Siguri ultra e përforcuar gjatë vizitës së Obamës në Athinë

Përfaqësues të autoriteteve greke dhe amerikane, deri vonë mbrëmë i kanë finalizuar masat e ashpra të sigurisë për vizitën e presidentit amerikan, Barak Obama në Athinë.

Masat e para të sigurisë në kryeqytetin grek zbatohen që prej dje dhe do të përforcohen edhe më tepër, me ç’rast agjentët amerikanë e kanë fjalën e fundit në planifikim dhe organizim, në bashkëpunim me policinë greke.

Sipas burimeve amerikane, Obama do të arrijë me mbi 500 njerëz shoqërim dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, prej të cilëve shumica tashmë ndodhen në Greqi. Prej të premtes në Athinë me aeroplanë transportues kanë arritur limuzina e blinduar dhe automobilat me të cilat do të udhëtojë presidenti amerikan dhe shoqlria e tij gjatë vizitë, si dhe një helikopter dhe armatim i rëndë të cilin do ta përdorin forcat amerikane të sigurisë dhe ekipe për intervenim të shpejtë të cilët i vëzhgojnë rajonet që do t’i vizitojë.

Në kuadër të sigurimit ka edhe një numër të madh të automjeteve të pajisura me pajisje më të re elektronike të sigurisë, siç janë makina të cilat mund të locojnë dhe të neutralizojnë bomba apo të çkyçin telefona mobil dhe pajisje të tjera elektronike.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, lokacionet që do t’i kalojë presidenti i SHBA-së, do të jenë të mbyllura së paku gjysmë ore para asaj, ndërsa nëpër çati dhe pika të tjera do të vendosen snajperistë. Në shoqërim ka edhe spital mobil, me personel prej 150 njerëzve në gjendje gatishmërie, gjithashtu nga SHBA-ja.

Truprojet e Obamës do t’i njoftojnë shërbimet greke për lëvizjen e presidentit në moment të fundit, ndërsa shoqëria e tij personale dhe ekipi i sigurisë numërojnë rreth 300 njerëz.

Nga ana greke, në masat e sigurisë do të marrin pjesë 4.500 policë, të cilët do ta shoqërojnë presidentin e SHBA-së, do të formojnë kordon të rrugëve dhe do të sigurojnë forma të tjera të mbrojtjes.

Në mesin e masave të planifikuara të sigurisë janë kufizimet për lëvizje të automjeteve, të cilët në Athinë janë në fuqi sot dhe nesër, deri në fund të vizitës. Rrugët përgjatë gjatësisë së trasesë ndërmjet aeroportit në Athinë dhe hotelit, ku do të qëndrojë Obama së pari do të jenë të mbyllura, e më pas do të bëhen ndryshime varësisht nga kushtet në komunikacion dhe lëvizja e presidentit.

Rrugët ku do të kalojë Obama dhe shoqërimi i tij do të jenë të mbyllura para se të kalojë, ndërsa do të hapen pas një periudhe të caktuar, e cila ende nuk është konstatuar. Sipas policisë së komunikacionit të Atikës, ka dispozitë për masa për lehtësim të komunikacionit në Athinë gjatë vizitës, ndërsa policia i këshillon vozitësit të harmonizohen me udhëzimet e dhëna nga ana e policisë së komunikacionit në mënyrë që të evitohet tollovia më e madhe.

Policia greke kumtoi se prej mesditës do të mbyllen pesë metro stacione në qendër të Athinës, si pjesë e masave të ashpra për siguri për shkak të vizitës së presidentit të SHBA-së. Automjetet nuk do të ndalen në Sintagma, Evangelismos, Megaro Musikis (Salla koncertale athinase), Akropoli dhe Singru Fiks, ndërsa sërish do të hapen pas urdhërit policor. Linja e kaltër e metrosë, gjithashtu, nuk do të funksionojë nga dhe nga aeroporti ndërkombëtar në Athinë në kohëzgjatje prej një ore duke filluar prej orës 10:20.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button