Puntorie Muça Ziba: Suksesin tim ua dedikoj fëmijëve!

Puntorie Muça Ziba, është shkrimtare, nënë, mësuese… Në një intervistë për Portalb, ajo thotë se ‘po të mos shkruaja , ose nuk do të isha gjallë, ose do të kisha përfunduar në ndonjë spital duke vuajtur nga sëmundja që vuajti Minirja e legjendës, nga veremi. Kështu kam mundësi t’i gjykoj gjynahqarët, plangprishësit, magjistarët… 

PORTALB: Për çfarë shkruani më shumë, ku e gjeni inspirimin? 

Puntorie Muça Ziba: Pyetjen e parë do ta filloj me një mendim të kritikëve që kanë shkruar dhe kanë përcjellur në kontinuitet punën time krijuese :  “ Shkrimtarja Puntorie Ziba konsiderohet si një nga pioneret e para të përfshira në lëvizjen feministe të autoreve femra, me nocionet e indivdualitetit të identitetit krijues letraro-artistik që e kanë klasifikuar atë në letrat shqipe.” Kjo thënie dëshmon se mushti  i artit tim si “ mbykqyrës”  i rreptë , i sinqertë ndaj fenomeneve, ndaj shëmtive, ndaj lirisë dhe robërisë ndaj dashurisë dhe urrejtjes, me një inteligjencë fine  u shpërnda në letrat e mia duke vënë në pah dilemat për pozitën diskriminuese të  shqiptarëve që syri smirak i uzurpatorëve na shikonte si fuqi në Ballkan, për pozitën diskriminuese të femrës shqiptare në Maqedoni, për viktimizimin e femrës dhe për pasojat që la fanatizmi, primitivizmi duke i shtuar gjithëmonë referencat që na la Kanuni, të cilat edhe në ditët e sotme  vështirë se mund t’i shkulish nga disa mëndje me kapric. Krijimtaria si zanat i brishtë dhe aspak i lehtë mund të kultivohet më me naze  nga një mendje dhe nga një dorë ,apo zemër e brishtë prej femre  që i shikon fenomenet ,poashtu me sy të brishtë pa shprehur ndonjë mllef për t’i zgjedhur problemet perms tytës së pushkës, shpatave ,apo thikave…

PORTALB: Keni shkruar shumë poezi, e mbani mend cila ka qenë poezia e parë, dhe si u bindët të botoni librin e parë? 

Puntorie Muça Ziba: Sot nëpër biblioteka të ndryshme dhe nëpër faqet e internetit mund të hasësh mijëra vargje poetike dhe dhjetra libra me poezi të botuara në edicionin e botimeve të ish “Flakës së vëllazërimit” në Kosovë e Shqipëri.

Poezia është frymëzim çasti. Këtë nuk e them vetëm unë. Virxhinija Vulf dhe ajo dhoma e saj më motivoi që edhe unë në shtëpinë time në Shkup dhe në Strugë të kem dhomat e mia ku rri me orë të tëra dhe krijoj. Poezia nuk shkruhet duke pirë kafe buzë Drinit ,apo buzë Vardarit. Në ato çaste, në momentin e frymëzimit kur Puntories i vjen muza poetike , i duhet qetësi maksimale, e kam thënë në një intervistë se kur shkruaj edhe zhurma e shiut më bën me nerva. Unë atëherë e privoj veten nga gjithçka dhe futem në universin tim krijues. 

Poezia ime e parë u botua në revistën “Gëzimi” , kurse librin e parë e kam botuar pasi që shumë poezi  mu botuan në shtypin e atëhershëm, në rubrikat e kulturës së disa revistave dhe gazetave, si te “Kosovarja” , “Rilindja” , “Flaka e vëllazërimit” etj. Dhe, gëzimi im i parë ishte libri me poezi “Rruga e mjellmës” që u botua në vitin 1986. Më vjen keq që tani jemi bërë popull “ shkrimtar” dhe disa krijues, para se të ofrojnë vlera poetike e të botojnë poezi, po patën 500 euro në xhep, botojnë libër.  Kjo është pasojë e mungesës së kritikës së mirëfilltë.

