Përgatiteshin për gjakmarrje, arrestohen 4 persona në Tiranë

Katër persona kanë përfunduar në pranga e policisë, midis tyre edhe një i dënuar për vrasje, pasi janë kapur në flagrancë me armë silenciator dhe po përgatiteshin për vrasje me motiv gjakmarrjen.

Policia nuk sqaron se kush ishte në shënjestër, duke theksuar se ky informacion nuk jepet për arsye hetimore.

Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar shtetasit Edmond Marku, 32 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lezhë për Vjedhje, Blindim Isa, 25 vjeç, banues në Kukës, i dënuar më parë për “Vrasje me dashje”, Artur Shehu, 22 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike, si dhe Klodjan Koca, 34 vjeç, banues në Fush-Kuqe.

“Arrestimi i këtyre shtetasve, u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë kapur në flagrancë duke përgatitur një silenciator, për ta montuar në pistoletën tip “Zastav”, të cilën e mbanin pa leje.

Këtë armë po e përgatisnin për të kryer vrasjen e një shtetasi, për motive gjakmarrje (nuk jepen të dhëna mbi personin e shënjestruar për arsye hetimi dhe sigurie)”, thekson deklarata. Arma e sipër cituar është gjetur në banesën e shtetasit Edmond Marku, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”, transmeton Ora News.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button