Zgjohu: Trajanovski të respektoj ligjin për dygjuhësi

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! reagon ashpër ndaj Administratës së qytetit të Shkupit dhe Kryetarit të qytetit Koce Trajanovski për mospërdorimin e gjuhës shqipe, respektivisht mospërdorimin e dygjuhësisë e cila në territorin e qytetit është kategori juridike e obligueshme.

“E përkujtojmë Trajanovskin që sipas dispozitave ligjore në fuqi, të gjitha mbishkrimet publike në Shkup duhet të jenë të shkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip. Kjo vlen edhe për të gjitha ndërmarrjet publike që funksionojnë nën qytetin e Shkupit. E palejueshme dhe e patolerueshme është që një funksionar i zgjedhur nga ana e qytetarëve të mos respektojë ligjin. Mosrespektimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe tanimë është bërë praktikë e të gjithë funksionarëve të partisë më të madhe në pushtet duke irituar në këtë mënyrë popullatën shqiptare të Shkupit dhe më gjërë. Deri më tani opinioni nuk mban mend që dikush të jetë i dënuar sipas dispozitave të këtij ligji edhepse ndëshkimet janë mjaft të larta ndërsa dygjuhësia as nuk respektohet e as nuk zbatohet”.

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! e fton kryeprokurorin e shtetit dhe organet tjera relevante që të japin kontributin e tyre drejt respektimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe të mos bëjnë kurfarë opstruksione ndaj dygjuhësisë. Anarkia juridike e shkatuar nga influenca politike mbi sistemin e drejtësisë duhet ndërprerë njëherë e përgjithmonë.  

Lajme të ngjashme

Back to top button