“Bilbilfryrësi” në pullaz – qytetari kundër pushtetit

Ai tregoi se NSA-ja (Agjencia nacionale e sigurisë) dhe agjencitë e tjera të ngjashme qeveritare, nuk janë të pamposhtshme. Krimi i tyre duhet, dhe mundet, të shpaloset para syve të publikut. Ai qëndroi guximshëm përpara qeverisë më të fuqishme në botë dhe solli vendim që të mos jetë një i nënshtruar frikacak, por një qytetar i përgjegjshëm.

Shkruan: Zoran Bojarovski

Në qershor të vitit 2013, emri Edward Snowden si shpërthim e përshkoi botën. Së shpejti edhe fytyra e tij u bë e njohur. Ky djalosh i ri ka pasur kontratë në vepër me Agjencinë nacionale të sigurës së SHBA-ve (NSA) dhe qasje në sasi shumë të madhe të dokumenteve sekrete. Snowden-i i ka dorëzuar këto dokumente deri te redaksia e gazetës britanik “Guardian” dhe bota e kuptoi se NSA-ja me vite në fshehtësi i ka përgjuar dhe i ka ndjekur komunikimet elektronike të mijëra njerëzve dhe institucioneve në botë.

Menjëherë pas kësaj Snowden-i u bë bilbilfryrësi më i njohur në botë. Emri i tij dhe procedura kundër tij u bënë temë dominante në botë, në internet dhe në rrjetet sociale, e jo më pak interes treguan edhe botuesit që publikuan disa libra për fenomenin Snowden dhe për bilbilfryrësit.

Njëra nga temat që, në mes tjerash, u hap me fenomenin Snowden, ishte rëndësia e bilbilfryrësve si dukuri kundrejt pushtetit, keqpërdorimit nga ana e tij e fuqisë dhe e resurseve të shtetit që u janë dhënë për menaxhim demokratik për një periudhë prej një cikli zgjedhor.

Bilbilfryrësit janë njerëz, zakonisht të punësuar në institucione, të cilët posedojnë ose udhëheqin me një fuqi të caktuar, pa marrë parasysh se a janë private apo publike, dhe të cilët vendosin të flasin në emër të interesit publik. Bilbilfryrësit identitetin e tyre zakonisht e fshehin ose ua zbulojnë atyre që mund ta garantojnë sigurinë ose anonimitetin e tyre. Shumë shpesh ndodh që, për shkak të pakujdesisë, mosnjohjes së duhur të të drejtave të tyre, për shkak të mosvërejtjes së vendstrehimeve të vërteta për identitetin dhe sigurinë e tyre, bilbilfryrësit të ballafaqohen me sulme, urrejtje dhe mospranim, demante dhe kërcënime të cilat shpeshherë përfundojnë edhe në gjykatë. Në rastet e tilla, bilbilfryrësve u pamundësohet qasja në informata plotësuese me të cilat do të kompletohej fotografia për keqpërdorimin nga ana të fuqishmëve.

Për këto arsye, përvojat tregojnë se për të pasur efekt dhe efikasitet më të madh, më të mira janë situatat në të cilat bilbilfryrësit mbetet të panjohur deri në fund, ndërsa, informatat që vijnë prej tyre, u dorëzohen të ashtuquajturave palë të treta, zakonisht gazetarëve ose aktivistëve. Ata, gazetarët ose aktivistët, e kryejnë rolin e megafonëve, komunikuesve të informatave që kanë “rrjedhë”, ndërsa bilbilfryrësit mbeten anonimë dhe të mbrojtur, e me këtë ata kanë mundësi që të vazhdojnë me aktivitetine e tyre si “gërmues” dhe shpërndarës të informatave me interes publik. Edhe një anë e mirë e kësaj kornize parandaluese-informative për bilbilfryësit është ajo se publiku shumë më tepër fokusohet te informata, se sa te bilbilfryrësit. Për shkak se, me çdo respekt për bilbilfryrësit, qarkullimi i lirë informatave është shumë më i rëndësishëm, se sa fama e bilbilfryrësve.

