“Alfabeti i qytetit” dhe klonimi urban

Një ditë dimërore sipranverore dhe bulevardi kryesor i kryeqytetit, të Maqedonisë, që “Aradhat Partizane”, ende s’është “përditësuar”-“komitizuar”. Lexim i pavetëdijshëm i rrugës, i rrëmujës së jetës urbane, i shenjave dhe shenjimeve, i tabelave të botës së marrëdhënieve me publikun, i reklamave që tentojnë të na (ri)ngjallin e ta tërheqin kah vetja sensin për të shkuar rrugës së konsumerizmit. Dhe, përveç kësaj, edhe mesazhi politik i partive pushtetare-opozitare. I bëmave të politikës që këtë vend dita ditës po e katandis drejt kohës së gurit.

Zaten gurin, mermerin-granitin diskursi dominant i ka materialet që i shërbejnë për të ndërtuar veten, unin individual, e në veçanti atë kolektiv, të qenë e të paqenë të bashkësisë së imagjinuar më fantazmogorike në Ballkan e më gjerë që luan me shekujt e mijëvjeçarët si me brushë. Dhe për një çast vatra e syrit kap një porosi nga një billbord (stendë afishimi): Alfabeti i qytetit. Dhe ç’të shohësh aty: një vizatim ku gjejnë vend Tempulli i Kuvendit (Soboren Hram), porta triumfale, heroi mbi kalë, objekti epicentrik nga projekti i shtrajtësimit apo riformatimit të qytetit, të Shkupit 2014, kësaj tendence qeveritare deshqiptarizuese dhe deislamizuese të këtij qyteti. 

Nga kultura e përgjithshme dimë se alfabeti sinjifikon dy shkronjat e para, pra përbërësit thelbësorë dhe temporalë më të hershëm të një gjëje, prijëtarët e valles shkronjëtore. Fjalorët thonë se shprehja latine alphabetum ka origjinën në atë greke alphabetos, alfa dhe beta, dy shkronjat e para të greqishtes. Dhe porositësi i këtij tregtimi mental synon të bindë recipientin për një korrelacion të këtyre objekteve shumë të vonshme si Kisha e Shën Klimenti të Ohrit, ndërtimi i të cilës ka filluar më 1972 ndërsa është hapur më 1990, Porta Triumfale, Luftëtari mbi Kalë, 2011… dhe nukleusit apo thelbit të shehrit në fjalë. Çka është alfa e çka është beta e këtij qyteti? Të më thuash akuadukti i Butelit, Ura e Gurit, Kalaja, Mustafa Pasha, Allaxha, Murat Pasha, Kurshunllu Hani, Sullu Hani, Çarshia, Shën Spasi (shek. XVI), madje edhe Shën Pantelejmoni (ndonëse është shumë larg Scupit, në Vodno) se janë alfabet i këtij qyteti të kuptoj, por ama objekte të ndërtuara në nga fundi i shekullit të kaluar dhe në dekadën e dytë të këtij shekulli? Mos more, ç’thua ti? Unë këtë do ta kisha quajtur tendencë për të na analfabetizuar përmes alfabetit, dëshiron të na e mësosh abecedën e qytetit nga e prapa, dëshiron të na dhunosh mendjekthjelltësinë përmes ikonave të debatuara edhe në mesin e komunitetit maqedonas. Vallë mos do të na e bësh pjesë të alfabetit edhe ndërtesën afariste Grawe, Paloma Bjankan apo kafenenë “Broz”? Mos edhe Capitolin?

Është e qartë si dita se pushteti aktual me të gjitha metodat po zhvillon një konflikt latent për të ndryshuar edhe historinë dhe tashtëninë e kësaj hapësire urbane, duke na vënë në pozitë të idiotëve, të trullaqëve me të cilët mund të eksperimentohet në çdo moment. E momentumi është që të thuhet e vërteta (së paku për hir të “Dixi et salvavi animam memam”-E thash, shpëtova shpirtin!) dhe të mbrohet indi autentik i këtij qyteti, të veprohet pa hezituar për ta ruajtur e kultivuar kulturën e vërtetë të këtij qyteti që në një tekst, libër me ilustrime në gjuhën maqedonase është quajtur edhe “qiellor”, duke e kaluar kështu edhe në sferën e shenjtërisë, duke luajtur me terma të një teologjie shekullariste dhe të vetëlavdërimit nacionalist të viteve 1990 (serbët i thoshin vetes “popull qiellor” dhe kjo qiellorësi dihet se çka solli). Nga toka në qiell! Zbritni pak, na shoqëroni neve purotokësorëve se s’bën, s’ju rrokim dot!

