Me paratë e prindërve mbahet në këmbë çerdhja

Prindërit me vet-iniciativë janë duke i rikonstruuar hapësirat e çerdhes së fëmijëve ‘Mladost’ në Tetovë e cila vite me radhë përballet me kushte shumë të këqija. Portalb vizitoi hapësirat e saj në Tetovë dhe vërejti se ka është mbi-populluar me nxënës ndërsa ata hapësira që janë nuk ofrojnë kushte aq të përshtatshme për zhvillimin e procesit edukativ.

Deri më tani komuna e Tetovës nuk ka bërë ndonjë investim, të gjitha renovimet që janë ndërmarrë janë bërë në bazë të mjeteve vetanake të siguruara nga prindërit. Ndërkaq fëmijët e inkuadruar në çerdhe janë nga mosha 3 deri në moshën 6 vjeçare.

Këtë e vërteton edhe drejtoresha e kësaj çerdheje Ramije Dauti e cila thotë se në procesin e rikonstruksionit janë përfshirë disa nga ambientet e objekteve nga të hollat e mbledhura nga prindërit.

“Çerdhja jonë aktualisht numëron 696 fëmijë të regjistruar. Në koordinim të saj ka shtatë objekte, gjegjësisht pesë në Tetovë dhe dy në fshatrat Nerasht dhe Jegunovcë. Kemi të punësuar rreth 93 edukatorë dhe 38 vullnetarë. Nuk kemi ndihmë nga askush, vet prindërit investojnë sepse nuk dëshirojnë ti lënë fëmijët në kushte të këqija” tha për Portalb, Dauti.

Mësojmë se e vetmja shpresë e kësaj çerdhe për renovim më thelbësor  është donacioni nga një organizatë joqeveritare.

“Ende presim se çfarë do të bëhet” tha drejtoresha e çerdhes.

Ibadete L nga Tetova, një nënë 33 vjeçare thotë se për çdo ditë e dërgon vajzën në çerdhe. Ajo thotë se duhet të gjithë prindërit të mblidhen të kërkojnë përgjegjësi.

“Vetëm nuk bëhet asgjë, sikur të mblidhemi të gjithë si që mbledhim para të këtkojmë përgjegjësi nga kompetentët ndoshta do të ndryshojë diçka. Ndryshe, s’kemi çka bëjmë, un e kam patjetër ta dërgoj vajzën në çerdhe” tha ajo për Portalb.

Nga numri i përgjithshëm i fëmijëve, 445 i përkasin entit maqedonas,234 janë shqiptarë dhe vetëm 17 i përkasin entit rom. 

Në këtë qendër 23 grupe vijojnë edukimin në gjuhën maqedonase dhe 16 grupe në gjuhën shqipe. Theks të veçantë i vihet grupit “Mozaik” i cili kryesohet nga një edukatore shqiptare dhe një tjetër maqedonase. /Portalb

Blerona Jakupi

Lajme të ngjashme

Back to top button