Kujdes, tani çdo lëvizje në autobus inçizohet!

Me qëllim rritjen e sigurisë në transportin urban, Ndërmarrja Transportuese e Qytetit të Shkupit, ka filluar montimin e kamerave nëpër autobusë.

Gjatë kësaj jave do të montohen edhe 15 kamera dhe 50 inçizues, të cilat do të mundësojnë që policia të identifikojë më lehtë incidentet eventuale të cilat mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

‘Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani turke ‘Kentkart’, që ka kushtuar 45.200 euro. Aktualisht kamera ka vetëm nëpër autobusët dy katësh, por jo edhe inçizues. Kamerat tek ta nuk ishin vendosur për çështje sigurie por për të ndihmuar shoferët të shohin çfarë ndodh në autobus. Me vendosjen e inçizuesve, do të mund të shihet se çka po ndodh në autobus në periudhë kohore prej tre ditësh’ tha drejtori i NTQ-Shkup, Misho Nikollov.

Kamerat e para do të vendosen në linjat tek të cilat më së shpeshti kanë ndodhur incidente, si autobusi me numër 2, 50, 65…

Nga viti 2007 janë shfaqur në masë të madhe këto inicidente, ndërsa kulminacioni i tyre ka arritur dy tre vitet e fundit, ku janë regjistruar dhjetra incidente të përgjakshme gjatë muajve të vjeshtës dhe fillimit të dimrit kryesisht mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button