BDI-ja refuzon ofertën e PDSH-së, pret përgjigje nga VMRO-ja

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në një konferencë për shtyp i është përgjigjur publikisht ofertës së PDSH-së, duke e konsideruar atë si një ofertë e cila nuk është përputhje me frymën e pluralizmit politik.

“Oferta e PDSH-së, nuk është në frymën e pluralizmit politik, një gjë të tillë nuk e lejojnë këto parime, sipas të cilëve çdo subjekt duhet të garojë me platformën e vetë”, tha Bujar Osmani.

Sipas tij, BDI-ja është e gatshme të bisedojë vetëm për kornizën zgjedhore dhe kornizën e procesit integrues.

“Presim përgjigje formale nga VMRO për shkak se vlerësojmë se të gjithë duhet ta dinë se cili është qëndrimi i partive politike për konsensualitetin në Maqedoni në këtë periudhë historike. Si alternativë në rast se dështon koncepti për kandidatin konsensual ne e kemi edhe mospjesëmarrjen aktive në zgjedhje, sepse ne nuk do të futemi në asnjë proces zgjedhor përderisa nuk do të definohet konsensualiteti në përcaktimin e kryetarit të shtetit, ose nëse kryetari i shtetit nuk reflekton vullnetin edhe të shqiptarëve” , deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Osmani theksoi se pavarësisht vendimit të BDI-së, ata do të bëjnë fushatë aktive në terren, qoftë për kandidatin konsensual nëse arrihet marrëveshje, qoftë për mospjesëmarrje në zgjedhje, nëse refuzohet ideja e kandidatit konsensual.

“Edhe nëse vendosim për mospjesëmarrje, ajo do të jetë mospjesëmarrje aktive, ku ne do të bëjmë fushatë aktive, për të shpjeguar se pse mendojmë se Maqedonisë tani i duhet kandidat konsensual”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

 

Lideri i PDSH-së dje kërkoi nga BDI-ja të tregojë a do ti bojkotojë zgjedhjet presidenciale.

Lajme të ngjashme

Back to top button