Ja disa nga rekomandimet që kanë të bëjnë me bilbilfryrësit dhe me bashkëpunimin e tyre me mediet dhe aktivistët:

1. Jini jashtëzakonisht i kujdesshëm

Historia e vërteton, mirëpo siç qëndrojnë punët, sipas njohësve të rrethanave, Snowden-i arriti të nxjerrë dhe të dorëzojë sasi të madhe të informatave më të ruajtura në historinë e shërbimeve sekrete. Ky njeri dëshmoi se përveç asaj që është “nxjerrës” i mirë i informatave, ai ka qenë dhe shumë i mençur dhe jashtëzakonisht i kujdesshëm. Si e para, Snowden-i, ka pasur shkathtësi të jashtëzakonshme kompjuterike. Ai ka marrë vendim që t’i publikojë njohuritë për përgjimet e fshehta nga agjencia shtetërore dhe e ka pa pasur shumë të qartë se çka paraqet ndjekja e tillë e fshehtë e bisedave telefonike dhe e komunikimit tjetër. Kjo ka qenë njëra nga arsyet që Snowden-i ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme të sigurisë derisa i ka mbledhur dokumentet e NSA-së dhe derisa i ka shpërndarë ato. Kur ka kontaktuar me gazetarët, ai ka përdorur e-mail të sigurt. Kur është takuar me përfaqësuesit e medieve, ka kërkuar t’ua skenojë telefonat, laptopët dhe pajisjet tjera për komunikim që të kontrollojë se mos e regjistrojnë takimin e tyre dhe sa janë të sigurtë. Për shembull: para se ta fillojë bisedën me gazetarët, kushti i tij i panegociueshëm ka qenë të celularët t’i fusin në frigorifer që të pamundësohet ndjekja.

Këto shembuj janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që e ka poseduar Snowden-i si njohuri, e jo si paranojë. Shumë pak bilbilfryrës ndërmarrin masa të tilla. Kjo mund të arsyetohet edhe me dëshirën dhe me vendosmërinë e NSA-së që ta pengojë rrjedhjen e informatave. Si do që të jetë, duhet mësuar për atë se pse dhe si i ka ndërmarrë Snowden-i masat preventive.

2. Jini shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e medies ose të atyre të ciëëve do t’ua dorëzoni materialet dhe njohuritë tuaja

Snowden- ka pasur shumë kujdes dhe ka menduar për atë se kujt do t’ia japë materialet. Në rastin e tij, ai ka kërkuar ndonjë medie, redaktor ose gazetar që është mjaft autoritativ, i guximshëm dhe i paluhatshëm, që do të jetë i vetëdijshëm se çfarë materialesh pranon dhe i cili do të jetë i vendosur se do t’i publikojë informacionet, pa marrë parasysh se përballë vetes do ta ketë kundërshtarin më të fuqishëm në botë – Qeverinë e SHBA-ve. Ai ka vendosur se kjo nuk do të jetë medie amerikane. Edhe pse ka disa përvoja pozitive në historinë e gazetarisë në SHBA që lidhen me raste të këtilla, megjithatë, ka njohuri se ka edhe raste të kundërta. Për shembull: gjatë luftës së Vietnamit, e vërteta për masakrën te Mai Lej, kur ushtria e SHBA-ve ka vrarë qindra civilë të pafajshëm, u është ofruar një televizioni dhe një gazete, mirëpo ato kanë refuzuar ta bëjnë këtë. Në vitin 2004, rrjeti televiziv CBS fillimisht ka treguar interes për ta publikuar të vërtetën për torturën mbi të burgosurit irakianë në burgun Abu Graib, mirëpo më vonë kanë hequr dorë për shkak të presionit nga Pentagoni. Storja u paraqit në mediet e shtypura, ndërsa CBS, post-festum, megjithatë e publikoi tregimin.

