Mbylleni gojën kur s’keni gjë për të thënë!

Shoku Zylo nuk mund të rrijë pa dhënë mendime. Për atë nuk ka fenomen që të mos bëhet shkak i shpërthimit të mendimit…

Kështu shkruan Dritëro Agolli në veprën e tij të famshme “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, duke vënë në lojë fenomenet e një kohe që nuk duhej të ishin tonat. Por, jeta dëshmoi se mendimtarët e romansierit janë kategori e gjithëkohshme dhe japin fetfa kur s’ta merr mendja.

Aktualisht, të tillët janë në sezonin e leksioneve mbi zgjedhjet presidenciale në SHBA. Komentet janë të skajshme. Për ata që ishin me zonjën Klinton, Tramp vazhdon të jetë idiot, matrapaz, lapërdhar, antishqiptar, prorus, i rrezikshëm për miqësinë tradicionale shqiptaro-amerikane…, kurse ata që pas fitores u bënë përnjëherë Tramp-ista, fyejnë përbaltin, pështyjnë, minimizojnë… atë që bënë Klintonët për shqiptarët, me justifikimin se, tani e tutje, nuk kemi nevojë për miqësinë dhe përkrahjen  e askujt.

Do të doja sinqerisht, që, kësaj here, të kishte të drejtë mizëria e ideologëve, mendimtarëve dhe orakujve zhurmues. Do të doja me gjithë shpirt që unë, ti, ne… – Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e degdisur pikë-e-pesë sajesave ballkanike të ishim aq të fortë sa të mos kishim nevojën e përkrahjes së tjetrit. Do të doja që, nga ky çast, të mos kemi asnjë çadër tjetër mbi kokë, përveç çadrës sonë, por sa është kjo racionale përpara realitetit kokëfortë që nuk përputhet me ëndrrat, mjegullat, kopallat…

Së këndejmi, më rezultojnë të paqëndrueshme, mbase dhe të dëmshme për të ardhmen tonë, komentet e pamatura të politikanëve dhe opinionbërësve të caktuar, që mbjellin kurgjënë në kokat e njerëzve të painformuar, duke e tebdilosur vetveten në Mic-Sokolë, kurse Shqiptarinë në superfuqi të vetëmjaftueshme botërore, në një epokë, kur edhe shtetet e fuqishme dhe të konsoliduara gjithanshmërisht si Gjermania, fjala vjen, i ruajnë si relike të shenjta miqtë dhe aleatët e vjetër, duke lidhur njëkohësisht miqësi të reja, sepse, në këtë botë pise, nuk i dihet kurrë.

Edhe po të mos jetë kështu, mënyra e përzierjes së liliputëve në punë dinozaurësh flet për mungesën e kulturës politike të atyre që përfaqësojnë shumë më tepër se vetveten. Le t’ma thonë ata që dinë më shumë: ç’raporte miqësie mund të kultivojë me kryetarin e posazgjedhur të SHBA (me shtetin amerikan), kryeministri i Shqipërisë së katandisur për gjynah, nga klasat e korruptuara dhe të kriminalizuara politike? A nuk e di ai se sebepi i përkrahjes së Shqipërisë nga SHBA qe miqësia e presidentit Uillson me Fan Nolin dhe Mid’hat Frashërin? A nuk e ka dëgjuar Bill Klintonin duke thënë se simpatia ndaj Nënës Tereze qe vendimtare për proshqiptarizmin e tij të dëshmuar me bëma konkrete? A nuk qe simpatia e zonjës Olbrajt për shqiptarët mbrojtës të hebrenjëve gjatë okupacionit fashist, ajo që e bëri dalëzotëse të fatit të Kosovës? Fundja, a nuk na mjaftojnë pësimet historike dhe tagret që ua kemi paguajtur miqësive/ alaencave të fqinjëve nëpërka në një kohë kur s’na e varte kush?

Prandaj, ju që pandehni se keni mandat të flisni për gjithçka në emër të popullit (ideologë, ekspertë, orakuj zhurmues…), kurseni pak mendimet dhe, siç thotë Konica: mbylleni gojën kur s’keni gjë të mençur për të thënë! Është më e shëndetshme për ju dhe më pak e dëmshme për shqiptarët.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button