Komuna e Tetovës manipulon me bruto rrogat, të punësuarit vazhdojnë protestat

Pas prononcimeve të komunës së Tetovës se nuk ka ulje të rrogave dhe se kompensimet për ushqim dhe transport janë të kalkuluar në bruto rrogë, këta pretendime  janë hedhur poshtë nga punëtorët e komunës së Tetovës të cilët më shumë se një javë protestojnë para komunës ë Tetovës. 

Sipas Adnan Nezirit, nga këshilli i protestuesve kërkesat e tyre bazohen në ligjin për nëpunës shtetëror, kryesisht në pjesën e rrogave ku në bazë të këtij ligji qartë përcaktohen detyrimet për kalkulimin e rrogave. 

“Me përgjegjësi morale dhe profesionale deklaroj se për muajin janar, janë paguar vetëm rrogat bazë, pa kompensimet ligjore për rrugë dhe ushqim. Ne kemi potencuar se në bazë të ligjeve aktuale komuna duhet të bëjë organizimin e ushqimit dhe transportin e nëpunësve dhe nëse të njëjtat nuk organizohen kjo nënkupton obligimin për kompensimin e tyre. Deklarimet për harmonizim të rrogave dhe bruto rrogave janë deklarime joprofesionale dhe nuk kanë bazë ligjore”, tha Neziri.

Kamber Sadiku, tha se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të cilët theksoi se janë ligjore ndërsa këtë do ta realizojnë përmes rrugëve. 

Nga Komuna e Tetovës kanë theksuar se vazhdojnë të ngelin në qëndrimet e deklaruara më herët se nuk ka ulje të rrogave por ka harmonizim të tyre me ligjet në fuqi për nëpunës shtetëror dhe se nuk do të ketë pezullim të vendimit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button