Për shkak të “Aleksandrit”, Venizelos lë aeroplanin në Prishtinë

Ndonëse nuk e njeh Republikën e Kosovës, marrëdhëniet e Greqisë duken më të shtendosura me Kosovën sesa me Maqedoninë.

Zv/kryeministri grek Evangelos Venizelos, do të qëndrojë të enjten në Shkup, por kjo vizitë nuk do të ndodhte nëse paraprakisht nuk do të qëndronte në Prishtinë.

Zyrtari i lartë grek ka refuzuar që të aterrojë në aeroportin e Shkupit për shkak të emrit të tij “Aleksandri i Madh”, njëri nga heronjtë e shumtë që e ka përvetësuar Maqedonia, por përkatësia e tij pretendohet edhe nga shtetet tjera fqinje, posaçërisht nga Greqia.

Burime diplomatike kanë shpjeguar se Venizelos e ka lënë të mërkurën aeroplanin e tij zyrtar në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, dhe ka udhëtuar drejt Shkupit në rrugë tokësore.

Para se të udhëtojë për në Shkup, ai ka qëndruar në Qeverinë e Kosovës ku është takuar me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi dhe me ministrin e jashtëm Enver Hoxhaj. Pas takimit me liderët kosovarë, ai ka thënë se Athina zyrtare nuk e ka ndërmend që brenda pak kohësh ta njohë Republikën e Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, shteti grek është i gatshëm që ta mbështesë Prishtinën në rrugën e integrimit, në mënyrë që ta njohë shtetin e ri tek para se të jetë i gatshëm që të anëtarësohet./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button