Uji në Prishtinë është privilegj!

Ky shkrim i karakterit opinionistik dhe analitik nga këndi i sigurisë do të trajton gjendjen aktuale të furnizimit me ujë në vend, me fokus të veçantë regjionin e Prishtinës i cili është në gjendje të mjerueshme. E gjithë kjo pasi që dy liqenet artificiale Batllava dhe Badovci që furnizojnë Prishtinën me ujë, në këtë stinë të thatë dimri po shterojnë. Fillimisht do të flasim shkurtë për ujin në botë, për ti dhënë kuptim këtij shkrimi. Ne do të donim të besonim se ujin ia “garanton natyra” njeriut dhe se planeti jonë ka mundësi furnizimi të pafund me ujë të pijshëm, por ky supozim nuk është i vërtetë, pasi që e dimë se më pak se 1% të ujit të përgjithshëm është i pijshëm, pasi që uji i pijshëm që veç ekziston është duke u përvetësuar dhe shitet dhe pasi që uji i pijshëm që përdoret jo gjithherë i përmbush normat për të qenë i pijshëm. Sipas kësaj kuptojmë se kjo temë është mjaftë komplekse dhe i takon domenit te sigurisë, pasi lidhet me drejtën e njeriut për të jetuar dhe jo si e trajton politika në Prishtinë.

Edhe pse fokusin e kemi në Prishtinë, nuk mund ti anashkalojmë trendet botërore në shmangien e krizave për ujë. Shumë qeveri dhe organizata supranacionale e konsiderojnë “privatizimin e ujit” si zgjedhje të vetme, ndërsa unë këtë e quaj burimin e problemit për ujë në botë pasi që duke mos e konsideruar ujin si të drejtë fondamentale të garantuar nga fuqia madhore e bën privilegj për një pjesë të caktuar njerëzish, po ashtu praktikat tregojnë se uji në treg të hapur nuk i adresohet atyre që nuk kan furnizim me ujë të pijshëm. Do të kthehem shpejtë në Prishtinë, ku qytetari i saj nëse ka ujë është “i privilegjuar”, dhe kjo ndodhë për disa arsye. Mungesa e resurseve natyrore të ujit sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka rezerva të pamjaftueshme ujore, që në të ardhmen do të jenë një faktorë kufizues për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Vlerësohet se Kosova ka vetëm1600 m3/ujë/vit për kokë banori. Por kjo mund të ndryshojë duke ndryshuar edhe strategjia afatgjate e vendit për ujin. Mungesa më e madhe e resurseve natyrore të ujit është në pjesën lindore të Kosovës – që përfshinë edhe Prishtinën. Por nuk është kjo arsyeja e vetme pse Prishtina po vuan për ujë !!! Trajtimi juridik i ujit si e mirë publike Në bazë të Ligjit për Ujërat e Kosovës “Uji” konsiderohet si e mirë publike dhe jo si e drejtë fundamentale dhe ka elementin “çmim”, gjë që e bën ujin diçka të tregtueshme – unë këtë e quaj komercailizim të së drejtës. Në fillim secili e merr si normale “çmimin për ujë” mirëpo ta keni parasysh nenin 91 të Ligjit për Ujërat e Kosovës, që trajton Përcaktimin e lartësisë së pagesës për shfrytëzimin e ujërave, përdorë dy parime në këtë nen:

1. Ndotësi paguan dhe

2. Shfrytëzuesi paguan. Unë nuk besoj se këto dy parime duhet të jenë të përfshira në një nen pasi që këto dy kategori nuk janë të njëjta.

Abuzimi me ujin Abuzimi me ujin në Kosovë lidhet me dy faktor:

1. trajtimin juridik të ujit (siç edhe thamë më lartë) pasi lenë hapësirë për abuzim dhe

2. me vetëdijen e qytetarit që kontribuon në mënyrë sistematike në degradimin dhe ndotjen e ujit dhe natyrës në përgjithësi.

Nga kjo që u tha më lartë kuptojmë se shterimi i Batllavës nuk është arsyeja e vetme për mungesën e ujit në Prishtinë, pra cështja që ka të bëjë me furnizimin me ujë është shumë më shumë komplekse. Nga organet relevante duhet që të planifikohet dalja nga kjo gjendje e mjerueshme e furnizimit me ujë të pijshëm, duke u bazuar në praktikat më të mira. Kështu që:

1. Duhet të investohet në grumbullimin e resurseve të reja ujore, pasi që liqenet ekzistuese që furnizojnë Prishtinën nuk garantojnë stabilitet në furnizimin me ujë të pijshëm,

2. Duhet të promovohet shfrytëzimi i ujërave nëntokësore,

3. Duhet që të promovohet riciklimi i ujërave të zeza për përdorim në ujitje, pastrim, etj.

4. Duhet të ndryshohet Ligji për Ujërat në Kosovë duke trajtuar ujin si të drejtë fundamentale dhe duke ndarë përdoruesit nga keqpërdoruesit e ujit,

5. Duhet të përgatitet çmimorja e cila harxhimet prej 60 litrave në baza mujore për kokë banori ti faturoj me 0.00 €, pasi që dy litra ujë në ditë konsiderohen të domosdoshme për të jetuar,

6. Duhet sanksionuar veprimet që abuzojnë me ujin dhe veprime tjera që degradojnë me natyrën dhe

7. E fundit por më e rëndësishmja ka të bëjë me Liqenin e Gazivodës, i cili është aseti vital i Republikës së Kosovës, duhet të trajtohet si i tillë pasi që ky aset është dhe do të jetë “shpëtimi i Kosovës”. Dhe kështu përfundimisht duhet bërë që uji në Prishtinë dhe gjithë Kosovën të jetë një e drejtë dhe jo privilegj. 

Lajme të ngjashme

Back to top button