Puçistët e BFI-së dënohen vetëm me burg me kusht

Burg me kusht për puçistët e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë ka vendosur Gjykata Themelore Shkupi I.
Ish-zyrtarët e këtij institucioni fetar – Afrim Tahiri, Ibrahim Shabani, Skender Buzaku dhe Abaz Islami janë dënuar me nga 3 muaj burg me kusht për vepër penale “pjesëmarrje në grupim” dhe “prishje të rendit dhe qetësisë”, ndërsa të njëjtit obligohen t’i paguajnë BFI-së 169.710 denarë për dëmin që, siç thuhet në aktvendimin përfundimtar, të paditurit i kanë shkaktuar institucionit fetar, transmeton Gazeta Koha.

Bëhet fjalë për marrjen nën kontroll të objektit të BFI-së në Shkup, më 4 maj të vitit të kaluar.
“Me 3 muaj burg me kusht janë dënuar gjithashtu edhe 19 persona tjerë: Lulzim Islami, Idriz Shabani, Suliman Shabani, Sami Rushidi, Xhemilj Demir, Zekish Shabani, Metin Shabani, Ridvan Shabani, Bunjamin Shabani, Sedat Rushidi, Xhevair Abdi, Ismet Shabani, Diljaver Aliju, Llokman Aliju, Alil Osmani, Xhemail Shabani, Ajet Adilovski, Ismet Aliju, dhe Shaip Rushiti. Të paditurit dënohen me nga 3 muaj burgim, nëse gjatë dy viteve të ardhshme të paditurit nuk kryejnë ndonjë vepër penale. Gjithashtu, të paditurit duhet të paguajnë për dëmin material të shkaktuar në ambientet e BFI-së gjatë ditës së sulmit, i cili kap vlerën prej 169.710”, thuhet në njoftimin e BFI-së.

Sidoqoftë, nga Bashkësia Fetare Islame në njoftimin drejtuar mediave shprehin çudi se, “si ka mundësi që një vepër e tillë kriminale e argumentuar me të gjitha materialet e nevojshme, përfundon me epilog i cili aspak nuk i dëmton puçistët, të cilët aq shumë e dëmtuan dhe vazhdojnë ta dëmtojnë BFI-në”.

Dënimi i tyre, thuhet në njoftimin e BFI-së, më tepër ngjan në një farë shpërblimi se sa dënimi. “Dhe mbi të gjitha është tregues i qartë për drejtësinë me dy arshinë, ku në rastin ‘përçarësi’ të Vranishkovskit, gjykata e dënoi me 3 vjet burgim, ndërsa ata që vërtetë e sulmuan institucionin fetar Islam, fizikisht dhe me tendencë të bëjnë përçarje tek besimtarët, dënohen me nga 3 muaj me kusht”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button