Jakupi: Zgjedhjet parlamentare mund të përkojnë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Nën kryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, ka deklaruar se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund të bëhet në afatin nga data 27 shkurt deri më 4 mars, ndërsa është e pamundur që ato të mbahen në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale për shkak të skadimit të afatit kohor, transmeton Alsat.

Datat 3 ose 4 mars konsiderohen si afatet e fundit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për t’u mbajtur në të njëjtën ditë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

“Se a mundet në rrethin e dytë të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare,  opsioni ekziston. Nga afatet kohore, ende ka kohë për këtë që mund të na ndodhë. Kështu që prej 27 shkurt deri më 3 ose 4 mars mund të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare”, u shpreh Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Në seancën e sotme KSHZ-së miratoi vendimin që të kërkohen para shtesë nga qeveria për realizimin e zgjedhjeve presidenciale, pasi është vlerësuar se 245 milion denarët e ndarë për këtë proces zgjedhor, janë të pamjaftueshme. Shpenzimet pritet të jenë të larta për shkak të votimit të diasporës, proces ky që do të kërkojë 50 milion denarë; për transport dhe veprimet operacionale të procesit jashtë vendit. 20 milion denarë të tjera janë kërkuar vetëm për shpalljet nëpër përfaqësitë diplomatike konsullore.

“Në bazë të planit që ne kemi bërë këto mjete nuk janë të mjaftueshme për realizimin e procesit të përgjithshëm zgjedhor dhe në ditën e sotme u miratua që të kërkohet nga ministria e financave dhe qeveria që të ndahen mjete shtesë nga rezervat e buxhetit. Shuma është 124 milion denar që do të thotë se me këtë shtesë shuma e përgjithshme do të jetë 369.438.000 denar që planifikojmë se mund të na kushtojnë për procesin zgjedhor në përthithësi”, u shpreh Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Ndërkaq, nga dita e diel, më 16 shkurt fillon edhe shqyrtimi publik i listës zgjedhore i cili do të zgjasë 20 ditë, konkretisht deri më 7 mars. Gjatë kësaj periudhe votuesit do të mund të gjejnë veten në listën zgjedhore. Me këtë proces, njëkohësisht fillon edhe mbledhja e firmave për ata që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale si kandidat të pavarur. 

Lajme të ngjashme

Back to top button