Аutocensurë – Gazetarë në “kostumin” e pushtetit!

Вака би изгледале македонските весници со отпечатени, па покриени автоцензурирани сегменти. Фото: Marco Bernardini, 2007
Kështu do të dukeshin gazetat e Maqedonisë me segmente të shtypura, e pastaj të mbuluara të autocensuruara. Foto: Marco Bernardini, 2007

Një përqindje e madhe e gazetarëve janë ankuar se ka deficit të madh të lirisë në medie dhe e kanë pranuar se kanë vepruar në kundërshtim me bindjet profesionale. Në fakt, nuk është ndonjë fshehtësi se presioni i përditshëm (ekonomik) të cilit i janë nënshtruar gazetarët, shpeshherë rezulton me pranimin e rregullave të imponuara të lojës. Në një situatë të këtillë, gazetari vetë i pastron informacionet para se t’i vendosë në letër.

Shkruan: Оlivera Vojnovska

Vëzhguesit e misionit monitorues të OSBE/ODIHR-it dhe Kuvendit parlamentar të Këshillit të Evropës (KPKE), e kanë vërejtur “fenomenin e autocensurës te faktorët mediatikë” në vend dhe e kanë shënuar atë në Raportin preliminiar për rrethin e parë të zgjedhjeve për kryetar të vendit.

Mirëpo, pse gazetarët kanë vendosur t’i tërheqin kufinjtë e lirisë së tyre dhe çfarë përmasash merr kjo sëmundje e rrezikshme për shëndetin e shoqërisë sonë? Në muajin mars të këtij viti u publikuan rezultatet dëshpëruese nga Hulumtimi i Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë dhe agjencisë “M-prospekt”, për të drejtat e punëtorëve dhe të drejtat profesionale të gazetarëve të Maqedonisë. Ky hulumtim, në të cilin ishin të përfshirë 300 të anketuar, nga të cilët 98 përqind ishin gazetarë, tregoi se madje 65 për qind prej tyre në lëkurën e tyre e kanë përjetuar censurën, ndërsa 53 për qind kanë praktikuar autocensurë!

FILTRIMI MBETET RUTINË

Me fjalë të tjera, një përqindje e madhe e gazetarëve janë ankuar se ka deficit të madh të lirisë së medieve dhe e kanë pranuar se kanë vepruar në kundërshtim me bindjet profesionale. Në fakt, nuk është ndonjë fshehtësi se presioni i përditshëm (ekonomik) të cilit i janë nënshtruar gazetarët, shpeshherë rezulton me pranimin e rregullave të imponuara të lojës. Në një situatë të këtillë, gazetari vetë i pastron informacionet para se t’i vendosë në letër. Filtrimi bëhet rutinë dhe bëhet edhe atëherë kur ata që e krijojnë politikën e medies, nuk e kërkojnë këtë. E me një presion të tillë, gazetari nuk mund të mbetet i pavarur, e as të jetë objektiv dhe i drejtë – edhe ndaj publikut edhe ndaj atyre për të cilët raporton.

Dhe përderisa censura përjetohet si formë e kontrollit të informatave dhe ideve që qarkullojnë në shoqëri, dhe e cila manifestohet në të gjitha format e pushtetit, fenomeni i autocensurës ndodh atëherë kur vetë gazetarët e ndalojnë publikimin i informatave dhe me vetëdije e kufizojnë lirinë personale për krijimtari. Kështu që, autocensura është shumë më e tmerrshme se sa censura dhe shkon dorë për dore me konformizmin.

REKLAMUESIT NUK GUXOJNË TË HIDHËROHEN!

Ka definicione të shumta për autocensurën. Ajo kryesisht definohet si kontroll i të shprehurit ose krijimtarisë me qëllim që të evitohen disa situata të pakëndshme, mirëpo pa presion të hapur nga partia në pushtet, ndonjë kompani apo institucion shtetëror. Në Wikipedia shkruan se për dalllim nga censura shtetërore:

“Аutocensura nënkupton kufizim të lirisë së të shprehurit dhe lirisë së publikimit, të cilën ia imponojnë vetëvetes mediet elektronike dhe ato të shtypura, si dhe botuesit. Ndërsa, në kontekst të lirisë së medieve ky konsiderohet si proces shumë problematik. Shteti nuk intervenon te autocensura, për shkak se autocensura e bën censurën institucionale pothuajse të panevojshme. Një shembull tipik i autocensurës është kur redaktori, me vetëdije ose pa të, përcaktohet që të mos raportojë për tema të cilat do të mund t’i hidhëronin reklamuesit ose pronarët e medies (kompanisë amë).” 

