Bumçi: Droga e Shqipërisë po vërshon në Itali

Duke iu referuar një interviste të dhënë nga Maurizio Muscara (shef i repartit operativ të Guardia di Finanza të Barit) për ‘La Gazzetta del Mezzogiorno’, Aldo Bumçi deklaroi se shqetësimit të Partisë Demokratike për rritjen e trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali tashmë i janë bashkuar edhe autoritetet e vendit fqinj.

“Zyrtari i lartë i policisë italiane thotë se droga nga Shqipëria në Itali vjen me tonelata. Kemi denoncuar më parë se në Policinë e Shtetit janë shkarkuar profesionistë për t’u zëvendësuar me militantë dhe në poste kyçe janë caktuar persona të lidhur me krimin dhe me trafikun e drogës”, tha ish-ministri i jashtëm.

Bumçi shtoi: “Policia italiane po jep alarmin se droga e Shqipërisë po vërshon në Itali. Ky është një lajm shumë i keq për ne. U deshën shumë vite punë nga qeveria jonë për ta hequr Shiqpërinë nga lista e zezë e drogës, por pak muaj punë nga qeveria e Ramës për ta rikthyer atë në listë sërish.”

“Pasiguria dhe kriminaliteti janë ulur këmbëkryq në vend dhe tashmë po kanosin dhe fqinjët. PD-ja kërkon nga qeveria masa urgjente që ky trafik të ndalohet sa më parë në mënyrë që Shqipëria të mos bëjë hapa prapa”, përfundoi deklaratën e tij për mediat Aldo Bumçi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button