Ndotja e ajrit në Maqedoni, partitë premtojnë por nuk realizojnë

Me kafe të nxehtë dhe me aplikacionin “Ajri im” fillojnë mëngjeset e dimrit për banorët e Shkupit. A është dhe sa është i ndotur ajri sot është pyetja të cilën e bëjmë të gjithë, si dhe çka mund të bëjmë për të përmirësuar këtë gjendje, si në Shkup ashtu edhe në qytetet tjera, njofton Portalb.mk.

Protesta për të zgjuar përgjegjësit dhe për ti vedisuar ata për situatën alarmante, ishin të organizuara në Shkup, Tetovë, Manastir dhe në vende tjera mirëpo deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Qytetarët tani shpresojnë që në programet parazgjedhore partitë politike do ti kushtojnë rendësi më shumë dhe se do të marrin masa për uljen e ndotjes.

Duke shikuar programet e partive më të mëdha politike, mund të arrijmë në konkluzion se një pjesë e madhe e projekteve janë kopjuar nga njëri tjetri. E përbashkët është ajo që për të ulur ndotjen do të arrijnë me ndarjen e subvencioneve, kredive dhe fondeve, takimeve me qytetarët si dhe edukimin e tyre.

Një pjesë e madhe e projekteve që janë parashikuar në programe vetëm zvarriten dhe premtohen në secilën periudhë parazgjedhore.

Petar Arsovski politikolog thotë se në Maqedoni shumë rrallë dikush shkon pas programeve dhe shikon si dhe sa kanë realizuar partitë.

“ Programet shpeshherë janë vetëm një pjesë e ofertës së plotë politike. Shpeshherë te ne ato nuk janë shumë precize dhe partitë politike nuk realizojnë atë që premtojnë në program. Në perëndim programet përcillen me shumë seriozitet, kurse te ne nuk është ashtu, edhe pse besoj që kësaj radhe do të ketë përjashtime. Në pjesën e ekologjisë, partitë duhet të marrin qëndrim gjeneral, dhe jo vetëm në disa pjesë”, thotë Arsovski.

Shumë projekte ngelen të njëjtat çdo vit zgjedhor

Opozita maqedonase LSDM në programin e saj shkruan për dhjetë vitet e kaluara, ku sipas saj partia në qeveri VMRO duke vrapuar pas fitimit ka harruar gjitha standardet ekologjike dhe shëndetin e popullit, dhe premtojnë që kur të vinë në pushtet do e ndryshojnë këtë gjendje

“Vizionin për kualitet më të mirë të mjedisit jetësor do ta realizojmë nëpërmjet institucioneve të pa korruptuara dhe inspektorat të forcuar të mjedisit jetësor, me kuadro të arsimuar, lehtësime doganore, financime të projekteve dhe masave nëpërmjet buxhetit, IPA fondeve dhe kredive nga BE, Evropa dhe Banka Botërore si dhe nëpërmjet partneritetit publik dhe privat”, thuhet në programin e LSDM-së

Nga aty premtojnë që për përmirësimin e mjedisit jetësor do të luftojnë nëpërmjet kompletimin të ligjit dhe planeve aksionare si dhe strategjive që shteti tani më i ka përgatitur, por edhe përgatitjeve të reja që priten të bëhen.

Në programin e opozitës është parashikuar edhe revidimi i vendimit për makinat e vjetra, si dhe regjim i ri i komunikacionit në qytetet e mëdha, që dukshëm do të ulin ndotjen e ajrit, stimulimin e transportit publik dhe vendosjen e Fondit per mjedis jetësor, si garancion që mjetet e fituar nga taksat për mjedis jetësor të jenë për projekte për përmirësimin e kualitetit të mjedisit dhe nuk do të përdorën për komoditetin e administratës.

Në programin e VMRO-së thuhet se qeveria e tyre i kushton rendësi të madhe mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe se theks i veçantë i është kushtuar shëndetit të banorëve.

“Mbrojtja e mjedisit jetësor nënkupton punë të përgjegjshme dhe marrje të disa hapave dhe masave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e mjedisit jetësor nëpërmjet konceptit të zhvillimit adekuat”, thuhet në programin e partisë në pushtet.

Partia politike VMRO parashikon ndërtimin e stacioneve pastruese për ujëra, aksione për menaxhim me mbeturinat, aksione masive për pastrimin, koncesione për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galishte, kredi për financimin e projekteve në fushën e efikasitetit energjetik. Gjithashtu parashikojnë subvencione për ngrohje me palete, gazifikim, ulje të grimcave PM10 në TEC Manastir, përpunimin e studimeve, dhe ndërtimin e një sistemi të ngrohjes në Manastir, Mogila dhe Novaci.

