Prindërit kërkojnë të mos përsëritet historia e librave skandaloz

Ky është viti i fundit i teksteve shkollore të cilat para pesë viteve u ndanë falas nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Ky projekt i cili u vlerësua si i suksesshëm nga ky institucion, nuk u vlerësua njëjtë nga drejtorët e shkollave dhe prindërit e nxënësve, të cilët u ankuan mjaft për gabime përmbajtjesore si dhe për kualitet të dobët.

“Deri më tani kam paguar disa libra të djalit tim, pasi që materiali ishte shumë i dobët, fletat griseshin shumë lehtë. Shpresojë që mos të ndodh edhe vitin e ardhshëm kjo gjë sepse thuhet se është projekt falas nga MASH-i, por ne shumicën e librave po e paguajmë shkaku i grisjes”, tha Adnan Hasani, prind.

Gjithashtu edhe drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku apelon që kësaj radhe të përmirësohet përmbajtja si dhe kualiteti i librave.

“Pesë vite është një periudhë e gjatë të mësohet nga të njëjtat libra me material të dobët. Mund të them se për pesë vite librat janë shkatërruar. Përveç kësaj më skandaloze është përmbajtja, ku ka gabime të shumta”, tha për Portalb, Sadiku.

Ai shtoi se gabime kishin pothuajse të gjitha librat.

“Gabime më të mëdha që u publikuan ishin librat e  historisë, gjeografisë dhe muzikës. Megjithatë gabime kishte pothuajse në të gjitha tekstet. Përkthimi është skandaloz, ai në vend se të jetë i adaptuar, ai është tekstual dhe në disa raste fjalitë nuk kanë kuptim fare”, tha Sadiku.

Shpresojmë që ky problem gjatë vitit të ardhshëm ku ne do të pajisemi me tekste të reja të përmirësohet dhe të kemi libra me përmbajtje të saktë dhe me kualitet më të lartë, shtoi Sadiku.

Ndërkaq kohë më parë zëvendës ministri i arsimit Safet Neziri si zgjidhje të këtij problemi sheh marrëveshjen për të marrë libra nga Universiteti i Kembrixhit që është në fazën e finalizimit, me ç’rast pritet të mënjanohen gabimet në tekste duke filluar nga viti i ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button