Këndi Austriak i UT-së organizoi orë letrare

Në Këndin Austriak të Universitetit të Tetovës, më 11 nëntor 2016, artistja e re austriake Stefanie Sargnagel, para studentëve të Fakultetit Filologjik mbajti një orë letrare. Përmes këtij takimi, poetesha e re nga Austria, shteti mik i shqiptarëve, e pasqyroi para studentëve tanë veprimtarinë e saj krijuese moderne, madje tepër atraktive, e frymëzuar nga përditshmëria e komunikimit mes të rinjve, përmes rrjeteve sociale. Aktivitetin e saj intensiv në median sociale, ajo e ndau me studentët e Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë gjermane të UT-së, të cilët u impresionuan nga stili artistik që ajo krijon.

Shefja e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Universitetin e Tetovës, Mr.sc. Alida Emini tha se ky aktivitet ka për qëllim që sa më shumë të nxisë dhe t’i motivojë  studentët tanë që të lexojnë literaturë gjermane. ,,Të gjitha ato momente më interesante i ka përmbledhur në një libër dhe deshi që para studentëve dhe të pranishmëve të bëjë prezantimin e tyre. Gjithsesi është një iniciativë e cila duhet të shtojë interesin më të madh për të lexuar në gjuhën gjermane, për të përvetësuar gjuhën më mirë, të gjithë ata që janë të interesuar dhe natyrisht studentëve të katedrës sonë t’u ofrojmë jo vetëm literaturën që është këtu në Këndin Austriak, gjithashtu si donacion nga Austria, por për së gjalli të përjetojnë kësi lloj orësh letrare nga autorë të njohur nga Austria dhe Gjermania”, tha Mr.sc. Alida Emini.

Këndi Austriak në Universitetin e Tetovës në programin dhe veprimtarinë e tij ka paraparë që për studentët tanë të prezantojë filma austriak, të realizojë takime me shkrimtarë gjermanishtfolës, të ofrojë literaturë dhe informacione nga shtypi austriak, dhe mes tjerash, të shërbejë edhe si një vendtakim ku do të shkëmbehen ide intelektuale mes studentëve, profesorëve dhe studiuesve, si dhe organizimin e vizitave studimore dhe ekskursioneve në Republikën e Austrisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button