Ndotja e ajrit në Maqedoni po merr përmasa shqetësuese për shëndetin e njerëzve, me çrast partitë politike shqiptare filluan të premtojnë dhe të shpalosin programe se si do ta menaxhojnë këtë situatë.

platformën e BDI-së, janë paraqitur disa pika në bazë të të cilave premtohet se do të ruhet ambienti dhe do të ulet ndotja e ajrin.

“Përforcimi i kapaciteteve administrative në nivel shtetëror dhe lokal. Rruajtja e cilësisë së ajrit nga ndotësit industrial. Në bazë të ligjit për mjedisin jetësor çdo instalacion duhet të plotësojë standardet ekologjike, edhe atë duke i implementuar parimin e arritjes së teknikës më të mirë qasëse, harmonizim me implementimin e planeve operative dhe pajisjen me leje A ose B të integruar. Bashkimi Demokratik për Integrim do të insistojë në implementim të plotë të këtyre standardeve dhe obligimeve ligjore.
Në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes lokale do të përpilojmë plane konkrete për zonat e gjelbra ne komunat urbane”, thuhet në platformën e BDI-së.

Në platformën e “Rilindje me Besë” janë dhënë disa faza në të cilat do të punojë kjo parti për të përmirësuar gjendjen e ajrit në vend.

“Është paraparë që të fillojë parandalimi, eliminimi i deponive të egra, që për fat të keq janë të pranishme në të gjitha hapësirat e banuara me shqiptarë, pastaj parandalimi i ndotësve të mëdhenj industrialë (si “Jugohrom”) dhe kushtëzimi i tyre që t’i plotësojnë standardet e parapara sipas normale ligjore, duke vendosur filtra, kërkimi i llogarisë nga pushteti lokal rreth përgjegjësisë së tyre në këtë drejtim, disiplinimi i personave fizikë dhe juridikë që ndikojnë në shkatërrimin e diversitetit. Në këtë fazë është paraparë kontroll edhe i ndotësve më të vegjël lokal, lirimi i hapësirave të uzurpuara publike nga njerëz të pandërgjegjshëm dhe vendosja e më shumë stacioneve për matjen e grimcave të dëmshme kancerogjene në ajër”, qëndron në programin e “Rilindje me Besë”.

Aleanca për Shqiptarët shpreh një brengosje të thellë sa i përket ambientit jetësor aktual. Kjo lëvizje politike e ndjek me kujdes gjendjen rreth ndotjes së ajrit, sidomos në vendbanimet e banuara me shqiptare, prandaj preokupim parësor i saj do të jetë ndërmarrja e të gjitha aktiviteteve për vënien e gjendjes nën kontroll dhe tejkalimin e kësaj situate që lë pasoja afatgjate mbi popullatën e vendbanimeve me ndotje ekstreme të ambientit jetësor.

“Aleanca do t’i trimërojë të gjitha Shoqatat ambientaliste, duke ndërtuar me to raporte partneriteti, në drejtim të ndërtimit të një ambienti të shëndosh jetësor. Aleanca për shqiptarët do të angazhohet që zhvillimi të jetë në përputhje me konventat evropiane për sa i përket energjisë së ripërtrirëse, e cila e kap 20% e energjisë së përgjithshme duke mos e prishur eko-sistemin.” thuhet në Platformën e Aleancës.

Ekologët thonë që programet parazgjedhore i kanë kushtuar një pjesë ekologjisë mirëpo nuk ka asgjë përmbajtjesore që do të mund të sjell deri tek ndryshimet e mëdha në kualitetin e mjedisit jetësor.

Ekologu nga Velesi, Igor Smilev thotë se Ekologjia është më së shumti e lënë pas dore, ë nënçmuar dhe punë loje me të cilën nuk merret askush.

“Ekologjia është më e shtrenjta dhe puna më jo profitabile dhe prandaj askush nuk dëshiron të merret me të. Në këto programe politike ekologjia me mjedisi jetësor janë përmendur por nuk ka masa konkrete. Unë besoj që asgjë nuk do të ndryshohet. Partia në pushtet kishte 10 vite që të bëjë diçka për mjedisin dhe banorët, por në vend të kësaj, çdo vit shkonte në përkeqësim. E njëjta mund të thuhen edhe për opozitën e cila ka kryetarë komunash. Edhe ata nuk bënë asgjë. Përveç deklaratave boshe, unë nuk shoh asgjë konkrete.

Ai shton se nëse Maqedonisë i ngelet vetëm kriteri i ekologjisë për hyrje në BE, neve do të na duhen 7 deri në 10 vite për të plotësuar këtë kriter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button