 

GAZETARËT NË NGËRÇ

Përfaqësuesit e “Raportuesve pa kufinj”, para dy muajsh në Shkup treguan se si Maqedonia u gjet në vendin e 123-të në Raportin e tyre për vitin 2014. Si arsye kryesore për shkak të të cilave vendi është pozicionuar aq poshtë në listën e vendev sipas lirisë së medieve, u potencuan autocensura dhe reklamimi shtetëror. Sipas mendimit të Antoan Eri, shef i zyrës së “Raportuesve pa kufinj” për BE-në dhe Ballkanin, sipas të gjitha parametrave Maqedonia e meriton këtë vend.

“Maqedonia u gjet në vendin e 123-të në Raport, që për katër vite paraqet rënie marramendëse prej 87 vendesh më poshtë, dhe kjo flet qartë për erozionin e lirisë së të shprehurit në medie. Аutocensura arriti deri në atë shkallë, sa gazetarët duhet ta ushtrojnë profesionin e tyre në klimë e cila është gjithnjë e më e vështirë, madje ngulfatëse. Autoritetet e Maqedonisë kanë ndikim që nuk tolerohet ndaj redaksivve dhe ka intervencionizëm të theksuar,” tha аtëherë shefi i zyrës së “Raportuesve pa kufinj”.

Nuk mund të mbetemi indiferent ndaj vlerësimeve të këtilla dhe faktit se kjo dukuri, e cila aktivizohet kur ka klimë të frikës, ka gjetur truall të përshtatshëm në gazetarinë e Maqedonisë. Përkundrazi, brengos fakti se ka aq shumë autocensurë në medie dhe hap shumë çështje. Ç’është ajo që i ka detyruar gazetarët t’i “zbusin” tekstet e tyre ose t’i fshehin informatat, edhe pse e dijnë se nuk janë të vërteta? Edhe pse e dijnë se për shkak të raporteve të fabrikuara, nuk do të ndjehen mirë dhe nuk do të flejnë rahat. Shkaku për këtë, është frika nga humbja e vendit të punës. Dhe kjo frikë i mban ata në ngërç të vazhdueshëm. Prandaj edhe i nënshtrohet një censure dhe autocensure të butë ose miqësore.

CENSURË MIQËSORE OSE VETËCENSURË

Njëri nga shkrimtarët më të dalluar dhe më interesantë të hapësirave ballkanike, Danillo Kish (1935-1989) e ashtuquajtura “censurë miqësore” – këshillat qëllimmira për largimin e pjesëve të caktuara të ndjeshme nga teksti, e ka përshkruar si një lloj kalimi prej censure në autocensurë.

“Vetëcensura është e padukshme, mirëpo e pranishme, larg syve të publikit, e shtyrë në pjesët më të fshehura të shpirtit, dhe e kryen punën e saj në mënyrë më efikase se sa cilado qoftë censurë. Edhe pse të dyja i shfrytëzojnë mjetet e njëjta: kërcënimet, frikën dhe shantazhet, autocensura e fsheh, ose së paku nuk e denoncon ekzistimin e presionit. Lufta me censurën është publike dhe e rrezikshme, prandaj edhe është heroike. Përderisa lufta me autocensurën është anonime, e vetmuar dhe pa dëshmitarë dhe për këtë arsye te njeriu shkakton ndjenjë të nënçmimit dhe turpit për shkak të kolaboracionizmit.”

MOTËR E GËNJESHTRËS – KORRUPSION SHPIRTËROR

Shkrimtari i njohur e sheh autocensurën si lexim të tekstit personal me sy të huaj. Dhe këtë veprim, aspak të këndshëm, e përshkruan në mënyrë shumë ilustruese:

“Vetë bëheni akuzues të vetëvetes, të dyshimtë dhe të rreptë, më shumë se çdokush tjetër. Për shkak se ju në këtë rol e dini edhe atë që asnjëherë, asnjë censor nuk mund ta zbulojë në tekstin tuaj, atë që e keni heshtur dhe nuk e keni thënë dhe atë që asnjëherë nuk e keni shkruar në letër, mirëpo që u duket se ka mbetur “në mes të rreshtave”.

