Spiuni francez që vonoi 6 muaj bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Bombardimi i NATO-s kundër forcave ushtarake e policore serbe në mbrojtje të popullatës civile në Kosovë, që filloi më 24 mars 1999, mund të ndodhte gjashtë muaj më herët, po të mos i prishte këto plane gjeneralmajori serb, Jovan Millanoviç.

Qindra jetë shqiptarësh do ishin shpëtuar, qindra gjymtime dhe përdhunime do ishin shmangur nëse sulmi do të ndodhte më herët.

Millanoviç është mbështetur te majori francez Pierre-Henri Bunel, pjesë e inteligjencës franceze, i cili kishte siguruar skicat për caqet e sulmit të aeroplanëve të NATO-s.

Në botimin e plotësuar të librit të tij “Serbia dhe NATO”, Millanoviç thotë se më 1995 kishte detyrë të ishte spiun në Bruksel, në selinë e NATO-s, por nën postin zyrtar si këshilltar-ministër në Ambasadë. Ai shkruan se i ishte ngarkuar detyra që të ndërtonte një rrjet informimi që do të zbulonte planet e NATO-s.

Ai thotë se në këtë e ka ndihmuar ushtaraku i sipërpërmendur francez.

“Informacionin e parë që kam pasur nga ai e kam kontrolluar në dy ose tre anët, dhe pastaj kam filluar t’i jap detyra. Ai u fut në lojën e spiunimit, shumë i sinqertë dhe i vetëdijshëm për të gjitha pasojat”, thotë Millanoviç, i cili thekson se përgatitjet për sulm në NATO janë bërë gati më 1998 dhe se vendimi për sulm është marrë më 12-13 tetor.

Këto informata e këto plane të NATO-s ia kishte dërguar Bunel atij në banesë.

“I kemi analizuar në mbrëmje dhe pastaj u ndamë duke menduar se që të dy atë natë do të arrestohemi. Për mua atëherë nisi ferri. Çfarë të bëj me letrat? Ku të shkoj në ora 11:30? Si t’i mbartja ato? Dola te dalja nga kontejnerët. Hodha një qese e tjetrën e mbarta. Në Ambasadë kam përpunuar dokumentet, siç kërkon procedura, dhe i dërgova në Beograd”, thotë ai, duke shtuar se në bazë të këtyre informatave u bë ripozicionimi i forcave serbe. Pas kësaj sulmi u shty për 6 muaj”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button