PORTALB: Përveç kësaj, jeni mësuese, nënë dhe bashkëshorte. Sa është e mundimshme  tërë kjo punë që e keni bërë dhe e bëni sot?

Puntorie Muça Ziba: Rruga ime e mundimshme letrare nisi që nga fëmijëria e hershme. Shkruaj sepse  e bëj atë me pasion, me dashuri më të flaktë se dashuria që lind  mes dy zemrash. Kjo puna e shkrimtarisë do thoja unë është punë talenti që të hap një rrugë vërtet të mundimshme dhe me shumë bariera.  Por për fat të mirë, vetëm kur shkruaj ndjehem rahat dhe e qetë. Shpesh mendoj se si do dukej bota pa artin letrar. Cili do ta shkruante atë që e harron historia; a kam fituar më shumë miq ,apo armiq me shkrimet e mia dhe se ku ka gjë më fisnike, më moralizuese se të shkruash për atdheun, për kombin, për barazinë gjinore, për mrekullitë natyrore, për misteriozen, për sublimen, për atë që e shikon dhe për atë që e imagjinon fuqia krijuese. Të qenurit shkrimtar është një pikësynim për të jetuar pak më shumë me veten. 

Edhe zanati i mësuesisë më ka ndihmuar që unë të kem një burim frymëzimi nga qeniet më të pastra se loti, nga fëmijët, tanë nga nxënësit e mi. Ata janë miqtë e mi më të mirë. Gjatë punës me ata  ndjehem shenjëtore, sepse ata më shikojnë në bebëzën e syrit tim dhe marrin dritë nga unë.  

Sot krenohem që arrita  t’i kultivoj shumë gjenerata të reja dhe tani, ata ish nxënësit e mi me të cilët punoja edhe jashtë orarit të punës, ndjehen të gëzuar për identitetin e tyre kombëtar, për kulturën dhe traditën shqiptare. Nga puna ime  me ata edhe jashtë bangave shkollore ,arrita të shikoj tri poete dhe shumë të arsimuar që poashtu, sikurse unë kanë kryer gjuhën dhe letërsinë shqipe. Ky mision i shenjtë më bën të ndjehem më e fortë  se kurrë, moralisht.

PORTALB: Kush kanë qenë përkrahësit më të mëdhenj, kuj ia dedikon gjith këtë sukses?

Puntorie Muça Ziba: Kjo pyetje më iritoi pak, prandaj do të përpiqem ta them realitetin. Në fillim jam ballafaquar me një mentalitet që femrën krijuese e shikonte si të përdalë. Në institucionin ku unë nisa t’i  botojë poezitë e para hasa në njerëz monstrum që u përpoqën të më përbaltin. Ata më përbuznin , më përqeshnin … Ndonjëri prej tyre mori guximin dhe haptas më shkruajti një  shkrim të turpshëm në faqet e gazetës “ Flaka e vëllazërimit” . Atë shkrim do ta ruaj derisa të jem gjallë. Me siguri do ta ruajnë edhe fëmijët e mi të cilët javë të tëra më shikuan të rrënuar dhe të tronditur. Nga ajo situatë vrastare kur unë humba moralin për të vazhduar më tutje, më shpëtoi poeti i ndjerë Ramadan Zeneli i cili shkroi për vlerat e mia letrare dhe për atributin tim të fituar me djersë dhe me talent. Ai , poeti fisnik ua përplasi në fytyrë atyre që deshtën të më vënë gardh mua e të përbaltin poezitë e mia, duke futur atributin tim shkrimtare, në thonjëza.  Ata humbësit e mëdhej përbalten veten. Më vjen mirë që poeteve të reja nuk mund t’ju ndodh asgjë e keqe.

Suksesin tim ua dedikoj fëmijëve të mi të dashur: Norës, Agnesës dhe Arbnorit.  Edhe diçka që  do ta them sa herë dikush të më pyet : Po të kisha lindur edhe njëmijë herë do të kisha dashur të kaloj nëpër të njejtat dhiare e t’i kem po këta fëmijë që i kam sot: urtarë ,të dashur, të kulturuar dhe të shkolluar. Do të kisha dashur të eci nëpër të njejtin kalivar,sepse ajo rrugë më kaliti dhe më frymëzoi t’i shkruaj romanet e mia  shumë të lexuara dhe shumë të mirëpritura nga kritika: “ Gjurmë dhe ishuj” dhe “Emma Jazzi”. 