Duke logjikuar pak konstatojmë se për të bërë atraksione të tilla të marketingut duhet (1) të jesh ose shumë i mençur, (2) ose popullin ta kesh me IQ jashtëzakonisht të ulët, (3) ose të besosh se mund t’i këndosh ninulla me të cilat do ta vesh në gjumë grigjën e do ta rrisësh që t’i besojë disa gjëra të cilave s’u beson as vetë “kreatori” i tyre. Vërtet Shkupi është një qytet modern por ama është edhe qytet i vjetër, ka edhe fytyrën e vet të bashkëkohësisë por edhe atë të tradicionales, ka pamjen useterniste por ama edhe atë orientale. Le të mos mendojë dikush se City Mall-i e zëvendëson dhe mund ta heqë nga harta Çarshinë, apo ura “Syri” atë të Gurit. Disa gjëra kanë frymën e vet që do të jetojë bashkë me entitetin. Kultura është baza e qytetërimit e jo e kundërta, kultura është shpirti, kurse qytetërimi materia. Kështu flasin sociologjia, kulturologjia e antropologjia, kurse social-inxhineringu etno-nacional ka parametra të tjera, ato të ekspansionizmit dhe të klonimit. Për projektin 2014 s’janë dhënë kot cilësimet “pak Paris, pak, Romë, pak Vjenë”, Disneyland, Legoland… Pra “klonim urban” sui generis. Ligjërata dominante lidhur me Shkupin kalon nga Mesjeta në shekullin XIX e XX, më saktësisht nga 1392-shi në 1914-ën e këndej, duke harruar një pjesë të mirë të historisë së këtij qyteti, madje më konstruktiven, dukuri të cilën gazeta “Libération” (28 gusht 2013) e quan “memorje selektive” dhe “shkulje e historisë” (tweaking history). E njëjta ironizon me fjalët çuditërisht, thua se pesë shekujt e sundimit osman nuk kanë lënë asgjë me vlerë për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kombëtare? 

Dikush po na e vjedh qytetin (edhe tanët: shiheni vetëm sheshin “Skënderbe”. Ngjituni pak në platformë. Zbritni prapë poshtë, shihni pllakat, dhe kafenë mund ta pini shumë afër këmbëve të Skënderbeut të zaptuar nga betoni…), dikush është duke e kontrabanduar në mënyrën më perfide Shkupin tim dhe tuajin… duke tentuar të na e shpëlajë trurin, duke tentuar të na bëjë të huaj në vendin tonë. Të kthjellohemi e të mos lejojmë të na gënjejnë lidhur me atë se çka është, ku fillon e ku vazhdon, e ku përfundon ky kryeqytet. Shqyrtojeni mirë marketingun e politizuar. Billbordet s’janë gjë thua? Si s’janë? Janë pjesë e strategjisë për tjetërsimin e hapësirës mentale dhe publike, për shfytyrimin e identitetit të këtij qyteti të hapur shumëkulturor. 

Këtyre ditëve po shoqërohem me filozofin francez André Lalande, me veprën e tij “Etika: shkurt e shqip”, një tekst ky në fomë të pyetje-përgjigjeve, i botuar më 1907, ku mes tjerash thuhet: 

Pse s’duhet gënjyer? “Sepse gënjeshtra dërrmon kushtin themelor të jetës etike dhe të ndershme. Gënjeshtra i bën njerëzit kundërshtarë dhe armiq të njëri-tjetrit”. Ke të drejtë Lalande, edhe me rrena urbane e komunikologjike po na pezmatojnë e po na armiqësojnë.

Autori është profesor në Universitetin e Evropës Juglindore

Lajme të ngjashme

Back to top button