq Luj XIV, duke dyshuar se Volteri shkruan pamflete kundër regjimit të vjetër, e burgosën për muaj të tërë. Këtë kohë ai e kaloi duke punuar si letrar.

Volteri është autori i tragjedisë Edipi, të luajtur nga trupat teatrore të kohës. Në sajë të shkrimeve të nduarnduarshme, ai bëri emër të shquar, por bëri edhe shumë armiq të përbetuar, për çka e dëbuan nga Franca.

Një kohë u dha pas parasë dhe jetës mundane. Rendi shumë pas grave, por edhe pas letërsisë, shkencës dhe teatrit…

Veprat e bënë anëtar të Akademisë franceze, por ai nuk u kënaq me kaq dhe nisi ta lakmojë oborrin mbretëror. Kjo lakmi e shtyri ta shkruajë veprën Oborri i lavdisë, me të cilën deshi t’i ligavitet dhe t’ia bëjë qejfin mbretit. Me këso marifetesh ia doli t’i afrohet oborit të Fridrihut të madh, por pas një kohe mbreti e përzuri nga Pruska, madje e burgosi.

Pas kësaj iku të jetojë në Zvicër, në afërsi të kufirit me Francën, ku, për shkak të shkrimeve, u bë i papërshtatshëm dhe u ballafaqua me autoritetet e pushtetit. Kjo e shtyri t’i futet biznesit. Hapi një fabrikë çorapësh dhe orësh, me të cilën, përkundër të gjitha dyshimeve, pati sukses të konsiderueshëm.

Janë të njohura dhe me ndikim të jashtëzakonshëm shkrimet e guximshme të Volterit për të drejtat e vegjëlisë dhe ato kundër klerikëve amoralë, të cilët e keqpërdornin fenë dhe e predikonin ashtu siç u levërdiste. Veprat e tij hapën dyert e arsyes njerëzore dhe shkundën nga themelet mendësinë mesjetare të Evropës. Ai e kuptoi shumë herët se në emër të fesë dhe të Zotit ishin bërë e bëheshin krimet më monstruoze historike…

Vepra e Volterit pati ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e gjenive të mëvonshëm të kontinentit evropian. Ata e frymëzuan edhe shkrimtarin e madh shqiptrar Faik Konicën, jeta dhe vepra e të cilit ka shumë pikëtakime me atë të gjeniut francez. Ata janë të ngjashëm për nga intelekti, formimi në frymën e jezuitëve…, ndjenja e superioritetit ndaj të tjerëve, ndjekja nga regjimet anakronike, fryma e lirisë, përçmimi i madhështive të betonuara në mendjen e masave popullore, fryma e zjarrtë e polemikave, sfidimi i principeve të vjetra të vlerësimit, e vërteta, toleranca, satirat e fuqishme që shpërfaqin kalbësitë e kohës, puna e pandërprerë…, lufta për mendimin e lirë, laicizmi, lufta kundër fanatizmit fetar, aftësia e shkrimit të mendimeve të koklavitura me gjuhë të kapshme e të rëndomtë, konciziteti dhe preciziteti në të shprehur…

Volteri, qe njeri gjenial dhe enciklopedist i pashoq, veprat e të cilit lexohen dhe do të lexohen edhe në shekujt që pasojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button