Koha e gurit

Ditë më parë euro-deputeti Jelko Kacin pat deklaruar: “Maqedonia ka tejkaluar mesjetën, madje edhe kohën antike dhe vazhdon pandalshëm drejtë kohës së gurit. Nëse një ditë vendos që të kthehet dhe të ecë në drejtim të kohës, do të duhet të startojë që nga koha antike”. Kështu, tani më tetë vite ardhmëria na është kidnapuar nga Gruevski. Por, sikur me pëlqimin apo heshtjen tonë. Pati njëherë do zëra se duhet të përcaktohemi se a jemi me Gruevskin apo me popullin, por ato u penguan te foelja e vice-Gruevskit. Tani si duket jemi pajtuar që të vëmë qafën aty ku Gruevski vë këmbën. Pasi, edhe ashtu gjithçka është e zbraztë – ideale të zbrazëta, moral i zbrazur, lopata të zbrazëta, e lugë të zbrazura. Mbushur është vetëm krimi. 

Kohë më parë, personi numër një i CIA-s pat potencuar se situata kritike të pritshme për Ballkanin për vitin 2014 do të jenë Bosnja dhe Maqedonia. Paraprakisht televizioni më i fuqishëm në botë (CNN) pat shpallur ekonominë e Maqedonisë ndër pesë ekonomitë më të dobëta në botë. Dhjetë ditë më parë, sekretari shtetëror Xhon Keri (në Konferencën për siguri në Munih), pat apostrofuar një shtet ballkanik, ku pushteti është në koalicionim me krimin e organizuar dhe me nacionalizmin destruktiv, situatë e cila paraqet burim serioz për detonim të brendshëm dhe rajonal. Definitivisht, edhe Xhonatan Mur – drejtor në departamentin amerikan për Evropën jugore dhe qendrore, pat deklaruar se pushteti në Maqedoni shfrytëzon të gjitha resurset kundër opozitës dhe konkurrencës politike, që në esence shembë themelet e demokracisë dhe se kjo më është e padurueshme.

E çka duhet më tepër të na thonë miqtë tanë amerikan që ne t’i kuptojmë?! A nuk jemi të vetëdijshëm se duke u ulur në varkën e Gruevskit (edhe atë, të gjithë nga ana e tij), varka do të përmbyset? A nuk dëshirojmë të shohim se guri rreth qafës së tij na fundos edhe neve? Pse nuk duam të ndihmojmë që “populli 2014” ta përmbysë “Shkupin 2014”? Akoma duhet t’i bëjmë politikë tolerante një populisti që ardhmërinë tonë e ka varrosur ndër gur e beton në qendër të kryeqytetit? Nga gjysmë miliardë euro sa ka kushtuar “Shkupi 2014”, një e treta janë para tonat, të cilat po të ishin shfrytëzuar për zhvillim do t’i kishim shpëtuar eksodit që na ndodhë! Akoma duhet të heshtim kur milionat (edhe tonat) shkojnë në xhepat e rrugaçëve mediatik që në vazhdimësi na nënçmojnë dhe ofendojnë? A jemi koshient se jemi pjesëmarrës në ndërtimin e mafisë, e cila vite me radhë blenë – hotele, spitale, ferma, kompani, banka, mediume, xeherore, haciende, jahte e vetura të tërbuara? Madje ajo atë e bënë më lehtë se sa njeriu i zakonshëm ta blejë një bukë! A e dimë se këto blerje ata nuk i bëjnë jo me para të vetat, por me tonat, të cilat ne me mazokizëm i paguajmë. Madje me sadizëm obligojmë fëmijët tanë që me dekada t’i paguajnë këto luks të tyre? 

E kush do të mbajë përgjegjësi historike për këtë gjendje të mjeruar të varfërisë nga grabitja? Kush do të përgjigjet për eksodin masiv të rinisë sonë, të cilëve çdo kund tjetër u bëhet më mirë se sa në vendlindjen e vet? Kush do të përgjigjet për personalizimin dhe privatizimin e institucioneve shtetërore? Do të lejojmë edhe më tej që një Gruevski të jetë patron ekskluziv i jetës dhe ardhmërisë sonë? Kush do ta paguaj çmimin për përkëmbjen e vlerave elementare njerëzore e humane? Kush do të jep përgjegjësi për atë që aq shumë gazetarë u shndërruan në prostitute mediatike, dhe aq shumë mediume në shtëpi publike?