Këto përvoja me mediet amerikane kanë qenë vendimtare që Snowden-i të zgjedhë medie britanike. “Guardian”-i edhe më parë ka qenë i njohur për nga përkushtimi që të publikojë storje hulumtuese pa marrë parasysh se kush është i përfshirë në to. U tregua se kjo ishte një zgjedhje e mençur.

3. Jini këmbëngulës

Snowden-i ka vendosur të lidhet me “Guardian”-in dhe me asnjë medie ose gazetar tjetër. Nga fundi i vitit 2012 ai ka kontaktuar me bashkëpunëtorin e jashtëm të “Guardian”-it, Glen Grinvald, i njohur për tekstet e tij jashtëzakonisht kritike ndaj qeverisë amerikane edhe atë që kanë të bëjnë pikërisht me disa afera të përgjimit dhe të ndjekjes së komunikimeve. Snowden-i i ka dërguar Grinvaldit një e-mail anonim ku i ka thënë se i ofron zbulime ekskluzive dhe ka kërkuar nga Grinvaldi që të instalojë softuer mbrojtës për komunikimin e tij me e-mail, që të pengohet çfarëdo lloj qasje e paautorizuar. Grinvaldi, i cili në atë kohë ka jetuar në Brazil, ka qenë shumë i zënë me disa projekte të tjera dhe nuk i është përgjigjur Snowden-it. Që ta inkurajojë, Snowden-i ka inçizuar edhe një video-porosi me instruksion se si duhet të instalohet softueri mbrojtës dhe pse kjo është e domodoshme. Edhe kjo nuk ka mjaftuar që të nxitet kurreshtja e Grinvaldit.

Mirëpo, Snowden-i nuk është dekurajuar. Në janar të vitit 2013, ai e ka kontaktuar Lora Poitras-in, një mike shumë të afërt dhe bashkëpunëtore të Grinvaldit. Edhe Lora ka qenë kritikuese e ashpër e politikës së sigurisë të SHBA-ve dhe personalisht ka pasur probleme me këtë. Snowden-i ka menduar se ajo do të tregojë interes dhe se pastaj do ta motivojë edhe Grinvaldin që ta pranojë ofertën e Snowden-it.

Snowden-i ka pasur të drejtë. Lora Poitras-i menjëherë e ka pranuar tregimin e Snowden-it dhe shpejt e ka bindur Grinvaldin se kanë një tregim të madh.

9190784811_a8d5b4ff6e_o
Edward Snowden. Foto: Тhierry Еhrmann, nga instalimi artistik „Abode of Chaos“ (Rezidenca e kaosit), 2013

Ky është leksioni i tretë nga përvoja e Snowden-it: të jeni këmbëngulës kur do të jeni të sigurt se e keni kanalin e vërtetë për komunikim, për informata që janë me rëndësi të veçantë për publikun. Këmbëngulja gjithmonë shkon dorë për dore me të qenit i kujdeshëm dhe me durimin.

4. Përsosni shkathtësitë komunikuese

Snowden-i është i heshtur, i tërhequr, i qetë. Njeri i paparashikueshëm. Mund ta krahasoni me llojin e njerëzve të njohur si njerëz që vazhdimisht rijnë mbi libër. Për dallim nga disa nga paraardhësit e tij, ai asnjëherë nuk ka pasur dëshirë të jetë njeri i famshëm publik. Mirëpo, edhe pse ka qenë i turpshëm dhe i tërhequr, Snowden-i shumë mirë e ka ditur se çka dëshiron të arrijë dhe çka dëshiron t’i tregojë botës. Ai ka punuar shumë në atë që ideja dhe porosia e tij kyçe të përgatitura në përsosmëri  dhe të jenë të gatshme para se të publikohen. Dhe kur e ka bërë këtë në mënyrë të qartë dhe precize, u është përmbajtur në mënyrë shumë parimore deklaratave dhe qëndrimeve të tij.