PORTALB: Sa libra keni botuar deri tani? Sa janë të kënaqur  krijuesit shqiptar me mjetet që ndan Ministira për Kulturë?

Puntorie Muça Ziba: Aty ku ka sasi mund të ketë edhe cilësi. Bëra shaka. Deri më tani kam botuar mbi 24 libra nga të gjitha zhanret. 

Unë për vete nuk jam aspak e kënaqur me mjetet që i ndanë Ministria për Kulturë për botimin e një libri. Nuk jam edhe aq shumë e njoftuar se sa jemi të diskriminuar në shpërndarjen e buxhetit dhe në e  marrim hisen që na takon. Mund të them se krijuesit që janë edhe miqtë e mi shpesh ankohen.

PORTALB: A mendoni se keni arritur kulmin e karrierës?

Puntorie Muça Ziba: Nuk besoj se puna e shkrimeve ka të bëjë me karrierën. Shkrimtarët e mirëfilltë shkruajnë derisa ta marrin frymën e fundit. Ndodh që dikush veprat më sublime i shkruan në moshën e pjekurisë ose pleqërisë dhe e kundërta. Mendoj se vetëm  puna e shkrimeve nuk përkon me karrierë. Pyetja përse shkruajnë shkrimtarët vazhdon të mbetet metafizikë.

Unë Puntorie Ziba, mendoj se po të mos shkruaja , ose nuk do të isha gjallë, ose do të kisha përfunduar në ndonjë spital duke vuajtur nga sëmundja që vuajti Minirja e legjendës, nga veremi. Kështu kam mundësi t’i gjykoj gjynahqarët, plangprishësit, magjistarët… Mendoj se kam shkruar disa vepra të cilat kanë fascinuar  dhe kanë kënaqur lexuesin dhe AQ.

PORTALB: Sa vlerësohen artistët në Maqedoni?

Puntorie Muça Ziba: Aspak. Ka disa të përkëdhelur që gëzojnë disa privilegje, por Puntoria, jo. E regjistruam një shoqatë shkrimtarësh, por edhe ajo ka 20 vite që shkoi dushk për gogla nga një matrapaz që fshihet pas portave të spiunëve me qëllim që krijuesit në Maqedoni të jenë të degraduar dhe të heshtur. Çdo punë që e bëjnë krijuesit të cilët posedojnë vlera letrare, kalon në heshtje. Sigurisht që ne nuk do të na harrojë histotia, kurse keqbërësit do t’i dënojë. 

PORTALB: Autorët tuaj më të preferuar…

Puntorie Muça Ziba: Gjatë tërë jetës sime kam lexuar mijëra libra nga të gjitha  zhanret. Ka shumë autor botëror dhe shqiptar që i kam lexuar me andje. Letërsia lulëzon atje ku ka dhunë dhe diskriminim. Për momentin shkrimtari që më së shumti e lexoj është një avganistanas me emrin Khaled Hossein.

PORTALB: Planet për të ardhmen?

Puntorie Muça Ziba: Shpeshherë planet e mia në fushën e krijimtarisë udhëhiqen nga frymëzimet dhe nga faktori kohë. Kështu që nuk kam plane konkrete, vetëm mund t’ju them se  do të shkruaj deri sa të jem gjallë. Nëpër duar e kam një roman  tema e së cilit është shoqërina shqiptare pas 20 viteve. Dmth. Pason romani “ Mëllenjat e bardha”.

PORTALB: Mesazhi juaj për talentet e reja, por edhe  për shkrimtaret femra në përgjithësi…

Puntorie Muça Ziba: Krijueset femra që posedojnë talent duhet të mos ngurrojnë, ato le t’i thonë gjërat shtruar sepse i thonë më mire se burrat. Po kush i këndoi këngët e dasmave, vajet, ninulat …

I kënduan femrat të dashur lexues. Për krijueset e reja mesazhi im është se asnjëherë nuk mund të fitosh atributin shkrimtare ,poqese nuk lexon letërsi të mirëfilltë. Ju faleminderit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button