Nishani letër Kuvendit: Buxheti për mbrojtjen shkel ligjin

Përveç pretendimeve se buxheti i parashikuar për institucionin e Presidencës nuk është i mjaftueshëm, kreu i shtetit Bujar Nishani ka gjetur një tjetër arsye, për të përmbushur dërgimin buxhetit 2017 në Gjykatën Kushtetuese.

Në cilësinë e kreut të Forcave të Armatosura, në një letër drejtuar Kuvendit, presidenti Nishani shpreh shqetësim për buxhetin e vitit 2017 për mbrojtjen, duke theksuar se buxheti i parashikuar është më i ulëti, që prej vitit 1999, transmeton Shqiptarja.com.

Sipas presidentit, draft buxheti nuk përmbush ligjin nr. 121/2015 “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, që përcakton se buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 duhet të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Por, sipas kreut të shtetit, në buxhetin e vitit të ardhshëm janë alokuar 25 % më pak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së!

Në një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, presidenti Nishani thekson se draft-buxheti i mbrojtjes për vitin 2017, është në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025) të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), në Strategjinë Ushtarake (SU), dokumente këto të miratuara në Kuvend si dhe me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së.

LETRA E PLOTE
Kam ndjekur në vijimësi diskutimet rreth projekt-buxhetit të vitit 2017. Diskutimin e projekt-buxhetit e vlerësoj si një ngjarje madhore për vendin, pasi përtej shifrave, artikulon performancën e vitit që lëmë pas si dhe demonstron objektivat madhore që synohen të arrihen për vitin në vazhdim.
Diskutimet për buxhetin në sektorin e mbrojtjes i konsideroj si ngjarje më vete në axhendën e Kuvendit, kjo pasi demonstrohet përgjegjshmëri institucionale ndaj çështjeve që e tejkalojnë politikën dhe mandatin e një qeverie të radhës. Prandaj, edhe në këtë këndvështrim, si dhe në ushtrim të përgjegjësive kushtetuese si Kryetar i Shtetit dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam vlerësuar me vëmendje të veçantë projekt-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017.

Në mungesë të konsultimit paraprak nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, Institucioni i Presidentit të Republikës ka përdorur dhe vlerësuar informacionin e administruar në faqen zyrtare të Kuvendit dhe Ministrisë së Financave, dhe çmoj të domosdoshme të ndaj me Ju, të nderuar deputetë të Kuvendit, disa rezerva kritike në lidhje me këtë draft:

Draft-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, e gjej në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025) të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), në Strategjinë Ushtarake (SU), dokumente këto të miratuara në Kuvend si dhe me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së.
Më konkretisht:

1.     Në ligjin nr. 121/2015 “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Siç vërehet nga informacioni që gjendet në faqet e internetit të Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Shqipërisë, në këtë draft buxhet janë alokuar 25 % më pak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së! Krahas të qënit një ulje drastike me ndikim në arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, kjo është më e ulëta që prej vitit kur Shqipëria mori statusin e vendit Aspirant (1999).

Në vijim, në lidhje me këtë çështje, vë në vëmendjen Tuaj se në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është parashikuar jo më i vogël se 1.5% e PBB-së, kur në fakt, rezulton se projekt – buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij objektivi.

2.     Nënvizoj me shqetësim konstatimin se draft-buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është shumë më i ulët (afërsisht 2.8 herë) se niveli 2% i PBB-së, synimi kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhimi i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Varshavës, Poloni.

Në këtë pikë, vlerësoj se edhe këtë vit buxheti i planifikuar nuk reflekton shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake ku kemi nderin të bëjmë pjesë.

3.     Në detyrimet e përcaktuara dhe të miratuara që gjenden në dokumente strategjikë, siç janë Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM), Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK), Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-20125, përcaktohet se numri i personelit do të duhej të ulej. Sipas informacionit që gjendet në projekt-buxhetin e vitit 2017 rezulton se Ministria e Mbrojtjes parashikon të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e personelit, përtej detyrimeve të përcaktuara. Vlerësoj se një argumentim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është i nevojshëm për këtë çështje dhe besoj se ky element do të marrë vëmendjen e duhur nga ana e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Të nderuar deputetë,

Shpresoj se jemi në një mendje, se buxheti i Mbrojtjes, përbën një mekanizëm kritik për të përmbushur objektivat e strategjisë kombëtare të miratuara nga Kuvendi me ligje të posaçme, si ato të përmendura më sipër.

