Mungon regjistrimi i popullsisë, a do të mungojë edhe kredibiliteti i zgjedhjeve të 11 dhjetorit?

Që nga viti 2002 regjistrimi i popullsisë në Maqedoni është vetëm shprehje. Shumë fusha mbeten të paorganizuara dhe pa perspektivë shkaku i mos-regjistrimit të popullsisë. Shqetësimi është shtuar tani kur jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe kur ka probleme me njësitë zgjedhore dhe ndryshimin e numrit të banorëve.

Sipas ish drejtorit të Entit për statistikë, Donço Gerasimovski, duke pasur parasysh faktin se statistikat janë të vjetra, del se në nuk mund të bëjmë paralele ose analiza që të përcaktojmë gjendjen faktike.

“Nëse nuk funksionojnë institucionet e sistemit, në raport me krahasimin e të dhënave, në raport me dhënien e letërnjoftimeve, në raport me renditjes territoriale, në raport me ndarjen e nënshtetësive, …etj, që të kemi proces kredibil. Lista e zgjedhësve është kategori e ndryshueshme, disa lindin, disa vdesin, të tjerë i mbushin nga 18 vjet apo shpërngulen. Sa këtë gjë e përcjellin organet kompetente. Sa MPB e përcjellë gjendjen e migrimit, ndryshimin e letërnjoftimeve..etj, që saktë të dihet gjendja në shtet? Është sistemi shtetëror ai që duhet të funksionojë. Eurostat dhe Banka Botërore paralajmëron se ka migrim të popullatës, por kush e vërteton? Sa janë, ku janë?”, kujton Gerasimovski.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në vitin 2015, rreth 516 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë jetuar jashtë Maqedonisë, që është më shumë se 20 për qind e popullsisë gjithsej. Banka Botërore ka të dhëna për gjendjen e migrimit nga vendi duke përfshirë vitin 2013. Sipas BB-së, deri në fund të atij viti, 600 mijë qytetarë të Maqedonisë janë larguar nga Maqedonia.

Donço Gerasimovski në deklaratën e tij për Portalb.mk flet për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, me theks të veçantë reflektimin në procesin parazgjedhor.

Lexo: Dimitriev përgjigjet pse nuk ka regjistrim të popullsisë në Maqedoni

“Me regjistrimin e popullsisë krijohet e ardhmja. Ju nuk do të mund të planifikoni, të prognozoni ose të bëni projektime, nëse nuk e keni bërë regjistrimin. Fatkeqësisht te ne po kalon viti 14-të pa e bërë Regjistrimin e Popullsisë. Dhe ne, tani nuk e dimë gjendjen demografike, dhe jo vetëm, por as atë etnike, arsimore, ekonomike dhe sociale. Në shumë aspekte është e obligueshme të ketë regjistrim të popullsisë që të ndihmojë aktivitete të ndryshme. Çka do të thotë kjo? Ja tani po përgatiten zgjedhjet parlamentare dhe në këtë periudhë duhet të dihet numri i banorëve, të caktohet mosha e tyre, për të ardhur deri te numri i zgjedhësve. Në shumë vende  kemi banorë që kanë migruar, kemi vende që po zbrazen, .. etj”, deklaroi për Portalb Gerasimovski.

Lexo: Maqedoni, nuk dihet sa banorë ka, e aq më tepër të ketë listë të sigurtë votuesish

Ai nënvizon se është e nevojshme që institucionet, qeveria, kuvendi, … të sjellin ligje që do të ndikojnë mbi kredibilitetin e asaj që bëhet në shtet.

Enti i statistikave evropiane – EUROSTAT ndërkohë publikoi se në periudhën nga viti 1998 deri më 2011, nga Maqedonia janë larguar rreth 230 mijë qytetarë, pjesa më e madhe të rinj.

Sipas KSHZ-së në listën e zgjedhësve janë evidentuar 1.783.715 persona me të drejtë vote.

Në Republikën e Maqedonisë regjistrimi i popullsisë nuk është bërë që nga viti 2002. Еdhepse disa herë është përmendur, akoma nuk ka asnjë vendim konkret në këtë drejtim./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button