Danilo Kishi për autocensurën thotë se është motër e gënjeshtrës, korrupsion shpirtëror dhe mbushje negative e energjisë kreative. Si dhe veprimi në kohë të gjatë i autocensurës, në mënyrë të pashmangshme çon drejt katastrofave, krijuese, kreatove dhe njerëzore, jo më të vogla se sa ato që i shkakton censura.

THIRRJE RUTINORE NGA PUSHTETI

Vetëcensura te gazetarët e Maqedonisë është një nga problemet që është përmendur edhe në Raportin për të drejta e njeriut të Stejt Departmentit për Maqedoninë në pjesën për lirinë e medieve për vitin 2013. Në këtë Raport të publikuar në fund të shkurtit të këtij viti, poashtu, thuhet se autocensura është rezultat i presionit të Qeverisë mbi mediet dhe gazetarët.

“Një numër i madh i  gazetarëve kanë qenë nën presion të kenë qëndrim proqeveritar gjatë raportimit, ndërsa në të kundërtën do t’i humbnin vendet e tyre të punës. Kishte pohime se qeveria ka bërë presion mbi mediet dhe i ka detyruar gazetarët të praktikojnë vetëcensurë. Gazetarët njoftuan se është e pranishme një vetëcensurë shumë më e madhe gjatë raportimit për çështje të ndjeshme për qeverinë. Меdiet në pronësi private thonin se kanë pranuar thirrje rutinore nga përfaqësuesit e niveleve më të larta të pushtetit, duke u diktuar se si dhe për çka të raportojnë në lidhje me çështjet politike”, është konstatuar në Raport.

KONFORMIZMI E SHKEL PROFESIONALIZMIN

Për fat të keq, të shumtë janë shembujt e autocensurës në mediet e Maqedonisë. Për shembull, në një pjesë të raportimeve për protestën e gazetarëve kundër vendimit gjyqësor për dënim me burg për kolegun Tomisllav Kezharovski, disa gazetarë i njollosën demonstrantët – kolegët e tyre, ndërsa krejtësisht e heshtën sjelljen e vrazhdë të policisë. Duke dashur që ta minimizojnë dhe ta diskreditojnë protestën (që është me të vërtetë fakt dëshpërues) publikuan se ka pasur mezi 50 gazetarë, ndërsa të tjerët kanë qenë njerëz të moshuar dhe opozitarë “që kanë ardhur për të shkaktuar trazira”!

Për atë se çka në të vërtetë ka ndodhur në protestë, dëshmojnë inçizimet nga ngjarja. Ndërsa, raportimet e këtilla, “të sakatuara”, vetëm tregojnë se si është mposhtur vetëdija profesionale nga konformizmi. Kjo, për autorët e teksteve, me siguri nuk ka qenë betejë e lehtë. Më shumë për faktin se bëhej fjalë për protestë të gazetarëve për kolegun e tyre, i cili në atë kohë akoma ishte në paraburgim. Mu për këtë arsye, së pakur nga aspekti kolegial, gazetarët që raportuan duheshte ta përcjellin atmosferën ashtu siç ishte – as të heqin, e as shtojnë diçka. E jo ta “copëtojnë materialin” e esnafit të gazetarëve, të ndarë ndërmjet kordonit të forcave speciale dhe Muzeut të luftës revolucionare, që “kostumi” i qeverisë të duket më bukur!

 VETËM LAJME TË MIRA

Në fillim të dhjetorit një televizion me koncesion nacional, i transmetoi vetëm lajmet e mira nga konferenca për shtyp e eurokomisarit për zgjerim, Shtefan Fyle. Me këtë rast, nga fjalimi i eurokomisarit për zgjerim, me vetëdije është anashkaluar pjesa më e rëndësishme që dërgon porosi të qartë deri te udhëheqësia e shtetit:

“Perspektiva për samitin e dhjetorit, mirëpo edhe për më vonë, edhe më tutje është e errët. Unë jam i brengosur për situatën politike në IRJ të Maqedonisë dhe për tensionet ndërmjet qeverisë dhe opozitës, si dhe nga fakti se nuk ka rezultatet të prekshme për çështjen e emrit…”

Çka i ka shtyrë kolegët që të fshijnë, ose të fshehin, paragrafe të tëra që nuk janë të favorshme për qeverinë, nuk është e vështirë të supozohet.

NUK KA AFERA NË QEVERI – AJO ËSHTË E PASTËR SI KRISTALI!

