EULEX ngre akuza për korrupsion ndaj Fatmir Limajt

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë të ditur përmes një komunikate se është ngritur një aktakuzë kundër ish-ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë për krim të organizuar dhe korrupsion.

Akuza është ngritur për Fatmir Limajn, i cili ka qenë ish-ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe aktualisht është deputeti në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në komunikatë thuhet se në aktakuzën e ngritur nga një prokuror ndërkombëtar, ata dyshohen për “vepra  të ndryshme penale përfshirë–krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitos dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin”, bëhet e ditur nga “Zëri”, transmeton Shekulli.

Prokurori pretendon se tre të pandehur kanë manipuluar procedurat e tenderit dhe akuzohen për mitmarrje në lidhje me administrimin e dy tenderëve në kompetencë të Ministrisë së Transportit.  Këta të pandehur pretendohet se i kanë kryer këto vepra për përfitim material personal.

“Dy të pandehur pretendohet se janë angazhuar në keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, si edhe në veprën penale të dhënies së mitos. Sipas prokurorit, këto vepra ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it, në të cilën nuk përmenden emrat e të dyshuarve. Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890.000 euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button