АNALIZË: Tensione, ofendime, programe – çfarë fushate zgjedhore na pret?

Njësia e katërt zgjedhore, në të cilën do të përballen liderët e partive më të madhe, Nikolla Gruevski, i partisë në pushtet VMRO-DPMNE dhe Zoran Zaev i LSDM-së opozitare, do të jetë vendimtare për rezultatin zgjedhor, konsiderojnë një pjesë e analistëve. Ata presin që në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit, qytetarëve do t’u servohet kryesisht fushatë negative e shoqëruar me tensione. Për këto zgjedhje, një pjesë e partive do të kenë shumë për të humbur apo fituar, dhe retorika e ashpër tashmë filloi – komentojnë analistët politikë dhe komunikologët për Portalb.mk. Ata konsiderojnë se për votuesit e papërcaktuar, të rëndësishme do të jenë programet politike që do t’i ofrojnë partitë kundrejt fushatës së zezë.
Analiza në gjuhën maqedonase gjendet në këtë link.

“Fushata e zezë” – dominante

Edhe partitë nga blloku politik shqiptar, edhe ato nga blloku maqedonas, në periudhën e ardhshme deri në ditën e zgjedhjeve nuk do të kursejnë fjalë në “fushatën e zezë”, vlerëson analisti Ramadan Ramadani.

“Mendoj se sikurse edhe fushatat e mëparshme, edhe kjo do të jetë kryesisht “fushatë e zezë”. Këtë e pres edhe nga partitë e bllokut politik shqiptar edhe nga ato maqedonase. Në kampin politik shqiptar, nga BDI-ja në pushtet pres që më tepër të flasë për “metafizikën”, për “diskursin qiellor”, gjegjësisht për gjëra që nuk kanë pika të përbashkëta me problemet reale që i tangojnë qytetarët, siç është ekonomia, çështjet sociale, standardi më i mirë. Kjo do të thotë se, për shembull, BDI-ja nuk do të flasë për gjëra konkrete për shkak se deri tani nuk ka realizuar asgjë në këtë drejtim, nuk mund të japë premtime të reja nëse nuk i ka realizuar ato që ua ka premtuar votuesve më parë”, thotë për Portalb.mk Ramadani.

Fushatë, kryesisht negative pret edhe analisti politik, Petar Arsovski.

“Mendoj se duhet të pritet fushatë me tone të larta, me parashenjë negative. Edhe pse vetë partitë do të fokusohen në ofertën e tyre, mendoj se megjithatë do të dominojnë sulmet ndaj kundërshtarëve, më së shumti për shkak të tensioneve të larta të cilat janë vazhdimisht të pranishme gjatë krizës politike. Njëkohësisht, pjesa më e madhe e partive do të përpiqen që periudha parazgjedhore të jetë e tensionuar dhe përplot me deklarata ping-pong dhe me konferenca për shtyp”, thotë për Portalb.mk Arsovski.

Një pjesë e analistëve konsiderojnë se duke pasur parasysh përqindjen e lartë të votuesve të papërcaktuar, megjithatë programet partiake mund të jenë vendimtare për çdo votë të atyre që akoma nuk kanë vendosur se kë do ta rrethojnë në fletën zgjedhore.

”Ka një përqindje të votuesve nga ata që janë të papërcaktuar, të cilët megjithatë presin ta shohin ofertën e partive politike. Ky është një trup aktiv votues që mund të vendosë në bazë të asaj që e ofrojnë partitë. Prandaj, konsideroj se përkundër pritjeve për “fushatë të zezë”, të rëndësishme mund të jenë, dhe janë – programet politike”- thotë për Portalb.mk Ramadani.

Çka pas 11 dhjetoritfund i krizës apo hyrje në krizë të re?

Gjatë dy viteve të kaluara, pas publikimit të materialeve të përgjuara, praktikisht dolën në pah dobësitë institucionale, në sipërfaqe doli partizimi i shoqërisë, shantazhet, kurdisjet, korrupsioni, thonë ekspertët, duke thënë se edhe për zgjidhjen edhe për çrrënjosjen e këtyre problemeve të thella do të nevojitet kohë. Zgjedhjet e11 dhjetorit do të jenë të rëndësishme për zgjidhjen e krizës poltike në procesin që zgjat, vlerësojnë analistët politikë.

“Mendoj se këto zgjedhje nuk do të paraqesin fund të krizës poltike. Kriza është produkt i proceseve që ekzistojnë një kohë më të gjatë, dhe të cilat me gjasë do të vazhdojnë edhe pas 11 dhjetorit. Mostoleranca politike, korrupsioni dhe klientelizmi, përzierja e partisë dhe e shtetit, paprekshmëria e funksionarëve të zgjedhur, liria e të shprehuriut dhe raportimi objektiv, borxhet dhe shpenzimet joproduktive, zbrazëtirat në buxhet dhe transferet sociale, këto janë parametrat që do të përcaktojnë se a do të vazhdojë kriza ose jo. Zgjedhjet e këtyre parametrave ndikojnë vetëm në mënyrë transitore, të përkohshme”, thotë për Portalb.mk analisti politik, Arsovski.

Sipas Ramadanit, pas 11 dhjetorit duhet të pritet fund i krizës në aspekt institucional, mirëpo do të mbeten edhe shumë probleme që duhet të zgjidhen.

“Kriza e cila filloi më herët, është duke zgjatur shumë, dhe pres që pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të kemi zgjidhje të krizës institucionale, mirëpo gjithsesi në periudhën që pason do të duhen të zgjidhen shumë çështje të hapura që lidhen me gjyqësinë, korrupsionin, ekonominë” – thotë Ramadani.

Sipas profesorit Mersel Bilalli, pas zgjedhjeve nevojitet konsolidim dhe ballafaqim me krimin, me çka do të përgatitet terreni për zgjedhje të reja.

“Unë dua të besoj se megjithatë do të bëhet më mirë, sido që të përfundojnë këto zgjedhje, për shkak se ato i shoh vetëm si proces për t’u liruar të gjithë ne nga mafia ekzistuese. Domethënë si shpëtim edhe për vendin, edhe për institucionet, edhe për kompanitë edhe për njerëzit. E pastaj, pas një viti përsëri do të shkojmë në zgjedhje të reja normale. Tani zgjedhjet janë diçka ndërmjet shpëtimit tonë dhe shkatërrimit dhe humnerës tonë të përgjithshme. Mendoj se gjithnjë e më shumë njerëz po vetëdijësohen se kjo është kështu. Edhe ata që kanë pasur ndonjë interes personal nga pushteti i këtillë, gjithnjë e më shumë vetëdijësohen se korruptohen me gjëra të imëta, ndërsa humbin gjëra të mëdha. E shohin se fundi është katastrofë. Çdo ditë takohem me simpatizues dhe mbështetës të VMRO-DPMNE-së që ma thonë këtë”, thotë për Portalb.mk profesori Bilalli.

Deri në kalimin e afatit, në KSHZ janë dorëzuar lista me kandidatë nga 12 koalicione dhe parti. Pas vendimit të refuzohen dy parti nga gara zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin ndërmjet 10 partive dhe koalicioneve. Për Maqedoni më të mirë, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi, koalicioni opozitar i udhëhequr nga LSDM-ja, VMRO për Maqedoninë, Aleanca për shqiptarët me Lëvizjen për reforma në PDSH, UNITETI dhe RDK-ja, dhe partitë BDI, PDSH, PPD, PL, E majta dhe Besa.  /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button