Shembulli 1

Disa medie e kanë dëgjuar vetëm gafin e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, kur ai në konferencën për shtyp më 15 prill të këtij viti publikisht e pyeti kryeministri Nikolla Gruevski:

“nga biznismeni i njohur ka marrë 1,5 milionë euro në kesh, me çka e dëmtuar shtetin për 225.000 еuro si rezultat i tatimit të tatimit të papaguar, a është ai stërbabai i rrjeteve off-shore, kompanive off-shore nëpërmjet të të cilave nxirret kapitali i qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa futet si kapital i familjes, dhe a blen vota me këto para”,

Zaevi, atëherë në vend të kompanive “off-shore”, tha kompanitë “off-short”. Kështu, përveç për gafin e liderit të LSDM-së, në këto medie nuk kishte asnjë fjalë për akuzat të cilat Zaevi ia bëri Gruevskit.

Interesant është fakti se vetëm një pjesë e medieve që shkruajnë me simpati për pushtetin, e transmetuan komunikatën e VMRO-DPMNE-së, ku thuhet se “Zaevi trillon dhe halucinon” dhe se kryeministri do të parashtrojë padi për ofendim dhe shpifje.

Mirëpo, asnjëri nga këto medie nuk i transmetoi edhe konferencat për shtyp të Zaevit që pasuan në dy ditët e ardhshme. Në njërën prej tyre, lideri i LSDM-së deklaroi se Gruevski, gjoja,

“për shitjen e Bankës maqedonase ka marrë 1,5 milionë euro në kesh nga biznesmeni kontarverz serb, Jovica Stefanoviq-Nini”.

konferencën tjetër për shtyp Zaevi medieve ua dha audio-inçizimin, i cili sipas tij, është dëshmi për “skandalin ku është i përfshirë kryeministri”.

Duhet theksuar se edhe fakti që kishte heshtje të plotë (me përjashtime të rralla) edhe në mediet e shtypura. Poashtu, për këtë skandal që e hapi opozita, aspak nuk informoi televizioni shtetëror (RTM), si dhe tre televizione me koncesion nacional, që e favorizojnë pushtetin. Me gjasë, vlerësimi ka qenë se audio-inçizimi mund të shkaktojë nervozë te ata që nuk rekomandohet të nervozohen. Prandaj, janë përcaktuar që të jenë pragmatikë dhe plotësisht ta injorojnë rastin, për shkak se edhe ashtu, qeveria është e pastër si kristal!

Shembulli 2

Një pjesë e medieve treguan mosinteresim edhe kur оpozita e zbardhi rastin “Aktori” dhe shprehu dyshim për atë se si ka mundësi që për “autostradën e gjatë vetëm 28 kilometra qeveria të harxhojë 271 milionë euro, gjegjësisht nga 10 milionë euro për çdo kilometër të autostradës Demir Kapi – Smokvicë”.

Mirëpo, këto medie në mënyrë integrale i transmetuan reagimet e VMRO-DPMNE-së për atë se: “Për realizimin e këtij projekti respektohen të gjitha rregullat ligjore evropiane dhe maqedonase.” 

Vetëm se, pyetja është se çfarë frenash duhet të përdorin gazetarët, që të mos publikojnë informata në lidhje me mega aferat që çojnë deri në majet e qeverisë?

Shembulli 3

Një pjesë e medieve nuk i kushtuan vëmendje as skandalit me tenderin milionësh në shëndetësi të cilin e publikoi оpozita në fillim të janarit, duke publikuar dokumente, sipas të cilave thuheshte se “redaktorja e preferuar e kryeministrit dhe e partisë në pushtet ka qenë partner afarist i pushtetit në sektorin e shëndetësisë”. Mirëpo, edhe pse nuk panë provokim në aferën e përmendur, disa ditë më vonë në të njëjtat medie kishte аrtikuj mjaft të gjerë kushtuar arsyetimit të ministrit në lidhje me këtë rast.

E kur të lexohen vetëm këto tekste, fitohet përshtypja se në fakt, nuk ka pasur aferë. Se gjithçka ka qenë në suazat ligjore, përveç, ndoshta “pak joetike”.

Dhe në fund, se a do të thuhen gjërat apo do të heshten dhe pa u kundërvënë do të përmbushen pritjet e redaksisë ose të menaxhmentit, është vendim personal. Sikurse edhe vendimi për atë se ku duhet të tërhiqen vijat ndërmjet vetëkontrollit, konformizmit dhe autocensurës. E nëse sytë janë pasqyrë e shpirtit, e mediet pasqyrë e shoqërisë, fotografia në pasqyrën e sagës sonë të Maqedonisë, për fat të keq, nuk është shumë tërheqëse.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button