Kotzias: Tiranës i kemi rekomanduar të ulë tonet nacionaliste

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, gjatë një konference të Lëvizjes së Ideve dhe Praktikave, drejtues i të cilës është ai vetë, ka deklaruar se përsa i përket Shqipërisë, Athina i ka rekomanduar Tiranës që të ulë tonet dhe të respektojë traktatet ndërkombëtare, njofton Top Channel.

“Kemi vënë re shfaqjen e një nacionalizmi të fuqishëm nga ana e një pakice të elitës politike në Shqipëri. Edhe kundërshtimi i tyre për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas është një tregues i këtij nacionalizmi”, ka deklaruar Kotzias.

I pyetur nga gazetarët për intervistën e kryeministrit shqiptar për televizionin SKAI dhe konkretisht për shfrytëzimin e rezervave natyrore në detin Jon, ai  ka dhënë përgjigje vetëm për pjesën kur kryeminsitri Rama ka shpjeguar anulimin e marrëveshjes për detin nga Gjykata Kushtetuese.

“Deklaratat e Ramës ishin një përpjekje e tij që të kërkonte falje nëse apelimi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për marrëveshjen e detit u bë ose jo me ndërhyrjen e Turqisë, siç e ka akuzuar edhe Sali Berisha. Është një çështje e brendshme në jetën parlamentare të Shqipërisë ky sqarim që bëri zoti Rama. Është çështje e tyre e brendshme. E tha Berisha që ai veproi me urdhër të një vendi të tretë, unë s’kam çfarë të them. Është problemi i tyre”, ka thënë Kotzias.

Kotzias ka thënë gjithashtu nga podiumi i konferencës se, në janar në Shqipëri fillon fushata elektorale dhe se rekomandimi që i është dhënë Tiranës nga Athina është që të izolojë sa më shumë zërat nacionalistë.

“Përveç respektimit të traktateve ndërkombëtare për minoritetin i kemi thënë Tiranës që për t’u integruar në familjen europiane duhet të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin politik”, ka shtuar Kotzias.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button