Kur fotografia nuk flet me tekstin

[Recension: “Ne vendosim”: Lista zgjedhore në Maqedoni vërshohet nga fantomët]

 Nëse bëhet një lloj analize apo monitorimi mbi cilësinë e lajmeve të portaleve në Maqedoni, mund të vërehet se një pjesë bukur e madhe e tyre kanë një mungesë të theksuar të respektimit të parimeve bazë të gazetarisë dhe rregullave mbi raportimin dhe shkrimin e lajmeve. Më të rrallë janë ato portale që bëjnë përjashtim nga ky trend dhe përpiqen të respektojnë standardet gazetareske. Një ndër ata pa dyshim se është edhe telegrafi.com

[Recension: “Ne vendosim”: Lista zgjedhore në Maqedoni vërshohet nga fantomët]Linku për te artikulli origjinal: Recension: “Ne vendosim”: Lista zgjedhore në Maqedoni vërshohet nga fantomët

Data dhe koha e publikimit: 11.11.2016

Data e recensionit: 12.11.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Lajmi që është marrë për bazë recensimi, në parim, është në rregull. Edhe përkundër faktit se bëhet fjalë për një komunikatë të hedhur, ashtu siç ka mbërritur në e-mail-in e këtij portali. Vlen të theksohet se komunikatat për media nuk duhen marrë dhe publikuar në stilin copy-paste. Ato kanë nevojë për përpunim, vendosje në kontekst, dhe çka është më e rëndësishmja, të shoqërohen edhe me palën e kundërt, atje ku informacioni shpalos konfrontim të dy qëndrimeve ose palëve. Komunikatat në vetvete nuk përbëjnë lajm. lajmi është arti i kombinimit të qëndrimeve dhe përfshirjen e disa palëve brenda tij. Këtë jo çdo herë arrijnë ta bëjnë gazetarët, shpeshherë edhe për shkak të “luftës” që kanë me kohën, por gjithsesi përpjekje duhet bërë deri në momentin e fundit.

Në tekst përmendet se iniciativa qytetare “Ne Vendosim” ka kërkuar sqarim nga KSHZ-ja se përse qytetarët duhet të drejtohen në MPB për t’u regjistruar në listën zgjedhore si dhe për procedurat e stërzgjatura që kërkohen për ta bërë një gjë të tillë. Dakord, përcjellja e këtij reagimi është në rregull, nëse e vështrojmë përmbajtjen si një lajm të shkurtër agjencik, apo si përcjellje e një reagimi.

Mirëpo, për diçka më tepër, do të duhej të ishte bërë pak më shumë përpjekje për ta pasuruar lajmin. Mund të ishte kërkuar përsëri qëndrim nga KSHZ dhe MPB për këto “pengesa”, sepse, fundja, gazetari duhet të jetë skeptik ndaj çdo burimi, pa marrë parasysh se bëhet fjalë për një iniciative qytetare. Mund të ketë plotësisht të drejtë, por në rast se ndodh që një burim të mos jetë vetë i informuar mirë për situatën për të cilën flet dhe ne e publikojmë të njëjtin, duhet ditur se ne jemi ata që kemi ‘mashtruar’ publikun, e jo burimi. Burimet, institucionet, aktivistët, personat publikë, qarqet e ndryshme, mund të thonë çfarë të duan dhe të kërkojnë që të dëgjohet zëri i tyre. Prandaj është gazetari aty, mu në mes të informacioneve që kërkojnë të masivizohen nga njëra anë dhe publikut që kërkon të informohet drejt dhe saktë nga ana tjetër.

Të kuptohemi, jo që është gabim kështu siç është dhënë lajmi, por po flasim për aspiratat të cilat duhet t’i ketë gazetari për të maksimizuar komponentat cilësore të produktit të vet.

Këtu kemi të bëjmë edhe me një kontest tjetër. Fotografia e lajmit, e vetmja gjë që është vërtetë problematike në këtë tekst. Kujdes, aty në foto kemi një moment të zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa lajmi po flet për listat zgjedhore në Maqedoni. A s’u gjend një foto tjetër nga votimet apo nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni? Ka sa të duash. Mund të mos konsiderohet si ndonjë gabim i madh, por në të vërtetë është, sepse kur lexuesit i del përpara një lajm i tillë, ndodhet në mes dilemës se a duhet t’i besojë titullit që përmend listën zgjedhore në Maqedoni, apo t’i besojë fotografisë që komunikon ndonjë cikël zgjedhor në Kosovë. Jo të gjithë lexuesit janë të stërvitur për të kapur tamama sshtu si duhet atë që plasohet në media.

Së fundmi, kur flasim për fotografinë, një problem shumë evident në portalet tona, e që nuk mungon as këtu, është autorësia e fotografisë. Duhet të tregohet burimi nga është huazuar fotoja, ndërsa, nëse është pronë e mediumit, atëherë është mirë edhe të tregohet data se kur është shkrepur fotografia dhe të shkruhen nja dy fjalë mbi të dhe situatën që ajo ilustron. Është punë e mërzitshme, por çfarë t’i bëjmë. Jo më kot gazetarët, për punën e tyre të palodhshme, duhet të gëzojnë respekt maksimal në shoqëri.

 

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button