Persekutimet e Demokracisë

Thanë që ambiciet rinore, studimi plot energji e vullnet, të kesh ideologjinë tënde të jetës, të jesh i vetëdijshëm se çfarë dëshiron të arrish, të kesh respekt për profesionin që e punon nuk mjafton që të jesh i suksesshëm në një shtet me politikë sikur Maqedonia (e me sa kam njohuri e njëjta është edhe në Shqipëri e Kosovë). Duhet të kesh edhe një cilësi tjetër jo edhe aq të “thjeshtë” se sa këto që i përmenda më lartë. E çfarë na qenka ajo?

Të kthehemi pak në retrospektivë në 50 vite komunizëm të shtetit shqiptarë. Ideja se Lufta Nacional Çlirimtare ishte një luftë e pastër dhe pjesëmarrësit e saj që i shpëtuan shqiptarët e morrën shtetin në dorë me idenë e mbjelljes së komunizmit që për pasojë u bë më i egëri në rajon. Ata në vend që ta rimëkëmbin shtetin e tyre me ideologjinë e socializmit sikur shumica e shteteve të lindjes, ata e ngulfatën me totalitarizëm. Por, që kjo të ndodhte, duheshe një rend i ri i shtetit. Një mekanizëm, një ideologji që do t’ua siguronte pushtetin e tyre dhe të partisë komuniste. Ajo ishte krijimi i të ashtuquajturit “njeriut të ri”, sepse vetëm atëherë do ta kishte jetën më të gjatë partia.

Kush është “njeriu i ri”?

Sipas një përkufizimi të një shkrimtari sovjetik Igor Kon: “Ai është një njeri, interesat personale të të cilit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e popullit, ai është gati të luftojë deri në vetëmohim për kauzën e Komunizmit. Ai është një njeri, qëndrimi i të cilit për jetën është përherë krijues, ai nuk mund ta mendojë jetën pa punë, është një humanist i cili ka ngritur lart flamurin e dinjitetit njerëzor dhe është gati për të sakrifikuar vetveten në luftë për lumturinë e njerëzimit”. (Cituar nga “Njeriu i ri komunist si u formua”). Por kjo ishte vetëm në letra, sepse interesat e popullit dhe të njerëzimit zëvendësoheshin me ato interesa të partisë dhe në kultin e anëtarëve kryesorë të partisë.

Në realitet, “njeriu i ri” duheshe të funksiononte në atë mënyrë që të heq dorë nga çfarëdo mendimi, ideologjie të tij dhe të bënte atë çka ja kërkon partia dhe ideologjia e partisë. Ti mban ato dhjetëra njerëz në krye të vendit. Të jetë një robot që po i shkeleshin vlerat e tij, vetëdijesimi i tij, ndërgjegjja e tij për interesat e partisë. Mbase nuk kishe edhe zgjidhje tjetër, ose do të vepronte ashtu, ose do të persekutoheshe e torturoheshe nga sistemi i atëhershëm.

Nëse krijojmë një parantezë të komunizmit të atëhershëm dhe demokracisë së ditëve tona, unë nuk po shoh shumë dallime sa i përket ideologjisë së “njeriut te ri”. Njeriu i ri i demokracisë është ai i cili i detyruar, i kushtëzuar me një vend pune të siguruar ose të premtuar, del i zhveshur nga mendimet dhe idealet e tij dhe i përmbahet vetëm asaj çka e thotë partia.

Kjo është ajo cilësia e cila na mungonte në fillim për të krijuar një karriere. Sot nuk është me rëndësi çfarë përgatitje profesionale ke dhe se a je me i zoti se tjetri, por ka rëndësi se sa ke vrapuar për partinë, sa ke shpërnda pamflete, e sa e ke shterur zërin duke bërtitur nëpër mitingjet e partisë i detyruar për interesat personale siç është një vend pune apo një rrogë duke ndenjur këmbëkryq. Dhe nëse ti nuk je i tillë, njëjtë persekutohesh në demokraci me atë që nuk mund të punësohesh, nuk ke privilegjin të inkuadrohesh në arsim, shkencë, kulturë e në përgjithësi në shoqëri.

Është shumë normale që të kesh një bindje politike, një simpati për një ideologji politike, apo për një lider politik. Mirëpo, sot ti je kapadai nëse del me flamurin triumfal të asaj, se merr një rrogë pa shkuar fare në punë. Ku është vetrespekti? Të paguhesh për diçka që nuk je në gjendje ta punosh dhe të thonë rri te shpija do të shpërblehesh për atë se sa ke vrapuar për partinë, mos na prish tertipin. Dikush duhet ta ngre këtë vetëdije, dikush duhet ta binde këtë “njeri të ri” të demokracisë, se në vende sikur që është arsimi, shëndetësia, administrata, kultura nuk nderohen njerëzit vetëm për ideale të tyre politike, por sipas asaj që kanë si përgatitje profesionale!

Nuk mund ta duam të mirën e popullit përderisa e kemi lakmi personale që të jemi të fuqishëm, pushtetar, ta duam rrahagjoksin, të jemi lavdidashës, dhe për ti pas këto epitete, të mbajmë nivelin e platformës politike aq të ulet, aq mediokre, sa që nëse ke një qëndrim të ndryshëm apo risi të dëgjohet dhe të mos merret si tradhti.

Për fund, dua të jem optimist që shqiptari do të vetëdijesohet, të mendon si individ për idealet kombëtare dhe jo për interesat e liderëve të partisë siç është bërë deri tash. Të punon në atë frymë që ti shërbej atdheut pa pritur ndonjë shpërblim, por vetëm si ideal. Të afirmohet, punësohet, respektohet për atë se sa vlen si profesionalist, dhe jo se sa duhet vrapuar për partinë që ti meriton ato!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button