Bilbilfryrësit kanë nevojë për shkathtësi të mira komunikuese që të munden idetë dhe porositë e tyre t’i orientojnë drejt qëllimi të vërtetë, në kohën e vërtetë, në mënyrën e vërtetë dhe në kontekstin më adekuat. Shumë rrallë ndodh që informacionet që kanë “rrjedhë” të mjaftojnë vetëvetiu. Shumë me rëndësi është që bilbilfryrësit informacionet e tyre t’i komunkojnë në kontekstin adekuat që të vërehet thelbi i tyre dhe që të shmanget çfarë do lloj anshmëria ose konflikti i interesave me atë që i komunikon informacionet e klasifikuara. Shkathtësitë oratorike, poashtu, janë me rëndësi shumë të madhe kur komunikimi realizohet me gazetarët, aktivistët, përfaqësuesit…, të cilët duhet të jenë aleatët tuaj.

Shumë njerëz, si pjesë e publikut, do t’i krijojnë përshtypjet dhe mendimet e tyre për bilbilfryrësit në bazë të paraqitjes së tyre publike. Prandaj – jini të kujdeshëm dhe kushtoni vëmendjen dhe kohën e duhur këtyre shakthtësive.

5. Duhet keni plan për situatat e paplanifikuara

Snowden-i ka menduar me kujdes dhe në detaje për atë se çka dëshiron dhe si dëshiron ta arrijë këtë. Në fillim ai gazearëve u ka dorëzuar dokumente sekrete të përzgjedhura me kujdes që ta zgjojë interesimin e tyre, si dhe ta tregojë vullnetin e mirë dhe përkushtimin e tij për këtë aktivitet jofalënderues. Sepse, përndryshe kush do t’i besonte dikujt që thotë se posedon një numër shumë të madh të informatave sekrete të NSA-së që kanë të bëjnë me përgjimet dhe me ndjekjen e kmunikimeve të qindra e qindra qytetarëve dhe politikanëve nga e gjithë bota? Pasi e ka krijuar besimin, Snowden-i ka hyrë në fazën e takimeve sy më sy. Në ato takime ai i ka dorëzuar in@izimet nga bisedat e përgjuara dhe ka bërë interpretimin e tyre. Një pjesë e madhe e materialeve shpeshherë kanë qenë të përgatitura me teknologji shumë të lartë dhe të pakuptueshme për ata që nuk kanë njohuri të thella nga teknologjia.

Snowden-i e ka ditur, ka qenë i vetëdijshëm se nuk do të mbetet i pazbuluar. Të mbetet deri në fund anonim. E ka ditur se qeveria amerikane do t’i ndërmarrë të gjitha masat që ta zbulojë “bilbilfryrësin”, sapo në NSA ta vërejnë se prej diku u rrjedhin informatat. Prandaj, Snowden-i nuk ka pasur asnjë dyshim se ai vetë do të përkujdeset, në moment të caktuar, që ta publikojë identitetin e tij. Gjëja e vetme që ka bërë ka qenë ta dëgjojë këshillën e Grinvaldit dhe ta zbulojë veten e tij jo menjëherë, por disa ditë pasi janë publikuar storjet e para për bisedat e përgjuara dhe për komunikimet e ndjekura. Snowden-i ka besuar thellë se zbulimi i identitetit të tij do t’u japë kredibilitet operacioneve të zbuluara dhe ai ka qenë i gatshëm ta pranojë përgjegjësinë e plotë dhe rrezikun për sigurinë dhe jetën e tij. E ato fare nuk kanë qenë të vogla, apo të parëndësishme.

Si do që të jetë, sa do që të planifikoni, sa do që t’i ndërmerrni të gjitha masat e sigurisë, megjithatë, disa gjëra nuk mund të parashihen deri në fund. Për shembull, Snowden-i e pranon se asnjëherë nuk ka planifikuar që të ikë nga SHBA-të në Hong Kong, e pastaj, prej atje në Rusi. Mirëpo, megjithatë e ka bërë këtë. Ai i ka paraparë pothuajse të gjitha veprimet e tjera të atyre që u nisën ta zbulojnë dhe ta arrestojnë.  Kjo është shumë më tepër se sa të gjithë bilbilfryrësit paraprakë, të cilët shpeshherë nuk mundën t’i parashohin ose t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për ta mbrojtur veten e tyre.

