Besimi: Qëndrojmë fuqishëm të fokusuar në detyrat që duhet t’i plotësojmë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi realizoi vizitë në Bruksel ku kishte edhe fjalën e tij në brifingun në Qendrën për politika evropiane, në temë: “E ardhmja evropiane e Maqedonisë – Perspektivat dhe sfidat”.

Në fjalën e tij Besimi theksoi se edhe krahas çështjeve të hapura me vendet fqinje anëtare të Bashkimit Evropian, qëndrojmë fuqishëm të fokusuar në detyrat që duhet t’i plotësojmë dhe guximshëm ballafaqohemi me të gjitha sfidat që i sjell procesi i reformave.

Ai informoi për punën e deritanishme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ku nënvizoi reformat e realizuara të cilat janë pjesë e Dialogut Aderues të Nivelit të Lartë (HLAD), siç janë reformat në pjesën e lirisë së të shprehurit; ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku u arrit konsensus mes partive politike rreth Kodit dhe reformat në fushën e sundimit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave fundamentale; reformat në administratën publike dhe ekonominë e tregut, ndërkaq, theks të veçantë vendosi edhe në implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si një prioritet kyç i Qeverisë për përforcimin e karakterit multietnik të vendit.

Zëvendëskryeministri Besimi shtoi se HLAD është një shembull që tregon se si BE dhe Maqedonia si vend kandidat, mund të punojnë bashkërisht në reformat e nevojshme, dhe se si të nxitet një entuziazëm i ri në procesin e reformave dhe në procesin e përgjithshëm integrues.
Besimi i theksoi se posaçërisht janë të rëndësishme marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe nënvizoi gatishmërinë nga ana jonë për të tejkaluar në mënyrë konstruktive çështjet e hapura me fqinjët. Njëherit, ai vlerësoi si hap konstruktiv vizitën e Venizelos, ministrit për punë të jashtme të Republikës së Greqisë në Maqedoni, në rolin e tij si kryesues me BE-në.

Besimi gjithashtu e theksoi rëndësinë e përshpejtimit të eurointegrimeve, si një parakusht për stabilitet dhe zhvillim të rajonit si dhe temë dhe qëllim i përbashkët që i vendosi vendet e rajonit në anën e njëjtë në krijimin e një të ardhmeje të përbashkët më të mirë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Qendra e politikave evropiane është organizatë e pavarur e përkushtuar në integrimet e BE-së dhe e cila punon sipas mënyrave më bashkëkohore evropiane dhe globale të bërjes politikë, duke siguruar informata të shpejta dhe kualitative si dhe analiza rreth BE-së dhe agjendës globale politike. 

Gjatë vizitës në Bruksel, Besimi realizoi takim edhe me drejtoreshën e Drejtoratit për Zgjerim të Komisionit Evropian, Aleksandra Kas Granje, si dhe me Raportuesin për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Riçard Hovit.
Besimi në këto takime edhe një herë e theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve si dhe përparimin në realizimin e reformave të parapara sipas Dialogut të Nivelit të Lartë.

Lajme të ngjashme

Back to top button