ITSHKSH: Tri qendrat albanologjike përkujtojnë mësuesit e parë të shqipes (FOTO)

Sot në Shkup, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëorganizim edhe me dy qendrat tjera albanologjike shqiptare: Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës, organizoi konferencën shkencore: “75-vjetori i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore”. Organizimi i kësaj konference shkencore përkon me tre momente të rëndësishmetë historisë së shqiptarëve të këtyre trevave: 108 vjetori i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, 75-vjetori i hapjes së shkollave të para shqipe në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, si dhe 9-të vjetori i themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, njofton aktuale.mk.

Në hapje të konferencës, morën pjesë dy ministrat shqiptarë të Arsimit të Maqedonisë dhe Kosovës, Pishtar Lutfiu dhe Arsim Bajrami.

“Bashkëpunimi në mes të tri qendrave albanologjike, është mesazhi më i mirë i bashkëpunimit të qendrave tona, në drejtim të bashkërendimit të aktiviteteve edhe në sfera tjera me interes shkencor dhe publik. Ky model është me rëndësi të ndiqet edhe nga institucionet tjera, të cilat kanë nevojë për t’i bashkuar forcat dhe dijet për të sendërtuar kapacitetet tona nën një kauzë të përbashkët”, theksoi ministri Lutfiu. Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Arsim Bajrami, theksoi rëndësinë e madhe të këtyre datave historike, të cilat kanë për qëllim ngritjen e nivelit të arsimit dhe shkencës shqiptare në këto treva.

Në emër të nikoqirit të konferencës, foli drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili tha se  ardhja e arsimtarëve shqiptarë në këto anë, që për herë të parë hapën shkolla shqipe dhe sollën libra shkollorë në gjuhën shqipe, për shqiptarët e Maqedonisë ishte më shumë se vetëm arsim. “Ky ishte një mision me përmasa kombëtare, që për nga rëndësia mund të krahasohet vetëm me misionarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptarëve të vëllezërve Frashëri e të rilindësve të tjerë të kohës. Për këtë arsye, duke gjykuar se ky përvjetor shënon edhe përvjetorin e nxënies së brumit shqiptar në këto ane, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucioni që kujdeset në mënyrë të veçantë për afirmimin e këtyre momenteve historike, është kujdesur që ky përvjetor të shënohet pikërisht në Shkupin e Vilajetit të Kosovës, aty shumë patriotë shqiptarë e kishin vënë cakun e ndërtimin të shqiptarisë së re”, tha Asani. Punimet e konferencës i përshëndetën edhe drejtori i QSA-së së Shqipërisë, Marenglen Verli, drejtori i IA të Kosovës, Hysen Matoshi dhe drejtori i ISSHP të Tiranës, David Hosaflook.

Më pas në dy seanca, mbi 15 studiues, paraqitën punimet e tyre shkencore, ku e vlerësuan lartë nismën e qeverisë shqiptare të viteve 1941-44, e cila që në fillim ndërmorri masa të shpejta për arsimimin e popullsisë shqiptare në Kosovë e në Maqedoninë perëndimore. Ministri i atëhershëm i Arsimit, atdhetari, mësuesi dhe politikani, Ernest Koliqi, dërgoi mbi 200 mësues ambicioz të shqipes, të cilët mbollën farën e diturisë në këto troje.

Kështu, me interes u ndoqën kumtesat e historianëve dhe studiuesve, si Beqir Meta, Xhevat Lloshi, David Hosaflook, Qerim Lita, Ragip Gjoshi, Nebi Dervishi, Marenglen Verli, Hysen Matoshi, Sabile Basha, Avzi Mustafa, Xheladin Murati, Tahir Zajazi, Zeqirija Ibrahimi, Skender Asani, Memli Krasniqi, Milazim Elshani, Daut Bislimi, Hamdi Thaçi, Nuridin Ahmeti dhe Isamedin Azizi. Në fund të sesioneve pati edhe një debatë shumë konstruktiv, kurse materialet e konferencës do të botohen në një nga numrat e radhës të revistës “Scupi”.

544

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button