Ky leksion nga përvoja e Snowden-it tregon se është nevojshme të përfshihen të gjitha opcionet për atë se si mund të zhvillohet situata, duke e përfshirë edhe më të keqen, si dhe të përgatiten plane dhe përgjigje për çdo rast veç e veç.

6. Përgatituni për pasojat

Snowden-i e ka ditur se pas dokumentit të parë që do t’ia paraqesë publikut, ai do të jetë njeriu më i kërkuar në botë. Ka qenë i gatshëm ta arrestojnë dhe ta fusin në paraburgim për një kohë të gjatë. E ka ditur se çka flijon. Dashnores së tij shumëvjeçare në Havai i ka thënë se do të largohet për një kohë më të gjatë dhe se ndoshta nuk do të shihen asnjëherë më. Snowden-i ka marrë vendime dhe u është përmbajtur atyre.

Nga këndvështrimi i tij, Snowden-i, deri tani, i është shmangur epilogut më të keq të kësaj avanture të tij personale dhe të guximshme. Deri tani ai ka mund të përfundojë në burg, pa qasje në kompjuter, që sipas deklaratave të tij, është ankthi i tij më i madh. Kishte mundësi ta përjetojë edhe fatin që, disa vite para tij, e përjetuan Bradley Manning-ut, pastaj Chelsea Bradley Manning-ut, i cili/e cila për shkak të informatave të fshehta të Pentagonit për disa operacione joetike dhe ilegale të Ministrisë për Mbrojtje të SHBA-ve, iu nënshtrua torturës së paparë në burgjet amerikane, në gjykata dhe në pjesën konservatore të publikut amerikan.

Tani për tani, Snowden-i jeton në lokacione të panjohura në Rusi. Në vendin në të cilin liria e të shprehurit është dukuri e rrallë, që paraqet një simbolikë të fuqishme për situatën e njeriut i cili ndërmorri një hapë të tillë të rrezikshëm në emër të lirisë. Snowden-i paguan çmim të lartë për aksionin e tij të guximshëm. Ai e ka ditur se çka është duke bërë dhe se duhet t’u përmbahet bindjeve të tij.

***

“Bilbilfryrësit” nuk e kanë lehtë. Shpeshherë veprimet e tyre nuk hasin në miratim të përgjithshëm. Një pjesë e publikut, nën presionin e medieve proqeveritare, i cilëson ata si tradhëtarë. Rreziku për ta humbur vendin e punës, karrierën, miqësitë, lidhjet, shëndetin, paratë… janë shumë të mëdha dhe reale. Prandaj, më e mira është që të përgatiteni për më të keqen. Të jesh i përgatitur do të thotë t’i bëhet ballë presionit më të fuqishëm dhe të pranohet mundësia për fillim të ri.

Ana tjetër e tregimit për “bilbilfryrësit” është angazhimi i kompanive ose i agjencive shtetërore ose të tjera, të cilat janë “viktima” të rrjedhjes së informatave të fshehta, që t’i demotivojnë “bilbilfryrësit” e ardhshëm. Ata do të bëjnë gjithçka që jetën e “bilbifryrësve” ta tregojnë si jashtëzakonisht katastrofale.

Askush nuk mund të futet në lëkurën e Snowden-it dhe të gjykojë, mirëpo, tregimi i tij dërgoi një porosi krejtësisht tjetër, optimiste. Ai tregoi se NSA-ja dhe agjencitë e tjera të ngjashme qeveritare, nuk janë të pamposhtshme. Krimi i tyre duhet, dhe mundet, të shpaloset para syve të publikut. Ai qëndroi guximshëm përpara qeverisë më të fuqishme në botë dhe solli vendim që të mos jetë një i nënshtruar frikacak, por një qytetar i përgjegjshëm.

Nga veprimet e tij mund të mësohet shumë. Në rrugën drejt lirisë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button