Lirohen shqiptarët e arrestuar në Jemen

Tre shqiptarët, të cilët akuzoheshin për trafik armësh në Jemen janë lënë të lirë. Lajmi është konfirmuar nga vetë shtetasit shqiptarë, të cilët janë duke qëndruar në një hotel në Jemen. Ata shprehen se nuk kthehen dot në vendin e tyre, pasi autoritet nuk ia kanë dhënë pasaportat. 

Mësohet se lirimi i tyre u bë pas një greve urie 3-ditore, që shqiptarët mbajtën brenda në burg.  Ata i kanë bërë thirrje shtetit tonë që t’i kthejë në Atdhe. 

Ngjarja ka datuar mëngjesin e 18 dhjetorit të vitit 2012, ku anija EOS është ndaluar pasi kishte ngarkesa me municion luftarak dhe kjo ka çoi në burgosjen e marinarëve. Në anijen EOS u sekuestruan rreth 180 tonë armatime, municione dhe eksplozivë.

Shtetasit shqiptarë të arrestuar kanë qenë: Arif Bakillari, Nezir Shahaj dhe Mihal Cangonji. Autoritetet jemenase thanë se, ekuipazhi shqiptar i anijes “EOS” është ndaluar pasi ngarkesa me municion luftarak që ishte në bordin e anijes shoqërohej me dokumente të falsifikuara.

Mësohet se anija kishte si destinacion portin Um-Kasr (Umm Qasr) në Irak ku do të shkarkonte ngarkesën me armatim. Më 16 dhjetor, për shkak të një defekti anija kërkoi futjen për riparim dhe furnizim me karburant në portin Mukalla. Tri ditë më pas autoritetet ndërhynë duke sekuestruar ngarkesën dhe ndaluar ekuipazhin e përbërë nga tre shqiptarë, dy indianë dhe një shtetas grek. EOS u ngarkua në Tivar të Malit të Zi me armatim e municione për llogari të një kompanie serbe me destinacion Irakun. Nga Greqia, vendi ku drejtimin e anijes e mori kapiteni Ari Bakillari, anija ka bërë disa ndalesa përfshirë dhe Somalinë, vendin me veprimtari të lartë të piraterisë detare. Itinerari u ndërpre në Jemen, ndërsa lëvizjet e anijes u bënë pjesë e një hetimi të strukturave të Kombeve të Bashkuara. 

Në janar të këtij viti, Presidenti i Jemenit fal tre marinarët shqiptarë. Presidenti i Republikës së Jemenit, Abd Rabbuh Mansur Hadi, ka kërkuar që çështja e anijes së bashku me ngarkesën e saj të mbyllet. Më tej në dokumentin zyrtar përcaktohet qartë që anija të kthehet në Irak, duke i kërkuar këtij vendi që të marrë përsipër angazhimin ligjor për të mos përsëritur më veprime të tilla. 

Por, edhe pas këtij dekreti, dy prej shqiptarëve qëndruan deri dje në burgun e Mukallës, ndërsa mekaniku i anijes doli i lirë nga gjykata më 5 janar të këtij viti. Konkretisht në burgun e Jemenit ndodhej kapiteni i anijes, Arif Bakillari dhe oficeri i parë, Mihal Cangonji, ndërsa ka qenë i lirë mekaniku Nezir Shahaj.

Ky i fundit edhe pse  fitoi të drejtën për të qenë i lirë, nuk mund të kthehej në Shqipëri, pasi autoritetet jemenase nuk i dorëzuan dokumentet e identifikimit. Tani të tre shqiptarët pritet që të kthehen së shpejti në vendin e tyre, pas dorëzimit të pasaportave. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button