Ambasada e Shqipërisë organizoi pritje me rastin e 104-vjetorit të Pavarësisë

Me rastin e 104-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntorit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, organizoi një pritje në hotelin “Aleksandar Pallas”, ku morën pjesë liderë të partive politike, përfaqësues fetarë, kori diplomatik, ministra, deputetë, figura publike…etj.

Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, Fatos Reka, duke ju uruar mirëseardhjen të pranishmëve përmendi disa arritje të rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që vendi po ecën me vendosmëri në rrugën e forcimit të institucioneve, të shtetit ligjor dhe zhvillimit edhe më të madh ekonomik.

Këtu ai përmendi reformat në fushën e drejtësisë, në shërbimet publike, në administratën publike, në sistemin arsimor, në fushën energjetike, territoriale, reforma në fushën e menaxhimit të ujrave etj.

“Qeveria e Shqipërisë është fokusuar, në një shkallë të lartë, që t’i ndjekë nga afër dhe t’i përmbushë këta prioritete, realizimi me sukses i të cilëve do ta fusë vendin tonë në një epokë të re”, theksoi Reka, duke shtuar se këta hapa të rëndësishëm përpara të Shqipërisë janë vlerësuar nga Bashkimi Evropian i cili ka vendosur që të hapë fazën e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë.

“Ky është një vlerësim shumë i merituar që nënkupton një hap tjetër më afër në rrugën e bashkimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thotë Reka duke shprehur falenderim të veçantë për mbështetësit dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë, oranizatat ndërkombëtare dhe vendet vëllezër që kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim.

“Në këtë kuadër, rritja e bashkëpunimit dhe ndërveprimit reciprok, brenda rajonit tonë, dhe çuarja përpara e realizimit të projekteve tona të përbashkët na bënë neve më të fortë dhe më kompetitivë në planin ndërkombëtar”, shton Reka në fjalimin e tij duke theksuar se Shqipëria e konsideron Maqedoninë si një vend mik dhe partner të vërtetë duke e mbështetur plotësisht atë në rrugën e anëtarësimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimin Evropian.

Lidhur me zgjedhjet e parakohëshme parlamentare ambasadori shqiptar, Fatos Reka theksoi se data e 11 dhjetorit shënon një ditë shumë të rëndësishme për popullin maqedonas duke shprehur bindje se klasa politike në Maqedoni do të angazhohet që të sigurojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira, në përputhje me parimet dhe standardet e OSBE – ODIHR-it, me qëllim që vendi të ecë më tej në rrugën e procesve euroatlantike dhe eurointegruese.

“Stabiliteti i Maqedonisë nënkupton stabilitetin e të gjithë rajonit dhe ne jemi gati që të punojmë që të gjithë së bashku, me qëllim që të sigurojmë që ky stabilitet të jetë një kusht i nevojshëm për zhvillimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes vendeve tona, gjithashtu, në kuadrin e Procesit të Berlinit. Ne mbështesim me forcë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionimin e plotë të shoqërisë multietnike në Maqedoni, si edhe aspiratat e këtij vendi për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke inkurajuar plotësimin sa më shpejt të konkluzioneve të Samitit të Uellsit, përfshi edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për funksionimin e një Maqedonie demokratike dhe si një shoqëri multietnike e shëndoshë, që ajo të jetë shteti i të gjithë qytetarëve të saj”, thekson Reka.

Në fund të fjalimit të tij ambasadori Reka ngriti një dolli për miqësinë dhe partnershipin me Maqedoninë duke shpresuar në forcimin e lidhjeve reciproke në vitet e ardhshme.

Para fjalimit të ambasadorit të Shqipërisë Fatos Reka, u intonuan himnet shtetërore të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndërsa pas pjesës zyrtare mysafirët e shumtë kaluan në pjesën joformale të mbrëmjes të shoqërimit dhe këmbimit të bisedave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button