    
Ndokush pret të huajt që të na i kryejnë punët? E përse ata t’i bëjnë punët tona? Faktori ndërkombëtar nuk ndërmerr asgjë nëse nuk është i detyruar që atë të bëjë. Karriera e secilit diplomat varet nga ndikimi i tij që në preventivë të ndikoj në ruajtjen e qetësisë në vendin ku është dërguar. Apo në rolin e tij sanues po të kenë lindë probleme politike apo të sigurisë. Ata vite me radhë kanë toleruar fashizmin e Gruevskit pasi ne kemi heshtur. Një nga magnatët perëndimor për zgjidhjen e problemeve në Ballkan, para do vitesh i pyetur nga unë se përse qëndrojnë aq indiferent, ai u përgjigj: “Shih, përderisa atje nuk rrezikohet siguria e brendshme dhe rajonale, askush nga jashtë nuk do t’u trajtoj seriozisht. Interesat tona atje nuk janë të dëmtuara në atë masë sa të fokusohemi atje në kohën kur kemi halle të mëdha në Lindjen e Largme, të Mesme, e të Afërt, rajone ku kemi të definuara interesa vitale. Por, po të lindin problem serioze që kanosin qetësinë, atëherë atje do të na keni, qoftë mua si plak apo ndonjë kolegë timin të ri”.

Kristal qartë. Përveshuni punës vet, nëse doni ndihmën tonë. Nëse nuk prodhojmë situata, s’ka pse të presim se ndokush do na ndihmoj. Përderisa këtu nuk ndodhë asgjë – nuk do ta kemi vëmendjen e tyre. Nuk jam i mendimit se duhet të ndodhë diçka destabilizuese, por shumëçka tjetër që emërohen si tensione, ngërçe apo bllokada politike, të cilat zatën janë pjesë e demokracisë. Ka shumë forma se si ta detyrojmë partnerin e koalicionit të ecë për toke, e jo të fluturoj për qielli.

Nuk ka logjikë që pasioni i tij për të kaluarën e largët të dëmtojë ardhmërinë tonë të afërt. Për fat të keq, e pa interesuar qëndroi edhe opozita shqiptare, e cila madje edhe një proteste nuk e bëri për zhbllokim të integrimit. Edhe kjo ka ndonjë arsye, gjithsesi personale. Po të kishim kundërshtime të fuqishme, jam i sigurt se perëndimorët urgjent do të na kapnin për veshësh që t’i zgjidhim problemet. Çështjen e emrit vet Gruevski e provokoi me qëllim të bllokimit të euro-integrimit. Tani pas tetë vitesh, jemi shumë më larg UE-së se sa që ishim në vitin 2005, kur Maqedonia konsiderohej lider në rajon. Atëbotë mbizotëronte optimizmi se Maqedonia do të bëhet anëtare e UE më së voni në vitin 2012. Por, premieri lansoi antikën, Aleksandrin, Filipin, aeroportin, autostradën. Erërat antike na e shembën kullën e idealeve për një ardhmëri evropiane. Kjo ishte një minim i qëllimtë i euro-integrimit, ndoshta që nëntoka të funksionoj pa pengesë. Humbëm idealet e premtimet. Humbëm krenarinë e dinjitetin. Humbëm progresin e shpresën. Fituam diktaturën dhe varfërinë. 

Tani premieri serish do zgjedhje të parakohshme, por hamendet pasi ka frikën e reflekseve destabilizuese në rajon. Do zgjedhje ku popullata do të duhet të votoj me telekomandë. Zgjedhje ku mbi tokë votohet, kurse në nëntokë numërohet! Partneri sikur kundërshton, por jep shenja se ndoshta edhe mund të pajtohet “nëse komplikohet gjendja”. Si duket ndokush që aq shpesh takohet me kushëririn e premierit, frikohet se rënia e dikujt në kanjon do ta tërheq edhe të tjerë.

Tani duhet të themi se s’ka zgjedhje pa zgjidhje të emrit. Mundemi ta bëjmë këtë? Unë besoj se po, por duhet dorë e fortë. Mendoj se dikush mundet. Duhet rikthyer vlerat në rangun që meritojnë. Vite me radhë sikur dëshmojmë se epiteti “patriot” nuk nënkupton diç më shumë se një funksionar të korruptuar. Të jesh sot “patriot” nënkupton se duhet të kesh siguruar – pallate elitë, vila fantastike, banesa luksoze, shëtitje nëpër botë, biznese të zeza etj. Por, jo me para tuat. A popullata, e gëzoftë kohën e gurit.

Lajme të ngjashme

Back to top button