Prandaj, nëpërmjet kësaj letre-mesazh çmova të domosdoshme të ndaj me Ju vlerësimet dhe shqetësimet e sipërpërmendura, duke shpresuar njëkohësisht se ato do te lexohen, adresohen në mënyrë konsensuale dhe do të reflektohen, duke e rritur jo më pak se 1 % të PBB-së buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, për të përmbushur arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, për t’iu përafruar sa më shumë të mundemi detyrimeve të përcaktuara në dokumentet strategjikë të miratuara nga Kuvendi, si edhe për të vijuar të ndërtojmë marrëdhënie serioze partneriteti me NATO.

KËRCËNIMI I PRESIDENCËS: DO TA ÇOJMË BUXHETIN NË KUSHTETUESE
Presidenca kërcënon Kuvendin dhe Ministrinë e Financave se do ta dërgojë buxhetin 2017 në Gjykatën Kushtetuese.

Në një situatë të paprecedentë, Bujar Nishani, nëpërmjet drejtorit të tij të kabinetit, Florjan Nuri, ka paralajmëruar se nëse as këtë vit nuk merr rritjen prej 20 milionë lekësh shtesë mbi atë që Ministria e Financave kishte parashikuar për funksionimin e këtij institucioni, do të ankimojë buxhetin në Kushtetuese.

“Kjo që them është edhe një qëndrim i Presidentit të Republikës që nëse kjo situatë vijon të mbetet e tillë që nuk adreson një funksionim normal të institucionit të Presidentit të Republikës edhe ne do ta trajtojmë institucionalisht në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj që të na mundësojë një funksionim normal”, u shpreh Nuri në Komisionin e Ligjeve, pak ditë më parë.

Kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj iu kundërpërgjigj: “E tepruat, nuk jeni ankuar kur e keni pasur buxhetin minimal. Këtë vit keni rritje të konsiderueshme. Kur ta çoni në Kushtetuese na njoftoni.

Në 2013 buxheti i Presidentit ka qenë  164 mln lekë, tani është 201 mln lekë. Kur ta bëni ankimimin na njoftoni”.
Paratë shtesë Presidenca i kërkonte për të shlyer borxhin e akumuluar prej vitesh prej 14 milionë lekësh, nga udhëtimet e kreut të shtetit jashtë dhe vizitat e personaliteteve të huaja të pritura nga Nishani.

Një pjesë e parave do të shkonin dhe për rikonstruksionin e zyrës së kreut të shtetit. Ndërsa 10 milionë të tjera jashtë këtij fondi, kërkoheshin për ceremoninë e ndërrimit të presidentëve në 2017-n.

Këtu ka kundërshtuar menjëherë Ministria e Financave sipas të cilës, ky aktivitet nuk është mbuluar asnjëherë nga shpenzimet e Presidencës por Fondi i Kontigjencës.

“Presidenca në buxhetin e 2017 –s ka një fond prej 41 milion lekësh. Ceremoniali i ndërrimit të presidentëve, përballohet nga fondi rezerve jo presidenca” – u shpreh përfaqësuesja e Ministrisë.

Në krah të kërkesës për shtesë fondesh të presidentit doli LSI e PD. “Hiqni 3-4 palma dhe plotësojani kërkesat presidentit” -u shpreh Eduard Halimi.  I pasuar nga Petrit Vasili, i cili tha: “Këto janë shifra qesharake, turp që vjen deri këtu biseda”.

Në buxhetin e shtetit fondi për presidencën është 201 milionë, ndër to për shpenzime kapitale, ku përfshihen rikonstruksionet dhe blerjet e objekteve, shkojnë në 5 milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button