Zgjedhjet në Kosovë, Kuvendi pritet të shpërbëhet në maj

Marrëveshja në parim e arritur mes dy liderëve të partive më të mëdha në vend, Hashim Thaçit të PDK-së dhe Isa Mustafës së LDK-së, pritet t’ua shkurtojë mandatin deputetëve së paku tetë muaj para kohe. Derisa mandati i tyre i rregullt është deri në dhjetor të këtij viti, ata tashmë mund t’i numërojnë së prapthi ditët e mbetura në Kuvend.

Burime të gazetës “Tribuna” brenda PDK-së, kanë paralajmëruar se Kuvendi pritet të shpërbëhet brenda tre muajve.

“Orientimisht, Kuvendi mund të shpërbëhet para fillimit të majit, në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen kah mesi i qershorit”, ka thënë zyrtari i PDK-së. Me Kushtetutë është e përcaktuar që Kuvendi mund të shpërbëhet me vullnetin e 2/3 të deputetëve.

Në një rast të tillë, të pritshëm, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës. Shefja e shtetit, Atifete Jahjaga, është e thirrur t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në bazë të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveçse KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat”, thuhet në ligjin zgjedhor. /Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button